RCCOLA

Ligjvënësit shtyjnë debatin për privatizimin

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Prishtinë – Shtyhet për të enjten diskutimi për procesin e privatizimit në Kosovë. Kërkesa për një shtyrje të tillë erdhi nga Grupi Parlamentar i PDK-së.

Kërkesën për shtyrje kryetari i këtij grupi parlamentar, Adem Grabovci, e ka arsyetuar me mungesën e përfaqësuesve të pushtetit dhe nevojën që deputetët të jenë sa më të përgatitur dhe që debati të jetë më dobiprurës. Sipas tij kjo kërkesë për shtyrje vjen pasi që pjesa me e madhe e kabinetit qeveritar nuk ka qenë e pranishme në këtë seancë.

Mirëpo, një kërkesë e tillë është kundërshtuar ashpër nga opozita. Ismet Beqiri nga LDK-ja ka kërkuar mbetjen e kësaj teme në rend dite për diskutim. Ndërkohë, Visar Ymeri nga Vetëvendosje ka shprehur çudinë me kërkesën e PDK-së, pasi që sipas tij kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe aty janë pajtuar të gjithë anëtarët për vënien në rend të ditës së kësaj çështjeje.

Ai ka shprehur dyshimet se mungesa e pjesës më të madhe të kabinetit qeveritar, përfshirë edhe ministrat e resorit ekonomik, është bërë me qëllim, aq më parë kur kërkesa është shtruar javë më parë.

RCCOLA

Me të njëjtën kërkesë ka qenë edhe AAK-ja, e cila ka akuzuar ministrin Besim Beqaj për mospjesëmarrje në seancë.

Ndërkohë, drejtuesit e BSPK-së kanë paralajmëruar protesta masive po të enjten më 20 shtator me qëllim të kundërshtimit të privatizimit të PTK-së, Distribucionit të KEK-ut dhe Likuidimit të Trepçës.

Aktualisht deputetët po shqyrtojnë Raportin e Avokatit të Popullit, kurse në vazhdim do të shqyrtojnë edhe Raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe Raportin vjetor të performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2011.