Fidanishtja

Larg planit

/ 5 minuta lexim

Dogana e Kosovës s’ka arritur ta përmbushë planin e paraparë nga Qeveria për vjeljen e të hyrave. Deri në qershor ky institucion nuk i ka grumbulluar as gjysmën e parave të planifikuara, derisa me plan është mbrapa përreth 24 milionë euro.

Zyrtarë të doganës thonë se janë në rregull me përformancën dhe shpresojnë që në pjesën e dytë të jenë më të suksesshëm.

Nuk po u del siç e kanë planifikuar në fillim të vitit. Arka e shtetit nuk është as afër të mbushet me para nga Doganat e Kosovës. Kjo e fundit gjatë gjysmës së parë të vitit asnjëherë nuk arriti ta tejkalojë pragun e përcaktuar nga Ministria e Financave për vitin 2012.

Në raportin gjashtëmujor të buxhetit shihet se deri në qershor ky institucion ka mbledhur 354 milionë euro, ndërsa është dashur t’i mbledhë plotë 378 milionë euro.

Kjo i bie se është mbrapa me afro 24 milionë euro në raport me planin, edhe pse në krahasim me vitin e kaluar ka një ngritje të të hyrave për rreth 2 milionë euro.

Fllanza Mezini, zyrtare për informim në Doganë, arsyeton këtë me faktorët natyrorë, por nuk pranon se nuk po ia dalin të realizojnë synimet e përcaktuara.

“Muajin korrik e kemi përfunduar me të hyra të grumbulluara në nivelin 99 për qind të asaj që ishte planifikuar. Planifikimi jonë mujor shpeshherë ndikohet nga faktorë tjerë qe nuk mund te kontrollohen, siç ishte moti shume i ftohet në dy muajt e parë te vitit, çka ndikoi në rënien e importit dhe të hyrave të grumbulluara në atë periudhe, por tani gjithçka është sipas planifikimeve tona”, thekson Mezini.

Megjithatë, ndikimi i dy muajve të parë të vitit në raportin e buxhetit shihet se ka qenë i vogël në punën e këtij institucioni, pasi as në muajt e tjerë të raportuar nuk është arritur të tejkalohet apo të barazohet plani.

Mezini nuk e sheh si ambicioz pragun e caktuar nga qeveria e as të paarritshëm krahasuar me vitet e kaluara.

Uji Dea

“Këtë vit planifikimi është për 5.8 për qind më i lartë se ai i vitit 2011, çka besojmë se mund të arrihet të realizohet apo së paku të arrijmë shumë afër realizimit të plotë”, pohon Mezini. Sipas saj, nuk ekziston asnjë administratë doganore në botë që nuk përballet me evazion fiskal deri në një masë të caktuar, por duke e luftuar atë, Mezini thotë se pala kosovare po punon në mbledhjen e të hyrave të parapara.

Situata të ngjashme me telashe për t’i përmbushur parashikimet.

Zyrtarët të institucionit më shpresëdhënës sa i përket fatit të buxhetit të Kosovës, thonë se për 13 vite sa ekziston ky institucion të hyrat në pjesën e dytë të vitit kanë performuar më mirë se në pjesën e parë të vitit.

“Shumicën e viteve, gjashtëmujorin e parë e kemi përfunduar në nivelin 41-43 për qind të planit vjetor dhe as ky vit nuk paraqet ndonjë përjashtim. Kjo, pasi në pjesën e dytë të vitit aktivitetet ekonomike janë më të fuqishme sesa në pjesën e parë. Ne besojmë të realizojmë në tërësi planifikimet apo së paku të arrijmë shumë afër realizimit të tyre”, thekson Mezini.

Nëse shikohen se nga çfarë ka mbledhur më shumë para dogana, sipas raportit të buxhetit, shihet se qytetarët më së shumti në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë paguar taksa në emër të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, gjithsejtë 180 milionë euro. Por, jo pak të hyra del se dogana i realizon nga akciza në kufi, 115.8 milionë euro. Ndërsa nëse llogaritet vetëm taksa doganore për mallrat e importuara, del se gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë mbledhur 51 milionë euro.

Për Qeverinë e Kosovës, dogana në krahasim me Administratën Tatimore të Kosovës shihet si institucion i privilegjuar në mbledhjen e taksave.

Edhe pse nuk po ecin sipas planit duket se zyrtarët e Ministrisë së Financave janë të kënaqur me nivelin e të hyrave të përgjithshme.

“Të hyrat gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, janë 649.76 milionë euro dhe paraqesin 42.3 për qind të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara dhe kjo paraqet një rritje prej 12 për qind, krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak”, thotë Menderes Ibra, këshilltar për media në këtë ministri.

Sipas tij, bazuar në këta parametra dhe trendin aktual të arkëtimit që në muajin korrik shkoi në 436.5 milionë euro, plani i të hyrave për vitin 2012 do të përmbushet.(express)