UBT

LDK nuk mund t’i mbulojë marifetllëqet e veta me pallavra

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – LDK asnjëherë, po fatkeqësisht as edhe tash, nuk po e kupton një gjë – nuk mund t’i japë leksione një qeverie, ata që turpshëm kanë dështuar sa e kishin vet pushtetin thotë Shefik Surdulli.

Zyra e kryetarit përmes përgjegjësve për informim ka reaguar ndaj komunikatës së degës së LDK-së në Gjilan.

Shefik Surdulli zëdhënës i komunës ka thënë se ne nuk po flasim për bizneset mikro aso makroekonomike, sepse kryetari i komunës i tha publikisht vet ato që duhet thënë lidhur me këto. Por, LDK-ja, duke qenë në bisht të asaj që ka deklaruar kryetari, duhet ta sheh se komuna e Gjilanit, në saje të kësaj qeverisje të mire, ka pësuar një ndryshim radikal pothuajse në të gjitha fushat, krahasuar me periudhën që qeverisi ajo (LDK) me Gjilanin. Kah ta kthesh kokën, e sheh se Gjilani dhe gjilanasit e kanë lënë larg prapa atë periudhë të shkretë, pasojat e së cilës edhe sot po i bartë ky popull dhe ky qytet.

Surdulli tha se sot LDK mund të solidarizohet me të gjithë të pakënaqurit eventual, madje edhe me ndonjë prej bizneseve, pse jo. Tash e ka lehtë, sepse dikur, me përjashtim të ndonjërit prej bizneseve që aso kohe ishin “binjakëzuar” me udhëheqjen e atëhershme të Gjilanit, të tjerat biznese sorollateshin rrugëve e zyrave të komunës për ndonjë punë, por ata kurrë për shtatë vjet nuk ishin trajtuar si të këtij qyteti. E sot, “zëdhënësit” e LDK-së na kallxojnë përralla, për mikroekonominë, se si foli kryetari komunës për “peshkun e madh” apo të “voglin”, i kujt është Gjilani, e të tjera dokrra.

KKVITI

Sipas Surdullit Gjilani akoma është i traumatizuar nga sjelljet dhe veprimet e atij pushteti, për të cilin qytetarët tanë ruajnë kujtime të hidhura. Këtë e dinë edhe “llafazanët” e sotëm të LDK-së (ani se ndonjëri prej tyre i ri dhe me perspektivë, por jo në LDK), që po gjuajnë aty ku e patën vetë në dorë dhe kishin rastin për t’u treguar të mirë ne qeverisjen e tyre, siç po tregohen sot me llafe.

Qytetarët e Gjilanit nuk besojmë se do t’ua japin edhe një herë kënaqësinë këtyre dështakëve, për ta nëpërkëmbë edhe më mundin e djersën e tyre. Sepse, veç tjerash, qytetari I Gjilanit, gjithashtu i ka akoma të freskëta defiletë banditeske nëpër qytet, me xhipa të zi e me alarm e me alamet truprojash në përcjellje të “mbretit”, i cili nuk e dinte as vet ku do e zë nata e ku do ta qelë dita. Qytetari i Gjilanit, ka kohë që nuk i sheh më ato storie, vetëm në ëndërr n’ju “diftofshin”. Tash Kryetari i tyre, ecë edhe këmbë nëpër të gjitha rrugët e lagjet e qytetit, pa frikë e pa ndonjë “havale”, pa përcjellje e sigurim të veçantë. Ai takohet e përshëndetet ballëhapur me secilin. Pret e përcjell, në zyrën e tij, “vakt e pa vakt”, qytetarët e vet. Ai jo vetëm që i dëgjon hallet e tyre, por edhe i zgjidhë ato aq sa është e mundur, gjë që është risi tjetër kjo nga pushtetet e kaluara të LDK-së.

Karshi punëve të mira që bëjmë për qytetarët dhe qytetin tonë (dhe tuajin!), jemi edhe vetëkritik, aty ku vërtetë e shohim se ka ndonjë shmangie eventuale. Kjo e shton madhështinë e kësaj qeverisjeje dhe na bënë të ndjehemi mirë, sepse është krejt normale, është kulturë dhe edukatë e një pushteti që t’i shoh dhe të korrektojë të metat e veta.

Prandaj, LDK me asnjë deklaratë, sot e as nesër, nuk mund t’i mbulojë marifetllëqet që po u dalin sheshazi gjithandej Kosovës, kah ka shkelë këmbë e saj. E në Gjilan, u pa edhe me mbetjen e fundit të qeverisjes së LDK-së (në Spitalin Regjional të Gjilanit) se ne ç’gjendje e kishin katandisë qytetin ky soj qeveritaresh ka thënë në reagim Shefik Surdulli./rajonipress/