KKVITI

LDK e pakënaqur me shërbimet publike

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Ramadan Ajvazi anëtar i komitetit për shërbime publike nga radhët e LDK-së thotë për rajonipress se pushtetarët nuk kanë asnjë arsyeje të krenohen se kanë ofruar shërbime të mira për vitin 2012. Përkundrazi viti 2012 ishte njëri nga vitet më të rënda për gjilanasit edhe në kuptimin e investimeve, por edhe në kuptimin e ofrimit të shërbimeve më të mira dhe rregullimin e infrastrukturës.

LDK në Gjilan ka një prizëm ndryshe sa i përket shërbimeve për qytetarët që kanë mundur të ofrojnë “mirë” e “keq” institucionet komunale.

Derisa drejtoria e shërbimeve publike e përfaqësuar nga Behar Mehmeti thotë se kanë ofruar shërbime të mira për qytetarët gjatë vitit 2012 kështu nuk mendon fare Ramadan Ajvazi nga LDK i cili edhe është anëtar i komitetit për shërbime publike.

Ajvazi tha për rajonipress se pushtetarët nuk kanë asnjë arsyeje të krenohen se kanë ofruar shërbime të mira për vitin 2012. “Përkundrazi viti 2012 ishte njëri nga vitet më të rënda për gjilanasit edhe në kuptimin e investimeve , por edhe në kuptimin e ofrimit të shërbimeve më të mira dhe rregullimin e infrastrukturës” mendon Ajvazi.

Mobi Casa

Ajvazi tha se edhe këto investime të pakta që janë bërë në qendër të qytetit më shumë kanë shkaktuar dëm e humbje për buxhetin e taksapaguesve sesa është fituar ndonjë dobi prej atyre investimeve. “Ndreq e prishë”, kështu është punuar tërë vitin 2012 shprehet ai.

Sipas Ajvazit nëse shikohet qendra e qytetit vërehet thjesht se sa dëmet janë bërë vetëm gjatë rregullimit të ndriçimit publik. “Janë dëmtuar trotuare, rrugë , është prerë asfalt dhe paramendojeni çka ndodhë më vonë. Aty ku ka pasur shtresa të mëdha asfalti janë zëvendësuar me ciment të thjeshtë. Ne si LDK jemi të shqetësuar me këtë papërgjegjësi totale të pushtetit komunal ndaj parasë së qytetarëve të Gjilanit”.

Megjithatë Ajvazi thotë se për vitin 2013 institucionet komunale duhet ë orientohen më shumë në investime domethënëse dhe që janë projekte të vlefshme. “Viti 2013 duhet ta gjejë Gjilanin me kanalizim të rregulluar fekal dhe atmosferik. E dimë që ky është një projekt i kushtueshëm , por duhet të fillohet dhe me kusht që mos të shfrytëzohet për fushata zgjedhore”tha Ajvazi.

Ajvazi tha se lumi Mirusha duhet të përfundohet dhe mos të ketë telashe verën që na vjen. Ai thotë se qendra e qytetit dhe disa lagje të mëdha brenda në qytet ka kohë që nuk kanë përjetuar ndonjë investim serioz . “Qendra e qytetit nuk mund të punohet e rregullohet shkel e shko. Së pari duhet të bëhet një studim për të parë nevojat urgjente që ka ajo e tek pastaj të fillohet me ndonjë investim konkret” tha Ajvazi./rajonipress/