Lëshojeni dorën

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Kosovarët çdo muaj i deponojnë miliona euro në bankat komerciale në Kosovë, ndërsa bankat shumë pak nga këto para i kthejnë në formë kredie në ekonominë e vendit. Njohësit e ekonomisë thonë se arsye për këtë janë normat e larta të interesit dhe kushtet jo stabile për biznes.

Bankat kanë plot pare. Por si duket i kanë veç për vete. Numri i atyre që marrinë kredi nga muaji në muaj po pakësohet. Por e kundërta po ndodh me ata që i deponojnë paratë e tyre në institucione financiare, edhe pse së fundi e kanë shtrënguar dorën.

Deri në tetor të vitit 2012, kur edhe janë bërë llogaritë e fundit nga banka Qendrore në tetë bankat komerciale në Kosovë janë deponuar 2 miliardë e 89 milionë euro. Kjo shumë krahasuar me një muaj më parë, në shtator është për 12 milionë euro më pak.

Megjithatë, nga tetori i vitit 2011 kosovarët i kanë palosur në banka mbi 130 milionë euro.

Njohës të ekonomisë thonë se pavarësisht lëvizjeve mujore rritja vjetore e depozitave është e madhe.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se rënia nga muaji në muaj të depozitave, posaçërisht atyre të korporatave, tregon për likuiditet të përkeqësuar dhe mungesë të parasë në qarkullim.

E kur vjen puna që këto para të jepen në formë kredie në ekonominë e vendit, situata është pak më ndryshe.

Të dhënat e BQK-së tregojnë se rritja nuk është e kënaqshme as pas nëntëmujorin e vitit të kaluar.

Rënia e interesit për kredi dhe shtrëngimi i kushteve nga vetë bankat po vazhdojnë në tregun financiar në Kosovë.

Megjithëse shuma e kredive të lëshuar nga tetori i vitit 2011 deri në tetor 2012 është rritur për 70 milionë euro, duke çuar në 1 miliard e 748 milionë euro, rritja nuk është në nivelin e duhur, nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit 2010 kur ishin dhënë afro 300 milionë euro kredi nga bankat.

Mobi Casa

Në tabelat e BQK-së paraqitet situatë jo e kënaqshme për sistemin bankar në përgjithësi me kreditë e reja të lëshuara.

Nga 65 milionë euro sa janë dhënë në shtator të 2012, në tetor kanë rënë në 56 milionë, ndërsa kur krahasohet tetori i 2012 me tetorin e 2011 del se rënia është mbi 10 milionë euro.

Drejtori i STRAS-it, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se bankat ende kanë kosto të lartë dhe kreditë tash paraqesin rrezik, e jo ndihmë.

“Normat e interesit janë shumë të larta, ndërsa kushtet për biznes janë jostabile. Për këtë arsye bankat aplikojnë politika mjaft konservative kredituese, por as bizneset e individët nuk kanë shumë vullnet që te huazojnë para”, thekson Rexhepi.

Ngadalësimi i rritjes së normës së kredive paraqet pasoja në ekonomi në përgjithësi dhe vetë sistemin bankar me rritjen e kredive të këqija.

Kredit e këqija në nëntëmujorin e vitit që lamë pas janë rritur nga 5.9 për qind në 6.5 për qind.

BQK-ja ka vlerësuar se rritja e kredive të këqija është kryesisht pasojë e ngadalësimit të normës së rritjes së kredive dhe jo si pasojë e ndonjë përshpejtimi të theksuar të rritjes së kredive joperformuese, vlera e të cilave ka shënuar trend të rritjes të ngjashëm me vitet e kaluara.

Përfaqësuesit e biznesit kanë kritikuar bankat komerciale që operojnë në Kosovë se nuk po ofrojnë shërbime të mira dhe për përfitime të tyre po e lënë anash kreditimin e biznesit në Kosovë.

Këto kritika patën ardhur pas publikimit të të dhënave se për nëntë muaj të vitit 2012 bankat investuan rreth 200 milionë euro depozita të qytetarëve jashtë vendit në letra me vlerë të bankave evropiane. Ndërkaq, kreditimi për ekonominë kosovare, sipas raportit të BQK-së, u tkurr.(express)