LDK: Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan u gjobit me 10 mijë e 500 euro, shqetësuese avaria e degradimi i sektorit të arsimit
Gjilan – Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka mbajtur sot konferencë për medie në selinë e LDK-së në Gjilan. Zëdhënësja e LDK-së, Gresa Avdiu, ka paraqitur shqetësimin e radhës, që kësaj here ka të bëjë me Drejtorinë e Arsimit në Gjilan.
Bëhet fjalë për një gjobë që i është shqiptuar DKA-së, që përveç se është rëndim për buxhetin e Komunës, është turp për qasjen që ky ekzekutiv ka në llogaridhënie dhe transparencë para qytetarëve dhe organeve kompetente.
Drejtorisë së Arsimit në Gjilan për:
1) Shkeljen e dispozitës të nenit 12 të Udhëzimit Administrativ Nr. 07/2012 për Përcaktimin e Gjobave dhe Shumave Konkrete për Shkelje të Dispozitave të Ligjit të Punës, për mosprezentim të dokumentacionit të kërkuar nga ana e Inspektorëve të Punës, i është shqiptuar gjobë prej 7,200 euro ( shtatë mijë e dyqind euro).
2) Shkeljen e nenit 22, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, i është shqiptuar gjobë prej 3,000.00 euro (tre mijë euro).
3) Për shkeljen e nenit 8, paragrafi 1 dhe 2 i Ligjit të Punës Nr. 03/L- 212, i është shqiptuar gjobë prej 300 euro (treqind euro).
Shumë shkolla kanë dështuar në tërësi të bëjnë prezantimin e dokumentacionit të kërkuar nga ana e inspektorëve të punës, shumë të tjera gjithashtu nuk kanë arritur të prezantojnë certifikatat shëndetësore për asnjë punëtor të arsimit, gjithashtu listën e pagave e procedurën e shpalljes se konkurseve dy vitet e fundit.
Në një institucion parashkollor, Drejtoria nuk ka bërë publik konkursin për pranimin e një punëtoreje, ndonëse kjo kërkohet me ligj, sepse punëdhënësi saherë pranon një punëmarrës, obligohet të shpallë konkurs dhe ta bëjë publik atë.
Drejtoria e Arsimit në Gjilan, për këto shkelje dhe papërgjegjësi, dënohet me 10,500.00 euro gjobë nga Inspektorati i Punës, gjobë të cilën duhet ta paguajë brenda 30 ditëve pas shqiptimit të saj.
Ky nuk është dënimi i parë për jo llogaridhënie që i drejtohet këtij ekzekutivi. Gjoba të tilla të larta prej mijëra eurosh ka marrë Komuna e Gjilanit edhe në fillim të mandatit.
Ky nuk është skandali i vetëm, sepse tashmë në çdo konkurs është vërtetuar nepotizmi i paparë e punësimi puro partiak.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan