Lenjani: Qeveria e re duhet të merret seriozisht me Karaqevën
Gjilan – Problemi i vijës kufitare kontestuese në Karaqevë duhet të trajtohet seriozisht nga Qeveria e re dhe Parlamenti i ardhshëm thotë Selver Lenjani i cili është i dëshpëruar me qasjen e deritanishme.
Vija kontestuese në Karaqevë e cila për shumë vite u ka sjellur telashe banorëve të brezit kufitar për shkak të provokimeve të shpeshta që ka bërë xhandarmëria serbe, duhet të trajtohet drejtë dhe me seriozitet nga qeveria e re. Kështu thotë Selver Lenjani kryetar i Bashkësisë Lokale në Karaqevë.
Lenjani i cili asnjëherë s`ka pushuar duke kërkuari drejtësi dhe angazhim të institucioneve kosovare dhe atyre ndërkombëtare thotë se Qeveria e re dhe Parlamenti i ri duhet të merren me Karaqevën. “Karaqeva nuk guxon të mbetet tutje nën mëshirën e Serbisë e as të forcave serbe. Ne jemi në tokën tonë dhe aty do të vdesim nëse është nevoja. Është e pandershme që Serbia të përfitojë aq shumë territor të Kosovës për gabimet teknike” shprehet Lenjani.
Lenjani tha se ndërkombëtarët me kohë kanë treguar se përgjegjës për vijën kufitare tashmë është politika kosovare e cila duhet të bisedojë në Bruksel për kontestin kufitar.”Ne nuk do të ndalemi asnjëherë së kërkuari të drejtën tonë për të punuar tokat tona, për të lëvizur lirshëm në tokën tonë” u shpreh Lenjani./rajonipress/


