KKGJILAN

Ligji për plaçkitje

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Enver Robelli – “Ligji për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë” u jep funksionarëve të shtetit privilegje marramendëse. Ky ligj e legalizon plaçkitjen e buxhetit të Kosovës. Shoqëria civile, mediet dhe mbarë opinioni kritik duhet të kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji të miratuar në bashkëveprim nga dy partitë më të mëdha: PDK dhe LDK.Është e udhës ta përgëzojmë Jakup Krasniqin me rastin e pensionimit vullnetar dhe largimit nga politika. Deputeti i Nismës… iku nga skena politike pa shumë bujë.

I mjaftoi një shënim në “Facebook”, ku tregoi se me dekada kishte punuar për çështjen kombëtare, kishte vuajtur burg, kishte luftuar, ishte angazhuar në politikë pas luftës dhe kishte drejtuar në dy mandate Parlamentin e Kosovës, si kryetar.

Tani, me 64 vjet, ka ardhur dakiku që të tërhiqem, tha Krasniqi, pak a shumë. Nuk janë vetëm gojëkëqijtë që pyesin: si mund të largohet Krasniqi kaq shpejt nga Parlamenti kur, pasi braktisi PDK-në, themeloi një parti tjetër për të ndikuar që Kosova të pastrohet nga korrupsioni dhe të përmirësohet cilësia e qeverisjes?

Dorëzimi në start ka të bëjë, sipas të gjitha gjasave, me diçka krejt tjetër: si deputet Krasniqi merrte një rrogë të mirë (1.488 euro), së paku në krahasim me shumicën e qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë në varfëri shpeshherë ekstreme.

Me dorëzimin e mandatit të deputetit Krasniqi hyn automatikisht në galerinë e zyrtarëve të lartë të shtetit të cilët gëzojnë privilegje marramendëse. Këtë Krasniqit dhe plot të tjerëve ua mundëson “Ligji për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë”.

Pas këtij titulli me një shqipe të përçudnuar fshihet një normë që legalizon plaçkitjen e shtetit të Kosovës. Si ish-kryetar Parlamenti Krasniqi do të marrë gati 1.900 euro në muaj ose 70 për qind të rrogës që e merrte kur ishte shef parlamenti (2.700 euro), do të ketë shofer, truprojë, një këshilltar dhe zyrë në Kuvendin e Kosovës. Zyra duhet të jetë e mobiluar, thotë ligji. Rroga do të marrin edhe shoferi, truproja dhe këshilltari i Krasniqit. Po ashtu gjatë vitit për shpenzime të komunikimit (telefon, internet) Krasniqi do të marrë 1.200 euro. Kështu e thotë ligji “03/L-001”.

Shikuar nga aspekti njerëzor duhet t’i urojmë Jakup Krasniqit të jetojë 100 vjet. Së paku. Duke qenë 64-vjeçar ai në 36 vitet e ardhshme si pensionist politik, sipas një llogaritjeje të thjeshtë, pritet t’i marrë mbi një milionë euro (nëse nisemi nga fakti se tani e tutje për çdo muaj për Krasniqin dhe stafin e tij nga buxheti i Kosovës do të ndahen rreth 3.000 euro, në mos më shumë). Privilegje të ngjashme gëzon edhe ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Është jashtëzakonisht interesante dhe shpjeguese për mendësinë plaçkitëse të politikanëve tanë nëse shikojmë historinë e miratimit të ligjit “për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë”. Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, më 15 qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës dhe vetëm tri ditë më vonë, më 18 qershor 2008, ligji për përfitime e privilegje të zyrtarëve të lartë është miratuar nga Kuvendi dhe më 2 korrik 2008 është shpallur me dekretin “DL-044-2008” nga presidenti Fatmir Sejdiu. Kjo nguti tregon se politikanët e dy partive kryesore (PDK dhe LDK) prioritet e kanë sigurimin e privilegjeve personale e financiare nga buxheti i Kosovës dhe jo zhvillimin e vendit. Burime brenda Parlamentit të Kosovës theksojnë se ligji është miratuar me bashkëveprim të PDK-së dhe LDK-së, përkatësisht Hashim Thaçit dhe Fatmir Sejdiut. Deputetët e tyre kanë votuar për këtë ligj.

Mjafton të ushtroni vetëm 6 muaj funksionin e kryeministrit të Kosovës, kryetarit të Parlamentit, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurorit të Shtetit, kryetarit të Gjykatës Supreme dhe do të gëzoni privilegje të përjetshme! E pabesueshme, por kështu është. Tani merreni me mend kush ka qenë në këto funksione viteve të fundit, sidomos në sektorin e gjyqësisë, për të parë se ky ligj është vetëm një mundësi për grabitje të shtetit prej duarve të njollosura të politikanëve, ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve (mes tyre edhe të atillë që nuk kanë ndërmarrë asnjë aksion kundër krimit e korrupsionit që po gërryejnë themelet e shtetit).

Me këtë ligj politikanët e të dy partive të mëdha, por edhe çdo deputet që ka votuar në favor të tij në mënyrë perfide i kanë blerë krerët e drejtësisë. Kush merr kaq shumë privilegje nga shteti nuk ka ndonjë motiv të luftojë keqbërësit që shkatërrojnë shtetin. Kështu përsoset edhe seleksionimi negativ i kuadrove.

KKGJILAN

Kështu ka ndodhur që kryeprokurorë të shtetit të bëhen zyrtarë të hirtë si Ismet Kabashi apo aktualisht Sylë Hoxha, i cili nuk është i përqendruar në luftimin e krimit e korrupsionit, por në forcimin e klanit të tij brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kështu bën vaki që Sylë Hoxha, sipas burimeve nga sistemi i drejtësisë, të mbështesë me mish e me shpirt një kandidat për prokuror në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ta vlerësojë atë lart – edhe pse ai – Bajram Hamitaga – në vitin 2010 kishte rënë në procesin e riemërimit për prokuror dhe pastaj kishte punuar si avokat në Prizren. Edhe Syla është nga rrethina e Prizrenit.

Dhe ja, sërish, kemi një rast tjetër të bajraktarizmit dhe të lokalizmit në dëm të drejtësisë, në dëm të shtetit dhe në dëm të shoqërisë.

Derisa kjo katrahurë në sistemin e drejtësisë vazhdon, Ismet Kabashi, ndonëse i pensionuar, vazhdon të marrë rrogë në bazë të ligjit për përfitim (jo pension), vazhdon të ketë zyrën në Kryeprokurori të Shtetit, të ketë veturë zyrtare, shoferin dhe asistentin personal. Për çka? Gazetarët duhet urgjentisht të hulumtojnë në këtë çerdhe të dyshimtë, ku duart e njollosura të prokurorëve dhe gjyqtarëve e mbajnë njëri-tjetrin në funksione – njëjtë si politikanët.

Pjesë e këtij sistemi dyshohet të jenë edhe disa biçim-gazetarë të afërt me klane brenda Prokurorisë së shtetit. Shoqëria civile, mediet dhe mbarë opinioni kritik duhet të kërkojnë shfuqizimin e ligjit për përfitime. Zyrtarët e lartë të shtetit do të duhej të gëzonin privilegje shumë më modeste. Ata nuk duhet të kenë staf aq të madh, i cili paguhet nga arka e shtetit. A e di ndokush se çfarë i duhet një ekip aq i madh shoferësh e këshilltarësh Fatmir Sejdiut, Jakup Krasniqit apo këtyre shkatërruesve të sistemit të drejtësisë?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sidomos ata që e konsiderojnë veten përfaqësues të popullit, do të duhej të angazhoheshin menjëherë në ndryshimin e këtij ligji aq antishtetëror. Kosova ka buxhet aq sa një gazetë mesatare e Zvicrës.

Por privilegjet që ligji i parasheh për zyrtarët e lartë janë të neveritshme përballë vendnumërimit shumëvjeçar të ekonomisë kosovare. Një ministër zviceran (Zvicra i ka vetëm 7!) mund të gëzojë privilegje të caktuara vetëm nëse ka ushtruar mandatin e plotë (4 vjet). Jo vetëm 6 muaj, siç thotë ligji i PDK-së dhe LDK-së.

Në Kosovë ka jashtëzakonisht shumë njerëz që kanë bërë më shumë për vendin se Sejdiu e Krasniqi (këta leckamanët e padrejtësisë si Kabashi e Syla as që duhet përmendur në kontekst të meritave), por ata qytetarë nuk marrin asgjë nga shteti. Sepse 75 euro asistencë që marrin nga shteti nuk mjaftojnë as për arkivol. Sa për krahasim: zyrtarët e lartë marrin nga 100 euro në muaj vetëm për shpenzime të telefonit dhe internetit (ose 1200 euro në vit).

[email protected]

© KOHA.net