Legjitimiteti i bisedimeve!

Nga Flamur Hyseni – Qeveria serbe me miratimin në Kuvend të Rezolutës për bisedimet me Kosovën bëri edhe një hap provokues të radhës, që pritej ta bënte, së pari, arriti ta bëjë një farë unifikimi të faktorit politik në Beograd, se përmes kësaj rezolute bënë të vazhdohen bisedimet se tani po krijojmë një legjitimitet, dhe së dyti ta bindë BE-në dhe faktorin ndërkombëtar që tani është edhe më e interesuar që bisedimet të zhvillohen më seriozisht për arsye se është miratuar rezoluta në Kuvend, por kjo po bëhet për interesa shtetërore serbe për të mos ngecë progresi i integrimeve evropiane.
Shikuar në aspekt formal të fillimit dhe zhvillimit të bisedimeve, shteti serb po tenton të tërheqë vëmendjen e opinionit, që tani pala serbe është bërë më serioze dhe legjitime në pjesëmarrje të bisedimeve politike Serbi – Kosovë. Edhe pasi ka miratuar të ashtuquajturën rezolutë për bisedimet me Kosovën, qeveria serbe në këtë fazë të bisedimeve prapë dëshiron të ofrojë BE-së një alternativë të zgjidhjes për Kosovën duke ofruar autonomi për komunat e veriut të Kosovës dhe me këtë dëshmon prapë një joseriozitet në këtë proces të bisedimeve. Këtë po e bënë prapë në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe po tenton të krijon një praktikë të rrezikshme në rajon, të cilën herdo kur mund ta shfrytëzojë për destabilizim të rajonit.
Dinamizimi i procesit për të ofruar “zgjidhje të njëpasnjëshme” dhe tentimi që atyre zgjidhjeve tua gjejë emërtimin konformë interesave politike serbe edhe njëherë shteti serb po tenton që krahas interesave të ti integruese të bëjë edhe një hap drejt zgjidhjes së problemeve në veri të Kosovës, por këtë po e bënë më tepër për interesa politike shtetërore dhe stabilitet politik të brendshëm. Në këtë aspekt gjithnjë po vazhdon duke ofruar “argumente të vjetruara”, si p.sh. duke u thirrur në rezolutën e KS të OKB 1244/99 dhe Kushtetutën e saj e cila nuk e ka asnjë efekt faktik e juridik në territorin e Kosovës.
Hapja e shumë “fronteve” nga pala serbe në raport me Kosovën nuk paraqet ndonjë risi, sepse kjo është taktikë tipike e shtetit serb për ta provokuar BE-në dhe pjesën tjetër të faktorit ndërkombëtar duke u paraqitë si shumë e interesuar për tu dhënë zgjidhje çështjeve të krijuara në raport me Kosovën. Kjo është edhe një përsëritje e asaj që jemi mësuar të shohim ne dhe bota më herët nga Jeremiqi, i cili kishte tri paraqitje për të njëjtën çështje, duke fol ndryshe në Beograd, ndryshe në Bruksel dhe ndryshe në OKB.
Në rundin e radhës të bisedimeve më 17 janar, qeveria serb dëshiron të krijojë rrethana tjera duke u paraqitur në këto bisedime kinse me propozim konkret, dhe me një dokument formal, rezolutën për Kosovën, ku menjëfarë forme edhe e devijon qëllimin e bisedimeve, sepse paraqitja me këtë rezolutë shkon përtej qëllimit të zhvillimit të bisedimeve të cilat po ndërmjetësohen nga BE-ja.
BE-ja tani ka shansin t`ia tërheqë vërejtjen seriozisht palës serbe në bisedime, se nuk mund të propozojë platforma dhe rezoluta të cilat cenojnë subjektivitetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, sepse nga propozime të tilla nuk po kemi trajtim të njëjtë dhe barabasi të palëve në bisedime. Pala kosovare deri më tani nuk ka bërë asnjë propozim që cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të shtetit serb, por as në kundërshtim me agjendën e bisedimeve të ofruar nga BE-ja .
Mos serioziteti i palës serbe në këtë fazë të bisedimeve po vërehet edhe me hapjen e një çështjeje tjetër, atë të kërcënimit nga qeveria serbe për shqiptarët e Preshevës se duhet ta tërheqin “Lapidarin e dëshmorëve”, i cili po merr përmasat e një provokimi të rëndë ndaj shqiptarëve të asaj pjese dhe shqiptarëve kudo që janë. Nga vet fakti i hapjes së kësaj çështje tani, tregon se kjo më tepër po bëhet që të zhvendoset vëmendja e faktorit politik serb brenda Serbisë në raport me bisedimet me Kosovën dhe është një lloj plotësimi i dëshirave të nacionalizmit serb i cili ende është i theksuar në politikën serbe.
Bisedimet Serbi – Kosovë nuk mund të zgjasin shumë, këtë e dinë pala serbe dhe ajo tani është shumë afër finalizimit të rrugës së saj evropiane, por që po i kushtëzohet me rregullimin e raporteve me Kosovën, të cilën veprim duhet ta bëjë patjetër ose do të mbetet mbrapa në procesin e integrimeve evropiane për të cilat tanimë ka shfaqur interesim konkret.
Mos pranimi me kohë nga shteti serb i Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të propozuar nga Presidenti Ahtisari në mars 2007, ka sjellë pasoja serioze në politikën serbe, sepse tanimë është momenti kur duhet pranuar krijimin e rrethanave të reja në Kosovë dhe njohjen e shtetit të Kosovës, por që po i shmanget me çdo kusht anës formale – klasike të njohjes dhe po ofron zgjidhje krejtësisht të paarritshme dhe të parealizueshme, si për palën kosovare ashtu edhe faktorin ndërkombëtar i cili po e mbështetë dhe përcjellë me interesim të lartë procesin e bisedimeve Serbi – Kosovë.
Zhvillimi i procesit të bisedimeve në këtë fazë dhe dy tentimet e palës serbe duke ofruar për një kohë të shkurtër platformën dhe rezolutën për Kosovën të miratuar në Kuvend, janë mjaft sfiduese për BE-në si ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve. Paraqitja dhe pritja e BE-së me kaq “ftohtësi” të këtyre propozimeve të palës serbe, lë shumë për të kuptuar se mos po ekziston mundësia e modifikimit të këtyre dy propozimeve, platformës dhe rezolutës, dhe po i imponohen palës kosovare si kompromis i domosdoshëm me arsyetimin se mbyllja e suksesshme e bisedimeve nënkupton edhe pranimin e diçkaje që ofrohet nga pala tjetër, në këtë rast nga pala serbe.
Në këtë aspekt, pala kosovare duhet me çdo kusht të kërkojë nga BE-ja që ta detyrojë palën serbe të bashkëpunojë në shuarjen e strukturave kriminale – ilegale në veri të Kosovës, dhe të mos e pengojë procesin e krijimit të Komunës veriore të Mitrovicës që ka bazën në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Presidentit Ahtisari. Kjo është “zgjidhja speciale” të cilën faktori ndërkombëtar ofroi në mars 2007, pala kosovare e pranoi, por pala serbe nuk e pranoi, e që tani po kërkon një zgjidhje tjetër më të avancuar duke e emërtuar si “autonomi të zgjeruar”, që në fakt është zgjidhje jo reale dhe e papranueshme për palën kosovare.
Diçka të ngjashme ofronte edhe në konferencën e Rambujes më 1999, por për Kosovën si tërësi në kuadër të Serbisë, tani po ofron të njëjtën por për veriun e Kosovës në kuadër të Kosovës, ndërsa në anën tjetër prapë deklarohet se nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ky është edhe një fakt se sa joserioze është pala serbe në zhvillimin e këtyre bisedimeve, si në pjesëmarrje në bazë të agjendës së BE-së, ashtu edhe kur propozon kinse zgjidhje për çështjet e pazgjidhura me Kosovën.
Dekonstruktiviteti dhe joserioziteti i palës serbe nuk paraqet risi, por nuk duhet injoruar tërësisht, se mund të ketë përkrahje të BE-së, në modelin e modifikimit të propozimeve të paraqitura duke e pyetur (imponuar) edhe palën kosovare se çfarë mund të pranojë nga këto propozime, platforma dhe rezoluta.
(Autori është asistent në Katedrën e shkencave kushtetuese – administrative dhe kandidat për doktoratë në të drejtën kushtetuese dhe administrative në Fakultetin Juridik të UP-ës)