Fundamenti

Legjitimohen vendimet e gjykatave paralele!

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Të gjitha vendimet që i kanë marrë gjykatat paralele në veri të vendit, mund të legjitimohen gjatë implementimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, komisioni kosovar për zbatimin e marrëveshjes ka marrë “ofertë” nga bashkësia ndërkombëtare që të pranohen të gjitha vendimet që janë marrë për më shumë se trembëdhjetë vjet nga gjyqësori në veri, shkruan “Zëri”.

Burime të afërta me delegacionin kosovar i cili po qëndron në Bruksel i kanë thënë “Zërit” se bashkësia ndërkombëtare ua ka “servuar” propozimin, dhe se është duke pritur se si do të sillet pala kosovare, përkatësisht nëse do ta pranojë ose jo atë.

“Na kanë ofruar që t’i pranojmë të gjitha vendimet e gjykatës paralele në veri, çdo lloj vendimi. Thjesht po na i imponojnë që të gjithë kriminelët t’i pranojmë me ato dënime që i kanë marrë, ose edhe kur janë shpallur të pafajshëm”, ka thënë burimi.

Në marrëveshjen e arritur në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, është paraparë që Gjykata e Apelit në Prishtinë ta krijojë një “degë” të saj në veri.

Mobi Casa

“Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel, ku shumica e gjykatësve do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në pikën 10 të marrëveshjes së arritur më 19 prill të këtij viti.

Mirëpo, anëtarët e partive opozitare dhe njohësit e drejtësisë thonë se nëse pala kosovare e bënë një lëshim të tillë, atëherë Kosova do të “zhytet” në probleme të reja që kanë të bëjnë me vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.

Avokati Korab Sejdiu thotë se duke i pranuar të gjitha vendimet e gjykatës paralele në veri, institucionet e Kosovës do të veprojnë kundër shtetësisë së Kosovës, ngase, siç thotë ai, gjykatat paralele në veri kanë funksionuar tërësisht mbi një bazë ligjore që nuk ka qenë e Kosovës, por e Serbisë.

“Disa raste, veçanërisht në këto që kanë të bëjnë me krime të luftës, me krime që janë bërë ndaj qytetarëve të Kosovës besoj që duke e pasur parasysh qasjen që e kanë pasur gjykatat e veriut karshi shqiptarëve, institucioneve të Kosovës, natyrisht që do të jenë të dëmshme për Kosovën, sepse, janë vendime që janë vendosur në baza etnike jo në baza të krimit”, thotë ai.

Sejdiu thekson se në momentin që pala kosovare e merr përsipër që vendimet e gjykatave në veri të bëhen pjesë e gjyqësorit të vendit, atëherë të gjitha vendimet janë të plota, ndërsa, siç thotë ai, më e keqja është se disa prej vendimeve janë marrë në mungesë të palës shqiptare, mundësia e ankesës ka kaluar, ndërsa gjyqësori është i detyruar ta zbatojë vendimin ndaj shqiptarëve që është i padrejtë. /Telegrafi/