LDK: Nëse nuk shpërbehet Kuvendi, përkrahim mocionin e AAK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka bërë me dije Partisë Demokratike që të votojë pro shpërbërjes së Kuvendit, në të kundërtën, do ta përkrahin mocionin e mosbesimit. Këtë e ka konfirmuar deputeti i kësaj partie, Arben Gashi gjatë një intervistë në RTK.
Gashi ka treguar se i kanë ofruar PDK-së mundësinë e zgjedhjes, mes shpërbërjes së Kuvendit dhe mocionit të mosbesimit.
“Ka dy teknika , e para është që Kuvendi të shpërndaj vetveten me 2/3 e deputetëve e të gjithë deputetëve ose të përdoret teknika e mosbesimit ndaj Qeverisë. Ideja e shpërndarjes së Kuvendit ka qenë një ide e cila do të krijonte më shumë unitet për të mos radikalizuar qëndrimet e partive politike, dhe ky mos radikalizëm do të krijonte predispozita që të shkonim në zgjedhje ma të relaksuar dhe jo të ndarë në taborë. Mbi bazën e saj kemi vendos që t’i ofrojmë mundësi PDK-së të zgjedh nëse dëshiron ta shpërndaj Kuvendin dhe ti jap përkrahje shpërndarjes së kuvendit, dhe nëse jo, ne do të përdorim mocionin e mosbesimit, dhe duhet të shpërndahet Kuvendi”, tha Gashi.
Më tej, ai tha se lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka takuar partitë opozitare, dhe se të gjitha janë të vullnetit të njëjtë.
“Kryetari Mustafa ka pasur një raund të bisedimeve metë gjithë liderët e partive politike opozitare dhe po thuajse te të gjitha ekziston vullneti që duhet të shpërndahet sa më shpejt Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të lira dhe demokratike . Janë përmendur si data të mundshme: 25 maji, 1 qershori, 8 qershori dhe 15 qershori dhe flitet gjithsesi në pjesën e parë të vitit”, tha ai./Telegrafi/