Fundamenti

Liberalizimi mund ta zbrazë Kosovën

/ 6 minuta lexim

Populli është lodhur nga sundimtarët e korruptuar

“E keqja është se për një pjesë të popullatës dhe njerëzit që janë të painformuar, ata do të provojnë që ta lëshojnë Kosovën duke huazuar edhe para”, u shpreh eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi për gazetën ” Kosova Sot ”

Për momentin, askush nga vendorët nuk është në dijeni se kur do të dihet data e saktë se kur qytetarëve kosovarë do t`u liberalizohen vizat. Por, edhe kur të ndodhë liberalizimi, fare pak veta kanë mundësi financiare ta shfrytëzojnë. Frika më e madhe është rreziku nga emigrimi masiv, për shkak të jetesës së rëndë në Kosovë. Analistët thonë se këtij lajmi iu janë gëzuar më së shumti pushteti aktual dhe mafia ekonomike si rast për të zbrazur Kosovën edhe nga 500 mijë qytetarë. Analistët thonë se tashmë ekziston rreziku që për shkak të pakënaqësisë në kulminacion nga qytetarët kosovarë, do të hyjnë edhe në borxhe dhe menjëherë do t’ia mësyjnë Evropës. Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën ” Kosova Sot “, tha se kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm vetëm diku nga Viti i Ri apo Kërshëndellat, por jo më parë. Sipas tij, ky lajm po abuzohet nga qeveritarët e korruptuar. Ai tha se qytetarët e varfër nuk mund të lëvizin. “E keqja është se për një pjesë të popullatës dhe njerëzit që janë të painformuar, ata do të provojnë që ta lëshojnë Kosovën duke huazuar edhe para”, u shpreh ai.

Kosova, shumë larg BE-së

UBT

Analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se liderët aktualë gjithnjë e më shumë janë munduar për të paraqitur Kosovën afër BE-së dhe kjo qasje ka qenë në shpërputhje gjithnjë, pasi është aktualiteti ai i cili e demanton një gjë të tillë. “Bashkimi Evropian është bashkim i shteteve demokratike, dhe përderisa qëndron në këtë stad, Kosova ka thuajse të pamundshme të prekë atë. Liberalizimi i vizave kërkon gjendje më të avancuar, gjë që Kosova aktualisht nuk e ka”, u shpreh ai. “Qytetarët ballafaqohen me probleme bazike, ata gjithnjë e më shumë e ndjenjë mungesën e funksionimit të shtetit dhe kjo gjendje është pikërisht arsyeja pse ata orientohen drejt shteteve ku respektohet dinjiteti dhe mirëqenia qytetare. Liberalizimi është proces më i avancuar sesa që mendojnë politikanët tanë, ai nuk vjen për një shoqëri ku brengë e tyre vazhdon të mbetet keqfunksionaliteti shtetëror”, potencoi më tutje Haziri. “Edhe sikur Kosova të përfshihej në atë zonë, një proces i tillë do të kishte më pas primesa negative, pasi arrin të e thithë gjithë rininë, motorin e çdo zhvillimi në interes të shoqërisë”, ka theksuar ai.

Qytetarët, mosbesues ndaj pushtetit

Veç analistëve politikë dhe ekspertëve të integrimeve evropiane, edhe qytetarët tanë janë të pakënaqur me pushtetarët, andaj edhe duan që të largohen pas liberalizimit të vizave që pritet të ndodhë. Ata thonë se ekziston rreziku që për shkak të pakënaqësisë së tyre që është në kulminacion nga qytetarët kosovare, edhe do të hyjnë në borxhe dhe menjëherë do t’ia mësyjnë Evropës, në kërkim të një jetë me të mirë në Perëndimin e premtuar. Kësisoj, qytetari nga fshati Llukar i Prishtinës, Mirsad Krasniqi për gazetën ” Kosova Sot”, tha se ka një rrezik shumë të madhe për një eksod të ri masiv, sepse qytetarët tanë janë shumë të pakënaqur dhe me halle të mëdha ata do ta mësyjnë Evropën sikur para tre vjetëve duke ikur në Perëndim nga dëshpërimi shumë i madhe që i ka kapluar, veçanërisht nga mungesa e perspektivës. “Pra, thënë troç, popullatës i ka ardhur shpirti në majë të hundës nga varfëria dhe mungesa e perspektivës në vendin tonë”, u shpreh ai. “E vetmja perspektivë është ikja nga vendi që vlerësohet të jetë ” Një Eldorado”. Madje, edhe dy djemtë e mi qëllim të vetëm e shohin ikjen nga vendi, sepse unë si shitës i librave nuk mund t’u bëj zgjedhje për punësim, kurse shteti nuk po e bën këtë. Prandaj, synimi i vetëm i dy fëmijëve të mi, por edhe i të gjithë të njerëzve të rinj do të jetë ikja nga vendi. Unë duke pirë kafe me shokë pak më parë pyeta se kush do ta mbrojë këtë Kosovë dhe kush do ta përparojë atë nëse këtë nuk e bën rinia jonë që ka synim të vetëm ikjen nga vendi. E tëra kjo po ndodh nga faji i sundimtarëve tanë të paskrupull që janë bërë katilë për popullin tonë “, potencoi ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Agron Mustafa,për “Kosova Sot”, thotë se liberalizimi i vizave do të shkaktojë pasoja për vendin tonë, për shkak të ikjes së të rinjve tanë, ngase këta politikanë tanë po mendojnë se me liberalizim të vizave do të zbrazet Kosova dhe me këtë edhe do të heqin problemet nga barra e tyre. “Por, për fatin tonë të keq, e tëra kjo do të ketë pasoja afatgjata për vendin tonë. Ngase, me liberalizim të vizave një pjesë e madhe e qytetarëve tanë do të futen në borxhe të mëdha me synim të vetëm për të shkuar në Perëndim. Por, kam frikën se do shumë vështirë që do të gjejnë punë atje, sepse në Perëndim ka vend vetëm për profesionistë dhe më të shkathëtit, kurse pjesa tjetër do të zhgënjehen dhe do të kthehen në Kosovë”, ka theksuar ai.

(Kosova Sot)