LDK ekspozon “produkte” bajate
Gjilan – Gjilani është shumë i vogël për t’u fsheh nga të bëmat e të pabërat e secilit prej nesh veç e veç e sidomos të qeveritarëve e partive që morën votën e popullit për ta drejtuar këtë vend thotë Shefik Surdulli.
Zëdhënësi i Komunës Shefik Surdulli ka reaguar ndaj deklaratave të Arben Mehmetit shef i LDK-së i cili me ironi kishte thënë se ndjehet i relaksuar që Komuna e Gjilanit i ka larë borxhet.
Surdulli ka thënë se “LDK-ja e Gjilanit dhe shefi i saj në Kuvendin e Komunës, Arben Mehmeti, ndjehen të relaksuar vetëm atëherë kur komuna e tyre, e udhëhequr nga PDK-ja me koalicionin qeverisës dhe Qemajl Mustafën kryetar, do të ishte zi e më keq, e zhytër në anarki e kaos, tamam ashtu si ishte para katër vjetëve nën “mbretërinë” e LDK-së”.
Kjo u pa se është kështu, prej atij momenti kur LDK “i ngjiti për flladi” ndërsa këtu nisi dhe u vendos një rend tjetër demokratik nga ai që qytetarët tanë, pameritueshëm, ishin mësuar me te rrafsh shtatë vjet.
Surdulli ka shtuar se Gjilani është shumë i vogël për t’u fsheh nga të bëmat e të pabërat e secilit prej nesh veç e veç e sidomos të qeveritarëve e partive që morën votën e popullit për ta drejtuar këtë vend.“Prandaj, LDK dhe lidershipi i saj, nuk mund të fshihen dot e as të lahen kurrsesi nga gjynahet që i bënë, sidomos pas lufte prej kur morën (si e morën!) pushtetin deri në 2007-ën”.
Surdulli e ka përkujtuar LDK se mund të kenë harruar ata,por jo edhe qytetari.”Qytetari nuk e harron dot atë epokë “të bujshme” të LDK-së pushtetare, e cila me asgjë nuk mund të krenohet. Një grumbull dosjesh akoma janë diku nëpër gjykata, për keqpërdorimet e abuzimet e pushtetarëve të atëhershëm të LDK-së.
Madje, edhe sot kemi një lajm të ri, të publikuar në një medium rajonal, për një aktakuzë të zyrtarizuar ndaj një menaxheri të LDK-së në njërin prej institucioneve vitale për rajonin e Gjilanit. E mos të flasim për shumë të tjera, me të cilat, mos sot, dikur ka për t’u marrë gjyqësia jonë. Ia lëmë asaj të merret me to, përderisa populli e ka thënë më në fund fjalën e vet, gjatë një serie të zgjedhjeve këtu në Gjilan, nga 2007 e këndej”ka thënë Surdulli.
Sipas Surdullit është në traditën e LDK-së, të qeshë e përqeshë dhe pastaj të fotografohet për panoramë, pikërisht pranë projekteve të po kësaj qeverie, që janë edhe si vepra të bukura artistike.”Transparenca e lartë e kësaj qeverie dhe e këtij Kuvendi, po ua mundëson “ekspertëve” të LDK-së opozitare të dalin sot para kamerave dhe me pompozitet, “me të gatshme” t’i ekspozojnë produktet e tyre bajate”.
Një ditë pazari, për shëndetësinë gjilanase, thanë e çnuk thanë. Ne me kompetencë sqaruam publikun duke u mbështetur në fakte dhe ia rikujtuam LDK-së se shëndetësia gjilanase ka ecë larg nga ajo që ishte më parë në kohën e tyre. Këto ditë, prapë thanë e çnuk thanë për shërbimet publike. Me kompetencë e sinqeritetin më të madh, me shifra e fakte ne i demantuam, se shërbimet publike për qytetarin e këtushëm, kanë shkuar larg, në cilësi e kilometra gjatësi, nga ato që atëherë nuk dukeshin fare.
Ndërkaq tash së fundi, shefi i grupit të LDK-së në Kuvendin e Komunës, Arben Mehmeti, iu drejtua me një letër (publike) menaxheres së departamentit të prokurimit, ku kishte shpreh “kënaqësinë” e tij dhe të partisë së tij, për borxhet e kryera të Komunës ndaj operatorëve ekonomik për punët e kryera. Letër kjo “me bisht”, në të cilën Mehmeti nuk arrin ta fsheh cinizmin e tij, ku në njërën anë e përgëzon komunën dhe në anën tjetër kërkon detalet për të gjitha punët e kryera dhe pagesat për secilin operator ekonomik, veç e veç, e të tjera.
Madje, Mehmeti, në zhargonin e tij të trashëguar politik, nuk e lë pa e përdorë edhe një lloj kërcënimi ndaj drejtoreshës së respektuar të Prokurimit,Hatixhe Daku, duke u munduar t’i jep asaj leksione për përgjegjësinë e fjalës publike, që ka ajo. Populli e thotë bukur një maksimë: “Veç i pabesi nuk të beson”!
Pra, edhe njëherë po e deklarojmë publikisht dhe ndjehemi krenar për këtë, se Komuna e Gjilanit këto ditë i ka mbyllë dhe i ka vënë pikë të gjitha borxheve ndaj operatorëve ekonomik për punët e kryera (sipas kontratës) te investimet kapitale.
Kjo është goditëse për LDK-në opozitare, por çfarë t’i bëjmë asaj, ne duhet të ecim me agjendën tonë të investimeve të reja për qytetarin tonë besnik.
Përgjigja jonë publike është kjo, ndërsa një tjetër përgjigje “në zarf” në adresë të parashtruesit të kërkesës, Mehmeti të LDK-së, sigurisht që, në afatin zyrtar, do ta jep drejtoresha e departamentit të Prokurimit ka thënë Surdulli./rajonipress/