LDK në Gjilan propozon rregullore për administratën dhe subvencionimin e shujtave për punëtorët
Gjilan – Anëtari i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e LDK-së, Sami Ahmeti, në seancën e fundit të Kuvendit ka paraqitur dy propozime që lidhen me organizimin e administratës komunale dhe kushtet e punës së të punësuarve.
Sipas Ahmetit, propozimi i parë ka të bëjë me Draft-Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Administratën Komunale, ndërsa propozimi i dytë parasheh subvencionimin e shujtave për të punësuarit në Komunën e Gjilanit.
Ahmeti ka deklaruar se të dy propozimet kanë marrë mbështetjen e këshilltarëve të LDK-së, si dhe të disa këshilltarëve nga subjektet e tjera politike, por, sipas tij, ato nuk janë mbështetur nga përfaqësuesit e pushtetit aktual dhe për këtë arsye nuk kanë kaluar.
“Ne do të vazhdojmë të propozojmë, të kërkojmë dhe të insistojmë për vendime që përmirësojnë organizimin e administratës dhe kushtet e punës së të punësuarve në Komunën e Gjilanit”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka thënë se përfaqësimi në Kuvend Komunal duhet të përkthehet në punë konkrete dhe iniciativa që, sipas tij, adresojnë nevojat e administratës dhe qytetarëve.
“Për ne, përfaqësimi në Kuvend nënkupton punë konkrete, propozime konkrete dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve”, ka shkruar Ahmeti në reagimin e tij./rajonipress/


