ARKATANA

Legjislatura aktuale, më e dobëta në historinë e Kosovës

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Seancat dështojnë njëra pas tjetrës

“Janë me vend vlerësimet edhe të qytetarëve tanë që me të drejtë po thonë se kjo legjislaturë e tashme është njëra nga legjislaturat më të dobëta të Kuvendit të Kosovës që ka qenë pas lufte. Andaj, e them me përgjegjësi se shpëtimi i vendit do të ishte largimi i tyre, përkatësisht do të ishin zgjedhjet e reja nacionale”, thotë deputeti Salih Salihu për “Kosova Sot”

Analistë politikë, deputetë të opozitës dhe qytetarët vlerësojnë se përbërja e tashme e Kuvendit të Kosovës është në shkallën më të ulët. Deputetët paguhen majmë, por seancat po dështojnë për fajin e tyre. Sipas opozitarëve, analistëve dhe qytetarëve, kryefajtori është Kadri Veseli, që po lejon të ndodhë degradimi i Kuvendit të Kosovës.

Analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka humbur funksionalitetin, meqë koalicioni qeverisës nuk ka shumicë parlamentare për të pas kuorum, prandaj nuk mund të mbahen seancat plenare. “Fajin nuk e ka vetëm Kadri Veseli dhe parlamentarët, por fajin më të madh e kanë votuesit që i kanë votuar e legjitimuar këta plangëprishës, që nuk po mund të sigurojnë as funksionimin normal, por po sundojnë pa qenë legjitimë. Tashmë vetëm zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e mundshme, edhe pse nuk kemi parti që meritojnë të qeverisin dhe që janë në gjendje të krijojnë koalicion funksional qeverisës”, potencoi ai.

Pagat e mëdha, puna skandaloze

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot “ , thotë se nuk e ka asnjë dyshim se sa u përket cilësisë intelektuale dhe përgjegjësisë së tyre në punë, përbërja e tashme e Kuvendit të Kosovës është shumë e papërgjegjshme dhe njëra nga përbërjet e pasluftës që është thuajse në shkallën më të ulët të degradimit.

“Ndonëse deputetet kanë pagat ndër më të mëdhatë në Kosovë, ata po dështojnë me punën dhe është për t’u habitur se që nga nisma e punës së kësaj përbërje seancat e Kuvendit po dështojnë gati një pas një”, theksoi ai.

“Veprimet e kësaj përbërjeje po e dëshmojnë se kemi të bëjmë me një përbërje të papërgjegjshme të deputetëve. Këtë e dëshmoi edhe ditën e martë kur dështoi që të mbahet seanca e jashtëzakonshme, ku ishin vetëm 12 deputetë”, vlerësoi Salihu. “Një pjesë të madhe të fajit e mban edhe kryekuvendari Kadri Veseli, por edhe udhëheqësit e grupeve parlamentare të partive prezente në Kuvend, që po lejojnë që të ndodhë degradimi i Kuvendit të Kosovës. Andaj, në njëfarë mënyre lirshëm mund të themi se, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një arenë cirkusi të vërtetë që më shumë po i ngjan një skene të keqe humori”, potencoi Salihu.

Kuvend palaçosh

Njohësi i rrethanave politike në vendin tonë Ali Hertica, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës, që do të duhej të ishte në shërbim të popullit gjithmonë është shndërruar në arenë të gladiatorëve për drejtues të partive politike, pa përjashtim.

FIDANISHTJA

“Nuk ka përfaqësues politik aty, që nuk ka degraduar nga misioni i votës për të cilën edhe janë zgjedhur. Kurse Kuvendi i Republikës së Kosovës ka zbritur në një nivel palaçosh, të cilët e shfrytëzojnë foltoren e Kuvendit dhe hapësirën jashtë tij për egot e degraduara të individëve që e kanë kapur shtetin ose që e pretendojnë kapjen e tij edhe më shuma sesa e kanë kapur. Kapja e shtetit prej qeveritarëve është një fenomen i njohurdhe ky degradim i Kuvendit ndodh vetëm në Republikën e Kosovës”, vlerësoi Hertica.

Arenë e fyerjeve

Analisti Arsim Haziri thotë për gazetën “ Kosova Sot” se duke qenë papërgjegjësia e kuvendarëve në kulminacion, natyrisht se edhe performanca e niveli i dobët janë shumë prezente. “Defektin tjetër gjithsesi se e përbën edhe dështimi i seancave, çka reflekton njëherësh edhe për një mosgatishmëri të lartë në relacion me çështjet vitale.

Disa deputetë ose pjesa dërrmuese e tyre, përpos gjuhës dehumanizuese që e përdorin në diskutimet e brendshme, ata me rezultatin e dobët që dëshmojnë krijojnë përshtypjen se më shumë janë në Kuvend për disa interesa të ngushta sesa të qytetarëve. Kuvendi i Kosovës, mjerisht është shndërruar në arenë fyerjesh, konfliktesh si dhe hapësirë ku shprehet pasivizmi total, dhe mbretërimi i kësaj gjendjeje nuk i kontribuon avancimit të sektorëve shtetërorë”, ka thënë ai.

Qytetarët kërkojnë masa ndëshkuese

Edhe qytetarët e anketuar po thonë se përbërja e tashme e Kuvendit të Kosovës është në shkallën më të ulët të degradimit. Sipas tyre, kryekuvendari Kadri Veseli është fajtor për degradimin e Kuvendit të Kosovës. Qytetari nga Podujeva, Besim Llalloshi thotë për gazetën “ Kosova Sot” se nuk ka asnjë dyshim se kjo përbërje e tashme e Kuvendit të Kosovës është më e dobëta e pasluftës, kurse fajtor për këtë injorim dhe mospunë dhe mungesa nga mbledhjet e Kuvendit është kryekuvendari që po lejon sjellje të tillë të papërgjegjshme të deputetëve, veçanërisht atyre të partive të mëdha që janë në koalicionin qeverisës.

“Ky Kuvend nuk ka azhuritet e përgjegjësi, andaj mospuna e këtij Kuvendi bie mbi drejtuesit e tij. Por, nuk është vetëm faji i kryetarit të Kuvendit, por edhe i të gjitha partive politike”, u shpreh ai.

Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Shyqyri Nici, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se ky legjislacion është më i dobëti i pasluftës, sepse është Kuvendi që nuk mban seanca, nuk nxjerrin ligje nuk kanë disiplinë në punë. “E them troç, këta deputetë po i marrin rrogat së koti. Fajin më të madh e ka kryekuvendari Kadri Veseli, që nuk po merr masa ndaj këtyre deputetëve të papërgjegjshëm, madje edhe duke i përjashtuar nëse nuk marrin pjesë tri- katër seanca”, u shpreh Nici.

(Kosova Sot)