Lagjet e qytetit kërkojnë prezencë më të shtuar të policisë në teren

Gjilan – Policia e Kosovës ka mbajtur takim me Këshillin Lokal për Siguri Publike të lagjes “Avdulla Presheva” në Gjilan.
Përveç anëtareve dhe udhëheqësve të KLSP-se, në ketë takim, kanë marrë pjesë edhe Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Alban Ramushi, dhe Udhëheqësi i Sektorit “Policia në Bashkësi” rreshtere Sadete Sadiku.
Në këtë takim, u diskutuan shume çështje që kanë të bëjnë me preokupimet dhe problemet e përditshme me të cilat ballafaqohet komuniteti në Lagjen “Avdulla Presheva” këtu në Gjilan, më pas u diskutua edhe gjendja e sigurisë, bashkëpunimi në mes banorëve, forumeve të sigurisë në relacion me Policinë e Kosovës, me theks të veçantë gjatë këtij sezoni veror.
Anëtarët e KLSP-së, falënderuan Policinë e Kosovës për përkrahje dhe bashkëpunim, ku u potencua se gjendja e sigurisë është e kënaqshme, duke kërkuar prezencë më të madhe dhe përkrahje.
Komandanti i Stacionit Major Alban Ramushi, prezantoj para të pranishmëve të arriturat policore për këtë periudhë të vitit, po ashtu prezantoj projektet rreth vetëdijësimit për parandalimin e zjarreve, sjelljet nëpër ahengje duke mos gjuajtur me armë, të “festohet me zemër e jo me armë” si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe Stacionit Policor, që çdo herë do të jetë përkrahë kërkesave të tyre.
Të gjithë të pranishmit u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin, duke pasur për bazë përmirësimin e kushteve jetësore.
Policia e Kosovës është e përkushtuar për krijimin i një ambienti të qetë e të sigurtë për banorët e Gjilanit thuhet në njoftimin e Ismet Hashanit./rajonipress/