RCCOLA

Librat satirikë “Koka pa tru” dhe “Shakaja me kripë” nga Sevdail Hyseni – Një vlerësim i kritikës dhe trashëgimisë së humorit në letërsinë shqiptare

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Dolën nga shtypi dy libra me vjersha humoristike dhe satirike të titulluara: “Koka pa tru” dhe “Shakaja me kripë”, të autorit Sevdail Hyseni nga Bujanoci – Lugina e Preshevës. “Koka pa tru” është financuar dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa “Shakaja me kripë” është mbështetur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, përmes Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, në Preshevë.

Libri i parë “Koka pa tru”, përbëhet prej pesë ciklesh, në të cilat janë të radhitura 111 poezi me gjithsej 215 faqe, të cilave u paraprinë fjala e redaktorit Jani Duri dhe e recensentëve: Dr. Hysen Kobellari e Rezarta Seseri. Libri doli në kuadër të Shtëpisë Botuese “Rozafa”, me editor Ramadan Mehmeti, lektor Prof. Eroll Sejdiu, të shoqëruara nga karikaturat e SelajdinHajdinit – me shkurtesën Sela. Libri u shtyp në Shtypshkronjën “Drita Press” në Prishtinë.

Redaktori i librit “Koka pa tru”, Jani Duri theksoi se dashuria për librin nuk ka për të humbur, për sa kohë shkruhen e botohen libra të mirë si ky i Sevdail Hysenit. “Mirëprita të jem redaktor për këtë libër sepse prej kohësh kam shkruar fabula e vjersha satirike. Kur lexon librin e një shkrimtari arrin të zbulosh shpirtin dhe botëkuptimin e tij. Kështu që respektoj, jo vetëm zotëri Sevdailin si shkrimtar, por sidomos qytetarin e devotshëm, të shqetësuar e të angazhuar në problemet e përditshme të shoqërisë ku jeton dhe që ngjan si dy pika uji me jetën tonë në Shqipëri. Thonë që fjala gdhend edhe gurin!”, tha Duri.

Ndërsa, sipas recensentit të librit, Dr. Hysen Kobellari në letërsinë artistike veprat me humor janë vepra në të cilat pasqyrohet ana komike e qesharake e jetës, ajo anë që të bën të qeshësh, pore dhe t’i vësh gishtin kokës dhe të mendohesh se pse qesh.

“Me krijimet e këtij libri, autori Sevdail Hyseni ia ka arritur qëllimit që i ka vënë vetes. Duke studiuar me kujdes të gjitha vjershat veç e veç dhe duke e parë librin në tërësi, i cili është organizuar në disa cikle, mund të themi se procesi krijues dhe produkti që vjen prej tij, na bën të mendojmë për Shkallët e reflektimit njerëzor e poetik të autorit”, u shpreh Kobellari.

Libri i dytë “Shakaja me kripë”, përbëhet prej pesë ciklesh, në të cilat janë të radhitura 111 poezi me gjithsej 200 faqe, të cilave u paraprinë fjala e redaktorit Dr. Ferid Selimi dhe e recensentëve: Rrahim Sadiku, Bilall Maliqi e Musa I. Ahmetaj.

Fundamenti

Libri u botua në kuadër të Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, në Preshevë dhe u shtyp në Shtypshkronjën “Lena Graphic” në Prishtinë, me karikaturën në ballinë të autorit Endri Beqo.

Dr. Ferid Selimi si redaktor i librit ka thënë se autori në vjershat e tij përkujdeset që të na sjell çaste kënaqësie me një humor të lehtë e të butë, humor ky që mishërohet me personalitetin tonë.

“Sevdaili në vjershat e tij përkujdeset që të na sjell çaste kënaqësie me një humor të lehtë e të butë, humor ky që mishërohet me personalitetin tonë. Të shkruhet për fenomene të ndryshme shoqërore, të preken dukuri të shumta, e të kënaqesh së lexuari e së qeshuri edhe atëherë ku në thumb mund të jesh t`i, është mjeshtri autoriale. Zaten, kjo mjeshtri, Sevdailin e ka vendosur në listën e satiristëve vargor më të njohur shqiptarë, e që do ta mbaj gjallë me shekuj të tërë”, potencoi Selimi.

Recensenti i librit të dytë, Rahim Sadiku ka thënë se çështja që nuk mund të injorohet dhe që trajtohet me humor nga ai, është Lugina e Preshevës dhe ngjarjet e saj të ndryshme, që shkaktojnë reagime të qeshura dhe të pikëlluese në të njëjtën kohë.

“Temë e pakalueshme e thumbave të tij është Lugina e Preshevës dhe ndodhitë e atjeshme, që të bëjnë të qash e të qeshësh, po edhe të ulërish nga e keqja. Ai, stigmatizon kotësinë e patriotizmit të rrejshëm, sepse veprimet e pushtetarëve, të shumtën e herave, janë jopatriotike dhe jodemokratike”, tha Sadiku.

Botimi i këtyre dy librave me vjersha humori e satire të autorit Sevdail Hyseni, ka plotësuar mungesën e këtij zhanri te lexuesit, të cilët nuk e kanë humbur sensin për humor. Janë të pakta, sot, librat që botohen e që kanë në përmbajtje të tyre kultivimin e humorit dhe satirës, prandaj nga kritikët letrarë konsiderohet i mirëseardhur realizimi e këtij misioni artistik për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. /driton hyseni/rajonipress/