ARKATANA

Leimgruber: Po identifikojmë problemet, për t`i gjetur zgjidhjet

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Sa më mirë t’i kuptojmë problemet në raportet mes dy shteteve lidhur me migracionin aq më fort do të bëhen ato pjesë e politikës në Zvicër.

Në Prishtinë, po qëndron për një vizitë delegacioni zviceran i Komisionit Federal për çështje të Migracionit (KFM). Njohja me projektet që ka mbështetur dhe po mbështet Zvicra, është qëllimi i kësaj vizite.

Në një intervistë që albinfo.ch ka zhvilluar me kryetarin e delegacionit, Walter Leimgruber, ai flet për projektet konkrete dhe për rëndësinë që këto projekte kanë për Kosovën dhe për bashkëpunimin Zvicër–Kosovë.

Albinfo.ch: Z. Leimgruber, kush është KFM dhe cili është qëllimi i vizitës së delegacionit tuaj në Kosovë?

Walter Leimgruber: Komisioni Federal për çështje të Migracionit merret me të gjitha aspektet, pra me migracionin, integrimin në Zvicër, me probleme të ndryshme në fusha të ndryshme, me çështje të grupeve të ndryshme etj.

Natyrisht, migracioni nga Kosova është një grup shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm dhe ajo çka na intereson ne janë të gjitha këto fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me migracionin ndërmjet këtyre dy shteteve. Natyrisht, para së gjithash, duhet mësuar për prapavinë se prej nga vijnë këta njerëz, si duket këtu shoqëria, si është situata momentale në Kosovë, e pastaj vijnë edhe çështje specifike si p.sh. ne kemi çështje nga fusha e azilit, me të cilat merremi vazhdimisht, ta zëmë minoriteti rom, që është një temë diskutimi.

albinfo.ch: Sa jeni të informuar për raportet e mërgatës kosovare në Zvicër me vendlindjen?

Walter Leimgruber: Natyrisht, ekziston një marrëdhënie intensive ndërmjet kosovarëve në Zvicër dhe në vendlindjen e tyre, kështu që edhe këtu ka çështje që janë shumë të rëndësishme për komisionin tonë, p.sh. çështja e riatdhesimit, por edhe çështje të tjera të përgjithshme. Këtu në Kosovë derdhen shuma relativisht të mëdha parash nga mërgata kosovare, prandaj është gjithashtu me interes për të parë se çfarë po ndodh, cilat raporte duhet ndërtuar, si duhet investuar paratë, ku janë mundësitë për investime etj., pra ne dëshirojmë që ta shohim gjithë këtë spektër të laryshisë së këtyre marrëdhënieve.

albinfo.ch: A mund të shpresojnë kosovarët që ju t´i ndihmoni edhe më tutje?

Walter Leimgruber: Më duhet të them se ky komision nuk ka para për të financuar drejtpërdrejt, porse komisioni ka një detyrë të rëndësishme e cila qëndron në fushën e informimit. Mendoj që kjo shpjegohet kështu: sa më shumë ne dimë, sa më mirë që ne ta kuptojmë situatën, po ashtu sa më mirë t´i kuptojmë problemet që shfaqen në marrëdhëniet mes dy shteteve lidhur me migracionin, aq më fort do të vërehen këto marrëdhënie dhe do të jenë pjesë e politikës dhe masave në Zvicër.

Eco Higjiena

albinfo.ch: Më konkretisht, çfarë do të bëni këto ditë në Kosovë?

Walter Leimgruber: Ne jemi këtu që t´i shohim projektet konkrete. Tashmë ka një dialog në fushë të migracionit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, kështu që gjatë ditëve në vijim ne do të vizitojmë projekte të ndryshme dhe, natyrisht, pastaj do të raportojmë se si funksionojnë, ose të shohim se ku ka mundësi më të mira për angazhimin tonë.

albinfo.ch: Ju patët një takim me drejtuesit e DEZA-s në Kosovë. Cilat janë përshtypjet e para?

Walter Leimgruber: Gjatë prezantimit të sotëm ne dëgjuam se ka projekte që janë interesante për të dyja palët, pra jo vetëm ato projekte ku Zvicra ka interes, por edhe qeveria dhe populli i Kosovës. Nëse ne i shohim këto çështje, këto probleme, mendoj që në një vend a tjetër mund të kontribuojmë që gjendja të përmirësohet.

albinfo.ch: Nga prezantimi i sotëm i projekteve a mund ta veçoni ndonjë dhe nga cila fushë e projekteve?

Walter Leimgruber: Fillimisht isha i impresionuar nga laryshia e fushave në të cilat vepron DEZA. Sidomos më bëjnë përshtypje projektet me minoritetet, me romët. Këto janë projekte shumë të vështira dhe të komplikuara për të cilat duhet shumë punë, shumë durim për të arritur diçka dhe mendoj që është me rëndësi që jemi këtu për ta ndihmuar përmirësimin e kësaj situate të vështirë.

Pastaj më kanë bërë përshtypje gjërat, për të cilat fillimisht kam menduar se çfarë kanë të bëjnë me migracionin, si p.sh. që Zvicra të ndihmojë në fushën e psikologjisë dhe psikiatrisë klinike në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë, ngase këtu ka mangësi dhe se vërehet që pikërisht njerëzit në situata të migracionit po ashtu shpesh kanë probleme në fushën e psikiatrisë. Në fillim njeriu nuk mendon për këtë, por kur vërehet se sa e brishtë është infrastruktura, atëherë mendoj që kjo është një fushë ku mund të angazhohemi, sepse ne zviceranët kemi njohuri përkatëse për të ndërtuar një fushë, për të cilën nuk mund të thuhet se nuk ka ekzistuar këtu, por që duhet punuar me pak njerëz dhe se, siç kam degjuar, është fare e qartë se ekziston një nevojë e madhe.

albinfo.ch: Sa është i rëndësishëm bashkëpunimi mes dy shteteve në fushën e migracionit?

Walter Leimgruber: Mendoj që kjo formë e bashkëpunimit për çështje të migracionit, e cila me shumë shtete ende nuk ekziston, të shkëmbehet rregullisht mes këtyre dy qeverive. Pra është shumë me rëndësi, sepse në parim qeveritë nuk bisedojnë mesveti, por Zvicra mendon se ka probleme me migracionin në Zvicër gjë që unë mendoj se kjo do të shërbente si shembull edhe për vende të tjera. Migracioni prek shumë shtete, shumë grupe popujsh, jo vetëm atje ku njerëzit përfundimisht shkojnë dhe unë mendoj që kjo formë e dialogut duhet të intensifikohet dhe të ndërtohet.