LB: Thaçi e Haziri dëmtuan çështjen e Luginës

Lëvizja për Bashkim vlerësoi të hënën se politikanët e Kosovës po e përdorin çështjen e Kosovës Lindore vetëm për qëllime elektorale, ndërsa sipas kësaj lëvizje kryeministri Hashim Thaçi dhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri dëmtuan më së shumti çështjen e Luginës.
Sipas LB-së këtë e tregon fakti i kushtëzimit të kësaj çështjeje me formimin e komunës së re të Zhegrës apo edhe me votat për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Të premten, më 31.5.2013, në Kuvendin e Kosovës u debatua dhe nuk u arrit të votohet Rezolutë për Kosovën Lindore. Për ironi, para kuvendarëve dhe përfaqësuesve të Kosovës Lindore me mocion për këtë çështje u paraqit deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri dhe me “kundërmocion” (ndryshime kushtetuese) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi – dy njerëzit që më së tepërmi e dëmtuan çështjen e Kosovës Lindore”, thuhet në kumtesë.
Sipas tyre, Lutfi Haziri i udhëhoqi bisedimet Kosovë-Serbi më 2006, në Vjenë, ku u bisedua gjerë e gjatë për serbët e Kosovës, e nuk u tha asnjë fjalë për shqiptarët e Kosovës Lindore, pastaj si ministër i Pushtetit Lokal zbatoi decentralizimin, me anë të të cilit serbët e Kosovës “u diskriminuan pozitivisht”, ndërsa shqiptarët e Kosovës Lindore u harruan fare.
“Hashim Thaçi i udhëhoqi bisedimet në Rambuje, mori pjesë në bisedimet në Vjenë, po i udhëheq bisedimet e tashme në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në të gjitha këto ngjarje Kosova Lindore u përjashtua padrejtësisht, duke e dëmtuar kështu rëndë këtë çështje! Tani, këta dy njerëz, vetëm pas përmbylljes së proceseve që rezultuan me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, udhëheqës të të cilave ishin vetë, dalin me projektrezoluta e amendamente kushtetuese kinse në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore”, thuhet në komunikatën e LB-së. /Telegrafi/