Fundamenti

Lama: Të hetohet RTK-ja

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Në pjesën e deklarimeve jashtë rendit të ditës të deputetëve, në seancën e Kuvendit të Kosovës, të hënën deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama ka akuzuar menaxhmentin e RTK-së për keqpërdorime të shumta të buxhetit.

Sipas Lamës, në RTK janë bërë keqpërdorime të mëdha të parave. Ajo ka kërkuar krijimin e një komisioni hetimore për të mbikëqyrur financat në RTK.

“Në adresë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës ditë më parë kanë ardhur ankesa për keqpërdorim të shumave të mëdha të parasë publike, jo mijëra, por për miliona euro, për afera korruptive, keqpërdorime të shumta. Në krye të këtyre keqpërdorimeve gjendet televizioni i publik, RTK. Ky medium vetëm për seriale ka pagur shuma të mëdha të hollash, pa ndonjë konkurs të caktuar. Kjo e dëmton konkurrencën e vlerave. Menaxhmenti i RTK-së është zhytur në borxh në 2.7 milionë euro. Këto të dhëna nuk janë paraqitur në raportin e përvitshëm. Në këtë rast kemi të bëjmë me një deformim të një mediumi që si qëllim ka informimin e drejtë të opinion publik, duke filluar me njëanshmëri, politizim dhe propaganda”, tha Lama.

Ajo kërkoi që të themelohet një komision parlamentar hetimor, për të parë se si është menaxhuar buxheti në RTK.

“Këtu edhe gjykata dhe prokuroria duhet të merren më këtë çështje, dhe të mos ketë ndërhyre politike”, tha ajo.

Fadil Demaku, deputet nga PDK ka kritikuar procesin e regjistrimeve në universitetet e vendit. Sipas tij tash e sa vite ka një numër të madh të studentëve që regjistrohen dhe që nuk ka vende pune për ta.

Fundamenti

Sipas tij duhet bërë një studim i profileve, në mënyre që në të ardhmen të kemi një harmonizim dhe të mos mungojnë rezultatet.

“Për vite me radhë, disa universitete janë shndërruar në biznese, duke pranuar numër të madh të studentëve, duke pasur parasysh se nuk ka kërkesa për punë. Kosova ka pasuri të mëdha të pashfrytëzuar, andaj me një të një studim analitik për t’i mundësuar atyre për të gjetur punë, të rinjve, tregu i punës me anë të një studimi analitik, kërkon një harmonizim plotë, në mënyrë që në të ardhmen të kemi rezultat pozitive”, tha Demaku.

Kurse, Xhevahire Izmaku, nga PDK, ka kërkuar që simbolet shtetërore, si flamujt që stolisin rrugët e qyteteve gjatë festave dhe vizitave zyrtare, të mos ekspozohen të vjetër, por të jenë të rinj.

“Kërkoj që të largohet ekspozimi i flamujve të vjetër dhe të shqyer nga shiu, simbolet janë vlerë kombëtare dhe duhet të respektohen në mënyre të dinjitetshme”, tha Izmaku.

Ndërsa, Ganimete Musliu, po ashtu nga PDK-së, ka kërkuar që edhe nxënësit në rajonin e Preshevës, Medvexhës dhe Bujanovcit të mësojnë në Abetaren e përbashkët. Ajo gjithashtu ka kërkuar që Qeveria e Kosovë dhe Shqipërisë, të gjejnë zgjidhe që me këtë Abetare të mësojnë edhe nxënësit shqiptarë të këtij rajoni.

“Pas 100 vjet përpjeke u përurua, Abetarja e përbashkët Kosovë – Shqipëri, por kësaj iu zvogëlua vlera, pasi nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanovc dhe Medvexhë, nuk mësojnë nga kjo Abetare. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë që të gjejnë mënyrën që kjo Abetare të gjëjë zbatim edhe në këtë pjesë”, tha Musliu. /kosovapress/