LDK e habitur me reagimin e pushtetarëve

Gjilan-LDK në Gjilan shpreh habinë për reagimin shumë të ulët dhe histerik nga ana e përfaqësuesve të pushtetit komunal, në vërejtjet shumë objektive përmbajtjesore dhe shumë të argumentuara nga përfaqësuesit e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Në reagimin e LDK-së thuhet se fjalori fyes, denigrues dhe i një niveli të pashembullt me mungesë edukate dhe kulture, nuk paraqet asgjë tjetër veçse shprehje të nervozizmit, humbjes së arsyes, sjelljes pa kontroll dhe fiaskos përpara qasjes shumë konstruktive, profesionale, të gjithanshme, me kulturë të lartë politike dhe demokratike në trajtimin e problematikës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
“Në rrethana të tjera, ku dija dhe kultura demokratike ekziston , rekomandimet e shtatorit 2011, të përsëritura edhe në dhjetor, së bashku me vërejtjet e fundit kishin me u marrë si qëllimmira dhe dobiprurëse, duke i analizuar me gjakëftohësi, trajtuar drejt dhe duke i shfrytëzuar me arsyeshmëri” thuhet në reagim.
Të nderuar të gjithëpushtetshëm, LDK në strukturën e vetë organizative ka edhe një Komision shumë profesional, kompetent dhe gjithëpërfshirës, i cili përcjell nga afër dhe me përkushtim gjendjen në Shëndetësi dhe në sferën Sociale dhe quhet Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Ne e dimë se ju e keni i vështirë ta kuptoni këtë sepse hapësira e veprimit dhe liria e të shprehurit të profesionistëve shëndetësorë brenda Partisë Tuaj është zvogëluar dhe stërkequr në zyrat e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Arsyetimet se “LDK kur ka qenë në pushtet nuk ka bërë asgjë” janë bërë bajate dhe ju ka dalë boja. Pa u thelluar në analizimin dhe krahasimin e rrethanave kur LDK ka qenë në pushtet me rrethanat e sotshme, po e theksojmë vetëm një fakt të thjeshtë. PDK nuk po mundet me i furnizua me ujë të pijshëm, rrymë dhe me i mirëmbajt objektet që LDK i ka ndërtuar krejtësisht të reja në kohën me mundësi shumë fish më të pakta buxhetore dhe kompetenca qeverisëse.
Të nderuar pushtetarë, a e keni testuar ndonjëherë ndërgjegjen tuaj, se si do të kishit reaguar në rrethanat në të cilat ndodhen kolegët tanë shumë herë, kur kanë përpara pacientin me dhimbje gjoksi e nuk mund t`i bëhet EKG, kur duhet ta ndalin një gjakderdhje apo ta qepin një plagë të vogël? .E kjo mund të ndodhë vetëm pesë minuta larg spitali, por edhe një orë larg tij!.
Të ndodhur para fakteve të pamohueshme po mundoheni që lojën ta luani në teren të huaj, ku as Ju nuk jeni përgjegjës e as KSHMS i LDK-së nuk e ka fushëveprimi, në Kujdesin sekondar. Po harroni si duket se Spitali menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë që bën politikat shëndetësore dhe kontrollon implementimin e tyre.
Sigurisht nuk ju konvenon të pranoni se Ju jeni Qeveria. Sigurisht më lehtë do ta kishit sikur të merreshit me kujdesin primar ku do të duhej të ishit përgjegjës dhe kompetentë.
Përkundër kësaj, po ju bëjmë me dije se politizimi i shëndetësisë ka marrë hov me ardhjen e juaj në pushtet, dhe aty ku keni pasur gjithë pushtetin. Ju mburreni se keni dy shefa në mjekësinë familjare nga radhët e LDK-së në krahasim me hiq më pak se katërmbëdhjetë nga radhët tuaja, pa numëruar pozitat më të ulëta menaxheriale.
A nuk i keni ditur se në Spitalin Rajonal është krejt e kundërta? .
Në këshillin drejtues të Spitalit vetëm Drejtori Ekzekutiv është i LDK-së, që pasohet me së paku dhjetë pozita të shefave dhe kryeshefave nga radhët e PDK-së. Ku i paska rrënjët politizimi?
Po mburreni se sa familje në varfëri të skajshme i keni ndihmuar dhe sa shtëpi keni ndërtuar. E para po manipuloni me vullnetin e mirë të donatorëve që nuk janë të asnjë partie e aq më pak të PDK-së, dhe e dyta në qeverisjen tuaj numri i atyre që po kërkojnë ndihmë sociale vetëm sa po vjen e po shtohet.
Ndonjë qytetarë edhe mund të i besoj fjalët e juaja. Por, nesër kur të ballafaqoheni me kolegët dhe të tjerët në shëndetësinë primare si do të ndiheni? Ata e dinë të vërtetën. Ata e dinë, por edhe Ju duhet ta pranoni se kush angazhohet për të mirën e të gjithëve pa marrë parasysh se kush menaxhon me institucione, për dallim nga Ju që jeni në gjendje me pengu dhe me sabotua.
Dhe për fund, paskemi gabuar shumë kolegë të nderuar kur kemi shpreh pakënaqësi se Ju që menaxhoni me DSHMS-në Jeni të zhveshur nga kompetencat dhe nuk keni buxhet të mjaftueshëm , sepse u pa se nuk ka pas kush të kërkojë dhe kujt me ju dhënë kompetencat dhe buxheti. Gardhi i drejtë”, që kurrë s`ishte i tillë shumë shpejtë do të rrëzohet sepse ju paskan kalbur edhe hujt më të mirë që ka pasur përfundon reagimi i LDK-së./rajonipress/