LDK postin e kryeministrit me bllokun, ose koalicion me PDK-në

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket seancës së 17 korrikut, zhvlerësimit të zgjedhjes së Isa Mustafës kryeparlamentar dhe përcaktimit se kujt i takon propozimi i kandidaturës për kryetar të Kuvendit, brenda partisë më të madhe opozitare, LDK, janë shfaqur mendime të ndryshme sa i përket ridizajnimit të marrëveshjes me AAK-në dhe Nisma-n.
Një burim i besueshëm i Indeksonline brenda kësaj partie, ka thënë se LDK-ja si partia më e madhe opozitare me 30 deputetë është në pozicion të vështirë në raport me strukturat e veta, pasi është e pakuptueshme të jetë pjesë e një marrëveshje politike pa asnjë pozicion udhëheqës në hierarkinë shtetërore.
“Për strukturën e LDK-së ka qenë shumë e vështirë të sakrifikojë duke marrë në udhëheqje Kuvendin, kur dihen kompetencat e parëndësishme të kryetarit, ndërsa tani kur edhe kjo pozitë është e pamundur të arrihet, është e paakceptueshme se si të ecet përpara. Në mbledhjen e kryesisë ne do të diskutojmë edhe për mundësinë që kryetari Mustafa të obligohet ta ridizajnojë marrëveshjen me AAK-në dhe Nisma-n, kurse LDK-së tani t’i jepet posti i kryeministrit, pasi jemi partia më e madhe me 30 deputetë. Përndryshe, strukturat e LDK-së do të jenë shumë të pakënaqur me secilën zgjidhje ndryshe”, ka thënë ky burim.
Po ashtu, brenda LDK-së ka zëra që, pas vendimit të Kushtetueses, ta rishikojë edhe mundësinë e koalicionit me PDK-në, në rast se AAK-ja dhe Nisma nuk pranojnë që Isa Mustafa ta udhëheqë Qeverinë.
“Në rast se kjo nuk ndodh dhe blloku është i vendosur si më 17 korrik të përpiqet ta imponojë jashtëligjshëm zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, atëherë është shumë e mundshme që një grup i madh i deputetëve të LDK-së të distancohet nga marrëveshja dhe të krijojë një grup të ri parlamentar, duke ruajtur në thelb origjinën dhe ideologjinë politike rugoviane – atë të respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, ka thënë ky burim.