UBT

LDK-Reagim i ulët i pushtetarëve

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – LDK-ja e Gjilanit, përkatësisht Komisioni për Kulturë, Rini e Sport, reagimin e pushtetarëve dhe të OJQ-ve rinore ndaj kritikave të këtij subjekti bërë në adresë të Drejtorisë për Kulturë Rinie Sport, në lidhje me kulturën dhe rininë, e kanë vlerësuar një reagim të ultë.

Reagimi i Selver Xhelilit dhe i këshillave rinore (OJQ) e ka nxitur komisionin për kulturë të LDK-së që të reagojë ndaj tyre. Në reagimin e komisionit të LDK-së të udhëhequr nga Nexhat Hajrullahu thuhet se “Reagimi jonë vjen për hir të opinionit dhe shprehim keqardhje për reagimin e Drejtorit të DKRS-së, i cili nuk është marrë fare me materien dhe faktet që ka nxjerrë Komisioni i kulturës së LDK-së. Ftojmë gazetarët që t`i vërtetojnë fotot e shtëpive të djegura të Kulturës në Zhegër dhe Bresalc, nëse mendojnë se nuk qëndrojnë, ose mund edhe të bëjnë sondazhe dhe anketa me artistët e të gjitha fushave dhe me të rinjtë e qytetit se sa ata janë të kënaqur me këtë qeverisje në përgjithësi dhe me këtë Drejtori në veçanti. Pra faktet flasin vet”, thuhet në reagimin e Komisionit për Kulturë, Rini e Sport të LDK-së.

Për LDK-në, reagimi i Drejtorit është shtrirë në rrafshin personal. “Fatkeqësia qëndron në faktin se ai nuk ka qenë në gjendje të thotë edhe vetëm një fjalë të vetme rreth atyre parregullsive që i kanë përcjellë këta dy sektorë shumë të rëndësishëm të jetës në Gjilan. Ne si Komision, por edhe qytetarët e kanë parë dhe e vlerësojnë punën dhe mospunën e çdo Drejtorie. Qëllimi i komisionit ka qenë i kundërt me vlerësimin e DKRS-së, ku nga ne është kërkuar forcimi i autoritetit dhe rolit të këtij institucioni, dhe nëse ai është i kënaqur me trajtimin e tij si zyrtar, opozitarët dhe qytetarët e Gjilanit kanë të drejtë ta vlerësojnë këtë”thuhet në reagim.

Më tutje në këtë reagim të LDK-së thuhet se të arriturat personale të Selver Xhelilit(drejtor në DKRS) e as të Nexhat Hajrullahut(LDK), sigurisht se nuk u interesojnë qytetarëve, dhe kjo është sferë personale. “Gjithashtu qytetarëve të Gjilanit nuk kemi çfarë tu biem në qafë me këso reagimesh, sikur ky të ishte një konflikt personal ndërmjet dy politikanëve të rinj të kësaj komune, por ata duhet ta dinë se ky konflikt nuk qëndron dhe ne mund të pimë kafe bashkë pa ndonjë problem, por nuk do të thotë se ne mund të kemi qëndrime dhe botëkuptime të njëjta”.

Mobi Casa

“Zyrtarët dhe pushtetarët duhet të ofrojnë fakte për punën e tyre dhe nuk duhet të lëshohen me deklarata të ulëta ndaj asnjë personaliteti të LDK-së, por shihet qartë se ata nuk po i durojnë kritikat në adresë të tyre. Reagimet e pushtetarëve vijnë me një vrazhdësi shumë të madhe ndaj kritikave, në vend që të stimulohen për punë më të madhe dhe rekomandimet që vijnë nga komisionet e LDK-së, t`i marrin si dashamirëse dhe si ide që janë për të mirën e qytetarëve. Por nga inatet personale dhe nga konkurrenca politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, qytetarët janë ata që humbin dhe pësojnë duke humbur në përkujdesje dhe shërbime. Kjo është për keqardhje dhe duhet të ndryshojë si qasje, dhe politikanët e rinj duhet të rezonojnë dhe të mësojnë nga gabimet e gjeneratave të vjetra. Reagimi i Drejtorit reflekton një reaksion në panik dhe pasiguri, por ne nuk do të ndalemi së vepruari në interes të qytetarëve duke ofruar alternativa dhe vizion të ri”, thuhet ndër tjerash në reagimin LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës është Parti moderne e cila e vlerëson çdo anëtar të saj, e aq më tepër brezin e ri të përgatitur në aspektin akademik. Pozita e Naxhat Hajrullahut në LDK nuk duhet t`i interesojë Selver Xhelilit, sepse ai ka me çfarë të merret. Zotëri Hajrullahu është një personalitet mjaft i respektuar në LDK dhe një nga kuadrot me perspektivë si në aspektin akademik ashtu edhe në atë politik.

Pozita e Nexhat Hajrullahut si kuadër dhe e shumë kuadrove të reja të diplomuara dhe të specializuara të komunës sonë është për brengosje dhe kjo vjen si rezultat i hakmarrjes së PDK-së ndaj kuadrove të dëshmuara dhe jo për shkak të LDK-së, sepse si politikë e PDK-së është punësimi i militantëve të saj dhe jo i profesionistëve. Ndikimet e qeverisë komunale në punësim dihen mirëfilli, sepse edhe për një punë të thjeshtë si rojtarë apo shërbëtorë duhet të pasur lidhje shumë të forta.

“Sa për pozitën e rinisë në komunën tonë dhe perspektivën e saj nuk ka nevojë për koment fare sepse shihet mirëfilli se kjo qeveri nuk e ka pasur rininë në fokus të interesimeve, as për punësim dhe as për krijimin e kushteve për avancim profesional, për zona rekreative dhe sportive apo me projekte për luftimin e dukurive devijante. Investimi për rininë dhe kulturën nga kjo qeveri është politika e saj nënshtruese ndaj këtyre kategorive, me synimin e vetëm që çmimi për blerje të votave në kohën e zgjedhjeve të bie sa më shumë dhe politika klienteliste të vazhdojë me qeverisjen e PDK-së edhe në të ardhmen.”, thuhet në fund të reagimit të Komisioni për Kulturë, Rini e Sport të LDK-së./rajonipress/