Leja e qëndrimit, e vlefshme edhe pas vdekjes së bashkëshortit zviceran
Kjo vlen edhe për lidhjet martesore që kanë pasur një kohëzgjatje të vogël, por me disa përjashtime.
Parimisht, bashkëshortet/ët me shtetësi të huaj, pas vdekjes së bashkëshortit/es zviceran kanë të drejtë të vazhdojnë qëndrimin e tyre në Zvicër. Kjo vlen edhe për lidhjet martesore që kanë pasur një kohëzgjatje të vogël.
Këtë qëndrim e ka kumtuar sot Gjykata Federale e Zvicrës duke e arsyetuar se vdekja e bashkëshortit zviceran, sipas rregullit paraqet një goditje për bashkëshorten dhe anasjelltas, gjë që nënkupton se duhet të trajtohet si rast i rëndë.
Sipas praktikës së deritashme vdekja bashkëshortit zviceran nuk nënkuptonte automatikisht të drejtën e bashkëshortes/it për të vazhduar lejen e qëndrimit në Zvicër.
Megjithëkëtë, edhe vendimi i ri i gjykatës parasheh përjashtime. Kështu, në rastin kur martesa në mes të zviceranit/es dhe të huajës/it është lidhur duke e ditur se bashkëshorti-ja është pothuaj para vdekjes, mund të ndërpritet leja e qëndrimit.
Ndërkaq, të huajt ose të huajat me leje të përhershme qëndrimi në Zvicër (vizë C) kanë po ashtu të drejtë që pas martesës të marrin lejen e qëndrimit këtu (B). Mirëpo, në rast se martesa ndërpritet ende pa i bërë 3 vjet, ata ose ato janë të detyruar të lëshojnë Zvicrën.(albinfo.ch)