Fundamenti

LDK kërkon shkarkimin e Hatixhe Dakut

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Arben Mehmeti shef i grupit të LDK-së në një letër dërguar Qemajl Mustafës ka kërkuar nga ky i fundit që të shkarkohet nga pozita drejtoresha e departamentit të prokurimit Hatixhe Daku dhe zyrtarët që kanë qenë nënshkrues të vlerësimit dhe dhënies së tenderit të mirëmbajtjes dimërore të rrugëve si dhe të merren masa konformë shkeljes ligjore që kanë bërë sepse veprimi i kundërligjshëm tashmë është i konstatuar zyrtarisht, dhe se kjo shkelje është në vazhdën e disa shkeljeve tjera nga kjo zyre.

Arben Mehmeti shef i grupit të LDK-së sërish i ka shkruar letër Qemajl Mustafes ku kërkon sqarime shtesë rreth mirëmbajtjes dimërore të rrugëve. “Konformë kërkesës që kemi bërë më datë 11/12/2012, në adresë të tuajin dhe drejtoreshës së Prokurimit, në lidhje me mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, në lidhje me sqarimin mbi atë se cila është arsyeja që deri më tani nuk është bërë zgjidhja konformë nevojave të qytetarëve të komunës së Gjilanit, sepse tash më janë në gjendje jo të mirë rrugët e komunës dhe se në këtë mënyrë janë të rrezikuar në masë të madhe qytetarët e komunës së Gjilanit, posaçërisht nxënësit” thuhet në letrën e Mehmetit.

Sipas Mehmetit në këtë kontekst dëmtohen edhe veturat e këtyre qytetarëve për të cilat paguajnë taksa pikërisht për siguri dhe rrugë të mira, dhe për shkak të papërgjegjësisë së zyrtarëve tuaj në këtë aspekt të ushtrimit me kompetencë të këtyre detyrave jemi në një situatë të pavolitshme në këtë kohë të ftoftë dhe se qytetarët e komunës sonë nuk e meritojnë që të paguajnë çmim për shkak të interesave të tyre dhe mos ushtrimit adekuatë të përgjegjësive.

Mobi Casa

Mehmeti e ka rikujtuar Mustafën se tashmë ata e kanë verifikuar rastin.”Ne jemi në dijeni se problemi i mirëmbajtjes dimërore të rrugëve respektivisht mbetja e rrugëve të komunës së Gjilanit nën mëshirën e kohës ka edhe fajtorin dhe ajo është zyra e prokurimit të komunës së Gjilanit e cila me vetëdije ka shkelë ligjin mbi prokurimin publik më konkretisht nenin 7, 10 dhe 59 te LPP-se,dhe kjo shkelje është e konstatuar nga Organi i Shqyrtimit të Prokurimit Publik përmes vendimit të datës 06.12.2012 me numër PSH. Nr. 333/12” thotë Mehmeti.

“Prandaj ne si grup politik më i madh në kuvendë komunal kemi dy rekomandime; Që urgjentë të shikohet mundësia që të gjenden forma të mundshme dhe legale që rrugët e komunës sonë të jenë nën përkujdesje institucionale e kryesisht ato nëpër viset malore, dhe kërkojmë që të shkarkoni nga pozita drejtoreshën e departamentit të prokurimit dhe zyrtarët që kanë qenë nënshkrues të vlerësimit dhe dhënies së tenderit të mirëmbajtjes dimërore të rrugëve si dhe të merrni masa konformë shkeljes ligjore që kanë bërë sepse veprimi i kundërligjshëm tashmë është i konstatuar zyrtarisht, dhe se kjo shkelje është në vazhdën e disa shkeljeve tjera nga kjo zyre” përfundon letra e Mehmetit./rajonipress/