RCCOLA

LB: Veriu për Kosovën Lindore

/ 3 minuta lexim

Prishtinë- Lëvizja për Bashkim është për ndryshimin e kufijve. Sipas tyre, duke i dhënë tri komunat e pjesës veriore të Kosovës, Kosova duhet të marrë tri komunat e Kosovës Lindore.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku. ka thënë se në bisedimet e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, në asnjë mënyrë çështja e Kosovës Lindore të mos mbetet e pa trajtuar.

Këto komente Klinaku i ka bërë në një takim me delegacionin e Shoqatës “Vatra” , që përbëhej nga Sejdulla Kadriu, kryetar, Gani Shaqiri, anëtar i kryesisë, Ismet Tafili, anëtar i kryesisë dhe Pajtim Saiti, anëtar i kryesisë së rinisë i Shoqatës “Vatra”.

Tema të këtij takimi ishin bisedimet politike Kosovë-Serbi dhe çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore në këtë kuadër. Gjithashtu u diskutua edhe çështja e trajtimit jokorrekt nga ana e institucioneve të Kosovës të statusit të të zhvendosurve nga Kosova Lindore brenda kufijve të Republikës së Kosovës.

Fundamenti

Sipas Klinakut padrejtësisht kjo çështje është heshtur edhe nga institucionet tona, edhe nga institucionet ndërkombëtare, e edhe nga Serbia.

Klinaku ka thënë se çështja e tri komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan është e pashmangshme me tri komunat në Kosovën Lindore, prandaj edhe zgjidhjet duhet të gjenden në këtë situatë.

“Mendoj që kërkesa e popullsisë shqiptare Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë është e ligjshme, është e drejtë dhe duhet mbështetur. Mirëpo, gjithmonë duhet të ketë parasysh mjetet me të cilat kryhet ajo dhe rrethanat në cilat kryhet. Në rrethanat të cilat jemi është shumë e vërtetë se bashkësia ndërkombëtare dhe faktorët relevantë këtu nuk pranojnë ta mbështesin një kërkesë të tillë. Mirëpo, nëse ne flasim për një zgjidhje të veriut dhe ajo zgjidhje të bëhet domosdo në kuadër të Kosovës, një zgjidhje reciprociteti mund të bëhet edhe për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, e cila do të relaksonte raportet Kosovë-Serbi dhe e cila në mënyrë paqësore të lëvizin ata kufij pa një efekt tjetër anësor. Pra, të përdoren rrugët ndërmjetme të cilat qojnë deri të lëvizja paqësore e kufijve”, ka theksuar Klinaku.

Kreu i kësaj lëvizjeje thotë se shkëmbimi i territoreve si parim për Lëvizjen për Bashkim është krejt i papranueshëm. Sipas tij, shkëmbimi i territoreve është ai i cili bazohet në tokë, pasuri, pozitë gjeografike ose gjeostrategjike.
“Botëkuptimi i ynë bazohet në njerëz dhe në vullnet të tyre, prandaj nuk mund të flasësh për shkëmbim të territoreve. Flitet për drejtë të njerëzve për të vendosur vetë, do të thotë për vullnet të tyre. Është rastësi që po ndodh: janë tri komuna në veri dhe tri komuna këndej. Kjo është vetëm rastësi, këtu s’ka shkëmbim të territoreve, ka vullnet të njerëzve”, ka thënë ai.