Lamtumirë Kosovë!

E shtunë. Është ora 10:00 e mbrëmjes, ndërsa Stacioni i Autobusëve në Prishtinë është stërmbushur me udhëtarë, sikur të ishte mesi i ditës. Dy autobusë të kompanisë “Erhan”, e cila mban linjën e rregullt Prizren-Prishtinë- Beograd, nuk kishte vend për të gjithë ata udhëtarë që ia kishin mësyrë të shkojnë drejt kryeqytetit serb, të cilët kishin ndarë mendjen, që të dalin ilegalisht në Evropë.
Së pari u bëhej vendi grave më fëmijë dhe të moshuarve, ndërsa shumë të rinj rreth të tridhjetave qëndronin në këmbë. Një autobusi tjetër, që e kishte të njëjtin destinacion, i kishin mbetur edhe pak vende të lira për pasagjerë dhe posa arrin një grua me tre fëmijë, shoferi i mbyll dyert e autobusit dhe u thotë se nuk ka më vende të lira.
Fatmire D., 38 vjeç, kishte marrë me vete 3 fëmijë, më të voglin 1 dhe më të madhin 7 vjeç, ndërsa vetë tregon se është në muajin e tetë të shtatzënisë. Fiks dy javë më parë, nga dita që po niset me 3 fëmijë për të shkuar ilegalisht te vëllezërit në Gjermani, ajo e kishte varrosur bashkëshortin, Isa Hereqin, nga fshati Krelan i Gjakovës, i cili vdiq në Klinikën Infektive në Prishtinë, si pasojë e pickimit nga rriqrat, shkruan Zëri.
Bashkëshorti (Isa) kishte qenë burri i vetëm në familje, ndërsa vëllai i bashkëshortit nuk jeton në Kosovë dhe jetesa e Fatmirës në shtëpi u bë e pamundur, pa askënd që i siguron të ardhura për të mbajtur fëmijët e saj./Indeksonline/