Hidromorava

“Lavdi” humbësve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Dalja nga kriza institucionale, pas gjashtë muajve të kapsit, padyshim është vlerësuar si sihariqi më i mirë i fundvitit. Pa hyrë në histori dhe pa u marrë me premtimet galoponte për të ardhmen nga njerëzit e vjetër të institucioneve të reja, lëvizja prej njëtrajtshmërisë, konsiderohet pozitive për proceset në Kosovë.

Se a ka qenë i nevojshme ky lloj pelegrinazhi gjashtëmujor pa institucione, të gjithë e vlerësojnë se jo, ndërsa a ka qenë i nevojshëm ky provim për ta sprovuar lidershipin kosovar në çështjen substanciale kombëtare, natyrisht se po.

Brenda kësaj periudhe u pa se sa subjektivë janë përfaqësuesit e tanishëm të politikës shqiptare, të cilët për çështje personale, klanore e partiake, shkelin çdo parim.

Në “meselenë” për dalje nga kriza, m’u kujtua proverbi i atij shtegtarit që ka urinuar mbi qershia e më pas i ka ngrënë të gjitha me arsyetimin se asnjë se ka rrokur sh…a.

Duke u bazuar në atë që ka thënë politologu dhe filozofi Ukshin Hoti në “Filozofinë politike…”, politika është arti i të mundshmes, i relatives, por mbi të gjitha, siç ka thënë ai, është moral i politikanit.

Këtë mesazh nuk e ka pranuar ky soj i politikës së sotshme, i cili ka lozur me logjikën e kumarxhiut, se si t’ia “ngulë” tjetrit.

Por, në fund të gjithë që kanë luajtur në këtë bixhoz të koalicionit kanë dalë humbës, të “lagur”, me përjashtim Listën “Srpska”, e cila triumfoi mbi politikanët shqiptarë.

Pyetja shtrohet se pse të gjithë partitë politike dhe liderët shqiptarë dolën humbës? (Humbësit e Kosovës nuk i ngjajnë atij të Fatos Arapit).

E para është Partia Demokratike e Kosovës, e cila si fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, e humbi postin e kryeministrit, i humbi gjysmën e ministrive, ndërsa e margjinalizoi projektin e “Misionit të Ri”, duke pranuar t’i shkojnë mbrapa LDK-së.

FIDANISHTJA

E kjo e fundit edhe pse e ka fituar postin e kryeministrit dhe disa ministrive, prapë ka dalë humbëse në aspektin e moral dhe elektoral. Duke pranuar si “ai i qershive” të hyjë në koalicion me PDK-në, një parti të cilën e ka akuzuar për kapje të shtetit, LDK-ja ka krijuar dy lloj armiqsh: të jashtmit dhe të brendshmit.

Të jashtëm, janë partitë me të cilat ka lidhur koalicion paszgjedhor, AAK, “Vetëvendosje” dhe Nisma, me të cilat ishte “besatuar” për ta bërë “Qeverinë e shpresës” dhe armiqtë e brendshëm janë bashkëpartiakët e kryeministrit, Isa Mustafa, që nuk ia dhanë votën në ditën zgjedhjes. Pra, me të dy krahët kryeministri do të ketë telashe.

Edhe partitë që kanë mbetur në opozitë kanë dalë humbëse.

“Vetëvendosja” u “korit”, pasi pranoi që në të ashtuquajturin VLAN, t’i prijë bisedimeve me serbët. Kjo lëvizje harroi se në çdo semafor të Kosovës e ka shkuar “jo negociata-Vetëvendosje”. Pra edhe këta, pavarësisht që plumbi iu shkoi huq, dolën të lagur.

AAK-ja gjithashtu ka dalë humbëse, madje legjendare, pasi që nuk pranoi ta jepte postin e kryeministrit për të hyrë në Qeveri. Edhe pse nuk ka qenë shumë e sigurt nëse ish-Blloku do ta qeverisë vendin, prapë kjo ka qenë e paimagjinueshme që AAK-ja t’i thotë “Jo” kryeministrit.

Edhe Nisma ka dalë gjithashtu humbëse, edhe pse ka qenë parti më e vogël dhe me më pak ambicie.

E në gjithë këtë dramë, fituese doli “Lista Srpska”, e cila i realizoi qëllimet e saj dhe të Beogradit, duke lëshuar një rrjet të fuqishëm në Qeverinë e re. “Srpska” e instaloi politikën e Beogradit në Qeveri me një zëvendëskryeministër, dy ministra, gjashtë zëvendëskryeministra e po ashtu mori garanca për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për ndaljen e privatizimit nëpër enklava dhe për emërimin e disa zyrtarëve nëpër postet kyçe, AKI, Polici e FSK.

Pavarësisht perceptimit se Qeveria dirigjohet nga koalicioni i ashtuquajtur i madh me shumë numra, përfshirja e “Srpskas” tregon të kundërtën. Dhe si epilog, “sihariqi” që erdhi në fundvit, nxori një fitues dhe disa humbës. Ndërsa, humbësi legjendar është populli i Kosovës, i cili për gjashtë muaj humbi shpresën për një Kosovë ndryshe. Dikush duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë…