LDK-AAK-NISMA: Nëse Flora Brovina nuk e thërret seancën, e bën koalicioni

Ish-Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi ka thënë se deputetja Flora Brovina nuk ka kompetenca për ta shtyrë seancën e Kuvendit. Sipas tij, 40 deputetë të Kuvendit kanë të drejtë ta thërrasin seancën pasi e kanë dhënë betimin. Ndërkaq Donika Kadaj- Bujupi ka thënë se koalicioni do të procedojë vet, nëse kryesuesja nuk e thërret shpejt seancën.
Jakup Krasniqi ka thënë se 40 deputetë tani e kanë dhënë betimin dhe e kanë të drejtën e tyre që ta thërrasin seancën e Kuvendit. Megjithatë, kushtetuesja ka dhënë një orientim tjetër që është një ndërhyrje në institucionin më të lartë të shtetit.
Blloku LDK-AAK-Nisma ka reaguar lidhur me deklaratat e deputetes më të vjetër të Kuvendit, Flora Brovina, e cila paralajmëroi se nuk do të thërrasë seancën pa një marrëveshje në mes të partive politike për rrjedhën e saj.
Përfaqësues të koalicionit Opozitar i kanë bërë thirrje Brovinës që mos ta bllokojë seancën, për ndryshe thonë se do të vetëmblidhen në seancë konstituive.
Jakup Krasniqi ka udhëhequr Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës së tretë dhe të katërt. Ai thotë se as kryetari nuk ka të drejtë ta thërras seancën, e lëre më një deputet.
Andaj, sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk do duhej t’ia linte ato kompetenca deputetes Flora Brovina, vetëm pse i takon udhëheqja e seancës në bazë të moshës.
Duke u referuar në mundësinë e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme nga presidentja, Qeveria ose 40 deputetë, ish kryeparlamentari Krasniqi thotë se megjithatë ka zgjidhje në rast të mos thirrjes së seancës nga Flora Brovina.
“Unë mendoj se 40 deputetë tani e kanë dhënë betimin dhe e kanë të drejtën e tyre që ta thërrasin seancën e Kuvendit. Unë kështu e mendoj. Megjithatë Gjykata Kushtetuese ka dhënë një orientim tjetër që është një ndërhyrje në institucionin më të lartë të shtetit dhe e ka prolonguar punën dhe është ndërhyrje flagrante në punën e Kuvendit”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.
Donika Kadaj-Bujupi në emër të bllokut LDK-AAK-Nisma i bën thirrje deputetes Brovina që brenda afatit sa më të shkurtë ta thërras seancën konstituive.
“Ne përsëri për të mos proceduar me veprime të tjera, kërkojmë që sa më shpejt kryesuesja ta thërras seancën, në të kundërtën, do të organizohemi, do të vetëmblidhemi dhe do të procedojmë, sepse ne nuk guxojmë të lejojmë që për shkak të qejfeve të PDK-së për të qëndruar në pushtet, të lejojmë që Kosova të shkojë drejt humnerës”, tha Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.