Fundamenti

LDK e Gjilanit e shqetësuar për injorimin ndaj mësimdhënësve të viteve 90-ta

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Komisioni i Arsimit i Degës së LDK-së në Gjilan, shpreh shqetësimin e thellë për mos aprovimin e rekomandimeve të grupit të kuvendarëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje me rëndësi, po edhe për faktin që ky propozim , jo vetëm që nuk kaloi nga shumica e deputetëve, po u injorua deri në përbuzje tha Nazmi Musa nga komisioni për arsim i LDK-së.

Zgjidhja e statusit të punëtorëve të arsimit shqip në Republikën e Kosovës dhe strukturave udhëheqëse të kësaj fushe për vitin shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 , është e domosdoshme.

Kështu është shprehur Nazmi Musa kryetar i komisionit për arsim në degën e LDK-së në Gjilan në një konferencë për medie këtë të shtunë.
Musa tha se edhe pushteti serb nuk e patë njohur sistemin paralel të arsimit në Kosovë për vitet 1990-1999.

“Moszgjidhja e statusit të mësimdhënësve dhe kuadrit udhëheqës të arsimit shqip në Kosovë për vitet 1990-1999 dhe kontributin e tyre për këto vite në edukimin dhe arsimimin e brezave të të rinjve tanë , është e njëjtë sikur të përkrahej politika represive dhe shtypëse e regjimit famëkeq të Sllobodan Millosheviqit” tha ai.

Komisioni i Arsimit i Degës së LDK-së në Gjilan, shpreh shqetësimin e thellë për mos aprovimin e rekomandimeve të grupit të kuvendarëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje me rëndësi, po edhe për faktin që ky propozim , jo vetëm që nuk kaloi nga shumica e deputetëve, po u injorua deri në përbuzje.

Musa tha se mësimdhënësit tanë në Kosovë , me përkushtim dhe vetëdije të lartë atdhedashurie dhe lirie, jo vetëm që edukuan dhe arsimuan të rinjtë tanë për ato vite të shenjta dhe krenarie, po nën dhunën dhe kërbaçin e policisë serbe, patrembur, përveç ngritjes se dijes, ngritën te të rinjtë ndjenjën e fuqishme patriotike për çlirimin e Kosovës.

Fundamenti

“Po, a nuk është ai brez i të rinjve tanë që dolën nga ato banka shkollore dhe, po ata të rinj që rrokën armët për çlirimin e Kosovës?. Lëvizja jonë kombëtare i ka rrënjët edhe përtej viteve 1990, por si organizim unik i popullit në Kosovë, rreth një programi të çartë dhe një vizioni largpamës, njihet pikërisht në këtë periudhë dhe forca mbështetëse e kësaj lëvizjeje ishin rinia shkollore, studentët , intelektualë të fushave të ndryshme, mësimdhënësit dhe pronarët e shtëpive – shkolla. Jam i sigurt, se një pjesë e deputetëve, që tani patën rastin që të japin kontributin për mirënjohje të vlerave e meritave të mësimdhënëseve dhe drejtuesve të arsimit shqip për ato vite , e që nuk e bënë, vetë kanë qenë studentë ose mësimdhënës në ato vite . Janë mësimdhënësit të cilët firmosën dokumentin e parë zyrtar me emrin Republika e Kosovës dhe të vulosur me vulë të shtetit” ka përkujtuar Musa.

Sipas Musës, veç atyre që iu ka ikur truri, nuk mbajnë mend vështirësitë dhe peripecitë e mësimdhënësve kur, guximshëm e patrembur, kundërshtonin politikën e egër serbe ndaj arsimit shqip,nuk pranonin që rinia jonë të arsimohej me planet dhe programet e Serbisë dhe nuk u bënë vegla të okupatorit serb.” Jo pa qëllim, pushteti serb institucionet e arsimit në Kosovë i quante ” çerdhe të nacionalizmit” dhe pamëshirshëm burgoste,rrihte e thërriste në biseda torture mësimdhënësit tanë. Sot pushteti aktual i shqiptarëve në Kosovë, Qeveria e Kosovës, disa kuvendarë, (që edhe pa marrë fare pjesë në ndonjë seancë të kuvendit marrin mëditjen 250 euro), e kanë degraduar arsimin në atë shkallë, sa për të ardhur keq. Duke vrapuar pas posteve, privilegjeve, formave korruptimi , arsimin nuk e kanë vënë asnjëherë prioritet zhvillimi. Për fat të keq, edhe kur është biseduar, është biseduar në përshkrim negativ, përbuzës, polemizues e fyes, siç ndodhi në mbledhjen e kuvendit të datës, 10.04 .2013” ka thënë Musa.

Nazmi Musa tha se ky mosinteresim i qeverisë aktuale ka bërë që sot në shkollat tona të ulët cilësia e mësimit, të krijohet anarkia, padisiplina, të shfaqen dukuri që asnjëherë nuk kanë ndodhur në arsimin tonë, moszbatimi i ligjeve , rregulloreve e deri te sulmet fizike të mësimdhënësve në vendet e tyre të punës.

“Sot DKA-të lejojnë jaranët e tyre, bashkëmendimtarët politikë, farefisnorë, familjarë , jo vetëm se pranohen pa konkurse në procesin mësimor, po edhe mbajnë kurse me nxënës të tyre, ani se ligji nuk i lejon, të mbajnë nga dy vende pune, sepse nuk mërziten për cilësinë e mësimdhënies, grumbullohen para nga prindërit e nxënësve për nevoja të shkollës, për t’u dukur si menaxherë i mirë të shkollave ku ata i drejtojnë” ka shtuar Musa etj.

Si nuk u shkoi mendja MASHT-it qeveritarëve, disa deputetëve, të pyesin për kushtet e punës dhe jetës së mësimdhënësve, për mundësinë e shpërblimit të tyre që në kushtet e okupimit serb të Kosovës mbajtën frymën e edukimit dhe arsimit? Si nuk pyetën asnjëherë për jetën dhe gjendjen e tyre sociale, që në mungesë të mjeteve materiale të mjaftueshme për jetesë, të punojnë edhe punë tjera,madje fizike ? Si nuk i vret ndërgjegjja që këtë kategori të shoqërisë ta përbuzin kaç pamëshirshëm?

Prandaj, Komisioni i Arsimit i Degës së LDK-së përkrah plotësisht rekomandimet dhe debatin e grupit kuvendarë të LDK-së, në mbledhjen e Kuvendit të mbajtur , më 10.04.2013 dhe këkron që të nxirret ligj i veçantë për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 e deri në vitin shkollor 1998/99 , në bazë të të cilit , statusi i tyre bazohet me statusin e personave të merituar në formimin dhe ndërtimin e shtetit të Republikës së Kosovës. Që ky ligj të përfshijë, mes tjerash, rregullimin e statusit të: mësimdhënësve, personelit udhëheqës dhe personelit tjetër të punësuar në shkolla dhe universitet, të punësuarit në sekretariatet, këshillat komunale të arsimit, entet pedagogjike komunale e republikane dhe në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, të punësuarit në Këshillat e Financimit, pronarëve të shtëpive-shkolla./rajonipress/