UBT

Lansohet skema e kompostimit në Komunën e Kamenicës

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Kamenicë – Komuna e Kamenicës, në bashkëpunim me organizatën “Center for Humanitarian Dialogue” (HD), ka mbajtur sesionin informues për lansimin e skemës së kompostimit. Ky projekt synon informimin e qytetarëve dhe palëve të interesit mbi përfitimet e kompostimit, prezantimin e hapave praktikë që duhet të ndjekin familjet dhe bizneset, si dhe trajnimin e stafit lokal për menaxhimin e kësaj skeme.

Në këtë sesion morën pjesë Nënkryetarja e Komunës, Arta Bajralija, Drejtori i Urbanizmit dhe Kadastrit, Uran Berisha, konsulentët Marin Baskin, Ardita Rizvanolli e Nesa Boshnjaku nga HD, trajneri Bekim Ermeni, si dhe fermerë, pronarë biznesesh e qytetarë.

Nënkryetarja Arta Bajralija, pasi falënderoi të pranishmit dhe organizatën HD për bashkëpunimin, theksoi rëndësinë mjedisore të kësaj nisme.

“Dua të theksoj bashkëpunimin tonë në kuadër të auditimit social për projektin e ndërtimit të qendrës për kompostim. Lansimi i kësaj skeme përfaqëson një hap konkret drejt një mjedisi më të pastër. Kjo iniciativë kërkon bashkëpunimin e të gjithëve: institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve,” u shpreh Bajralija.

Ndërsa konsulenti Marin Baskin, duke treguar për aktivitetet e organizatës HD, u shpreh i kënaqur me partneritetin me komunën.

Mobi Casa

“Jemi të lumtur që punojmë në Kamenicë për këtë qëllim të përbashkët dhe uroj që ky bashkëpunim të rezultojë me sukses”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, trajneri Bekim Ermeni prezantoi punën e bërë nga auditimi social me temë “Kompostimi në komunitet, vetëdijesimi i fermerëve në përdorimin e drejtë të plehrave dhe pesticideve”. Ai shpjegoi rëndësinë teknike të procesit.

“Komposti është lëndë organike e cila riciklohet si pleh dhe përmirësues toke, duke qenë qenësor për bujqësinë organike. Në versionin më të thjeshtë, kompostimi bëhet duke lënë mbeturinat organike në ambient të hapur për një vit apo më shumë,” tha Ermeni, duke vijuar me detaje mbi teknologjinë e kompostimit dhe përdorimin e tij në bujqësi.

Në fund të sesionit u shpërndanë materiale informuese dhe udhëzues praktikë për të gjithë të pranishmit./rajonipress/