Fundamenti

Largohet nga Vetëvendosja edhe Festa Shabani

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nga sot, në Kuvendin Komunal të Gjilanit, do të vazhdoj si asambleiste e pavarur. Pas 6 viteve angazhim në Lëvizje, nuk do të jem më pjesë e strukturave të saj. Megjithatë, duke pasur shumë respekt për asambleistët tjerë të Lëvizjes në Gjilan, shpresoj se do të gjejmë hapësira bashkëpunimi për temat e përbashkëta në Kuvend ka shkruar Festa Shabani.

Reagimi i saj i plotë

Unë kam besuar se pavarësisht problemeve të fundit në VETËVENDOSJE!, do të mund të funksiononim si grup i përbashkët në Kuvendit Komunal të Gjilanit. Gjithmonë duke e pasur parasysh që asnjëri nga asambleistët nuk kemi qenë të përfshirë në atë problem, dhe se e kemi përballë të keqen e përbashkët – Lutfi Hazirin – të cilin duhet ta luftojmë politikisht bashkërisht. Votimi im i djeshëm në Kuvend Komunal, ndryshe nga grupi, ishte për interes të vetë artistëve, sportistëve dhe rinisë së Gjilanit.

Dihet botërisht që në momentin kur Lutfi Haziri e ka shuar drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Drejtorinë e Inspekcionit, e kemi kritikuar shumë si Lëvizje edhe nëpër konferenca për shtyp, dhe kemi kërkuar që ato drejtori të rikthehet sa më parë. Jo se me themelimin e tyre, do të zgjidhen problemet e artistëve dhe sportistëve, dhe do të rregullohej kaosi urbanistik në Gjilan, por që të paktën ta kemi adresë të saktë nga ku do të kërkojmë përgjegjësi për këto kategori dhe për këto probleme.

Uji Dea

Prandaj dje votova për propozimin që të rihapen drejtoritë e caktuara. Votimi kundër, për mua do të ishte hipokrizi. Po ashtu, votova edhe propozimin tonë si grup, që të hetohen keqpërdorimet e deritashme që janë bërë nëpër këto njësi, përderisa nuk kishte drejtori. Menjëherë pas seancës, filluan sharjet dhe ofendimet ndaj meje nëpër Facebook, nga aktivistë të ndryshëm të Lëvizjes, madje duke më quajtur edhe “shërbëtore të Lutës”, pavarësisht që vota ime nuk ishte vendimtare, por ishte votë me bindje në ato që i kemi thënë deri sot. Kjo është tepër e ultë, dhe nuk kam menduar ndonjëherë se do të ndodhë në Lëvizje. Aq më pak në Gjilan, në një qytet kaq të vogël, ku njihemi mirë mes vete dhe i dimë qëndrimet dhe historinë e njëri-tjetrit. Në një situatë të tillë, bashkë me atmosferën e krijuar pas problemeve që dikur ishin të brendshme, më bëhet i pamundur qëndrimi brenda grupit të njëjtë të asambleistëve.

Andaj nga sot, në Kuvendin Komunal të Gjilanit, do të vazhdoj si asambleiste e pavarur. Pas 6 viteve angazhim në Lëvizje, nuk do të jem më pjesë e strukturave të saj. Megjithatë, duke pasur shumë respekt për asambleistët tjerë të Lëvizjes në Gjilan, shpresoj se do të gjejmë hapësira bashkëpunimi për temat e përbashkëta në Kuvend.

Falënderoj qytetarët e Gjilanit për besimin e dhënë në tetor të vitit të kaluar, dhe zotohem se do të vazhdoj të ngris tema të interesit të përgjithshëm nëpër seancat e Kuvendit Komunal thuhet në reagimin e Festa Shabanit./rajonipress/