Fundamenti

Ligjet e mbivendosura dhe gjykatat paralele po dobësojnë Kosovën

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Lisen Bashkurti – Kosova po përjeton një situatë inkuizitive. Destabiliteti politik, tronditjet sociale, ballafaqimet e eksponentëve politikë, të luftës dhe të paqes, po krijojnë një mjedis të lartë tensioni dhe pasigurie. Vlerat e UÇK-së dhe të luftës, arritjet e konsiderueshme të viteve të pavarësisë e të demokracisë, duket se po kryqëzohen nga interesa individësh e grupesh që janë gati të sakrifikojnë gjithçka për t’i mbuluar përgjegjësitë e tyre si dhe për t’i arritur ambiciet e veta.

Ligjet e mbivendosura duhen shfuqizuar

Kaosin më të madh në Kosovë e krijon ekzistenca e disa sistemeve ligjore, e kohëve dhe sistemeve të ndryshme në kohë dhe hapësirë. Së pari, në Kosovë vijojnë të veprojnë juridikisht ligje të trashëguara nga ish-Jugosllavia. Ky sistem ligjor nuk u shfuqizua as nga UNMIK-u dhe as nga Republika e Kosovës. UNMIK-u mbajti një sërë ligjesh nga ish-Jugosllavia, për arsye kompromisi politik, por edhe për arsye kohe e kapacitetesh të limituara ligjbërëse. Konsekuencat e këtij sistemi juridik ish-Jugosllav të mbetur në fuqi janë urdhrat në fuqi të prokurorisë serbe që ndalon, arreston dhe gjykon shtetas, zyrtarë dhe liderë të Kosovës jashtë territorit. Këto mbetje ligjore të ish-Jugosllavisë janë antishtetërore dhe antidemokratike dhe, si të tilla, duhen abroguar.

Së dyti, në Kosovë vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë vlefshmëri juridike aktet rregullative të UNMIK-ut të periudhës 1999-2008. Këto akte u bënë nga përfaqësuesit e lartë të SP të OKB-së. Këto akte ishin transitive. Por për shkaqe të ndryshme vazhdojnë në një pjesë të tyre të mbeten në fuqi. Këto akte nuk kanë pasur transparencë, gjithëpërfshirje, bazë demokratike. Mjaft prej këtyre akteve të UNMIK-ut tanimë janë antikushtetuese. Si të tilla duhen abroguar.

Së treti, në Kosovë ekziston edhe sistemi i ri juridiko-kushtetues i shtetit të pavarur të Kosovës. Ky sistem i ri ka vlera e legjitimitet. Mirëpo ky sistem juridiko-kushtetues nuk ka institucione të drejtësisë kombëtare që të zbatohet rigorozisht.

Paralelet e gjykatave duhen zgjidhur

Mobi Casa

Në Kosovë kanë ekzistuar disa prokurori dhe gjykata të cilat janë krijuar në kohë të ndryshme. Së pari, kanë ekzistuar e funksionuar prokurori e gjykata ish-jugosllave. Së dyti, kanë ekzistuar e funksionuar prokurori e gjykata të emëruara të UNMIK-ut, të cilat përdoren Gjykatën e Hagës. Së treti, ka ekzistuar e funksionuar prokuroria e EULEX-it. Së katërti, kanë ekzistuar e funksionuar prokurori dhe gjykata të shtetit të Kosovës. Dhe, së fundi, po ngrihet edhe Specialja për gjykimin e lëndës juridike të përcaktuar.

Gjithë këto sisteme të drejtësisë kanë krijuar një kaos të paprecedent në zbatimin e ligjit në Kosovë. Aq sa mund të thuhet pa hezitim se këto sisteme kanë krijuar struktura paralele që po tronditin jetën demokratike, politike, sociale në Kosovë.

Kjo situatë ka provokuar rastet e UÇK-së, rastin e Limajt dhe të shumë lëndëve të tjera juridike, fati i të cilave nuk është aspak i qartë. Institucionet shtetërore të Kosovës, Qeveria dhe Parlamenti, duhet të vënë në krye të të gjithë prioriteteve të tyre abrogimin e sistemeve ligjore paralele si dhe t’i përcaktojnë qartë statuset e institucioneve të drejtësisë, të brendshme dhe të huaja që ekzistojnë dhe funksionojnë në Kosovë.

Ky prioritet është alarm, ndryshe Kosova, UÇK-ja, individë e liderë të luftës e të paqes, do sfidohen herë pas here nga ligje, prokurori e gjykata të ndryshme pa gjetur drejtësinë e merituar.

(Ky opinion është shkruar enkas për “Epokën e re”)