Letër e hapur drejtuar ministrit Arban Abrashi
Nga Makfire Osmani-Uzurnaliq – Pas përfundimit të mbledhjeve të kuvendeve komunale të organizatave të pensionistëve dhe invalidëve të punës, janë dhënë shumë propozime dhe sugjerime për problemet dhe rezultatet që u arritën në implementimin e Ligjit për pensionistët kontributdhënës. Serioziteti dhe angazhimi juaj më shtyri t’ju drejtohem me anë të kësaj letre, nëpërmjet së cilës, në emër të një numri të konsiderueshëm të pensionistëve, dua t’ju falënderoj dhe përgëzoj për angazhimin tuaj për këtë kategori, e cila dha nga vetja të pamundurën për një Kosovë çfarë e kemi tash.
Kemi bërë punë të mirë profesionale dhe jemi angazhuar maksimalisht që ligji më në fund të aprovohet dhe implementohet. Pavarësisht prej seriozitetit që kësaj kategorie t’i ofrohet trajtim i merituar me ligj, u mbetet edhe shumë punë, e cila pa ndihmën e institucioneve të tjera dhe bashkimit të sindikatave të pensionistëve të Kosovës dhe atyre komunale, nuk mund të realizohet.
Defektet me të cilat duhet të merren institucionet për zgjidhjen përfundimtare të problemeve të pensionistëve janë:
– Ka raste të evidentuara se pensionistë shqiptarë, por edhe pensionistët e komuniteteve të tjera marrin nga dy pensione (Kosovë dhe Serbi);
– Ndihmat për të moshuarit 65-vjeçar i marrin personat e të gjitha komuniteteve që nuk jetojnë në Kosovë, anëtarët e familjeve të pensionistëve kontributdhënës (bashkëshortja e anëtarë të tjerë, nga 2-3 anëtarë në një familje pa kurrfarë kriteresh). Këto, sipas mendimit tim, janë disa nga problemet serioze që duhet të zgjidhen urgjentisht në mënyrë që mjetet që harxhohen për këta persona t’i dedikohen fondit pensional-invalidor.
Meqë kam punuar gjatë në këtë çështje, e pashë të arsyeshme t’jua adresoj problemet prioritare të pensionistëve dhe t’ju sugjeroj se me një përkushtim më të shtuar institucional të njëjtat mund të zgjidhen.
Drejtorët regjionalë dhe drejtoria qendrore në bashkëpunim me ministrinë e juaj duhet të vijnë deri te regjistrat e pensionistëve të lartpërmendur (keqpërdorues), nëpërmjet zyrave ndërlidhëse të Serbisë dhe ministres për Dialog, Edita Tahirit, sepse edhe ky problem i kësaj kategorie e meriton kujdes.
Sa i përket ndihmave të të moshuarve duhet të angazhohen drejtorët e lartpërmendur për përpilimin e kritereve se kush mund të jetë shfrytëzues i atyre ndihmave.
I nderuar ministër!
U drejtova në këtë mënyrë duke vlerësuar se përvoja jonë mund të jetë e mirëseardhur për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat po ballafaqohet shoqëria jonë dhe se është momenti që edhe fjala e qytetarëve të dëgjohet në të mirë të funksionimit të shtetit.
Kjo kategori duhet të angazhohet maksimalisht në dhënien e kontributit për evidentimin e këtyre rasteve, sepse edhe ky mund të cilësohet si njëlloj keqpërdorimi. Ne si kategori që dhamë shumë, sidomos për gjeneratat e reja, së pari duhet t’i luftojmë keqpërdorimet në mesin tonë dhe të angazhohemi në të gjitha aktiviteteve që po zhvillohen në luftimin e të këqijave që rrezikojnë shtetin tonë.
Autorja është ambasadore e Paqes


