Eko Higjiena

Labinot Haliti po jeton ëndrrën

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Sydney – Labinot Haliti asnjëherë nuk ka dashur të largohet nga Newcastle Jets. Refugjati i lindur në Kosovë ishte pjesë e shoqërisë. Aty kaloi katër vjet në dy periudha të ndryshme dhe luajti 69 ndeshje për Jetsat në kampionatin e Australisë në futboll. Çdo ndeshje e luajti me entuziazmin e një njeriu që vlerëson rastin e dytë në jetë.

Më pas 27-vjeçari iu bashkua Western Sydney Wanderers.

“Kjo është e mira e kësaj loje”, ka thënë Haliti.

“Newcastle ishte vend i mirë. Unë ende kam shokë atje dhe lidhje të afërt me qytetin. Por kjo këtu është diçka tjetër. Njerëzit e Sydneyt perëndimor kanë pasur nevojë për klub. Ju mund të shihni pasionin. Kanë kaluar vetëm tetë apo nëntë muaj nga themelimi dhe njerëzit tashmë veshin fanellat tona dhe të gjithë vijnë në ndeshje”.

Haliti është një nga gjashtë anëtarët e mëhershëm të Newcastles që luajnë për Western Sydneyn. Të gjithë pritet të aktivizohen kur Wanderers viziton Newcastlen të premten për të luajtur ndeshjen që shënon fundin e stinorit të parë të rregullt për këtë skuadër, që ishte tregim shumë i suksesshëm.

RCCOLA

Një pikë është e tëra që iu duhet vizitorëve për të siguruar pozitën e parë për serinë finale nga e cila del kampioni i ri. Jetsave iu duhen tri pikë për të mbajtur gjallë shpresat për plejof.

“Është ndeshje e madhe. Është ndeshje shumë e rëndësishme për Newcastlen. Ne do të përgatitemi si në çdo javë normale. Këtë e kemi bërë gjatë tërë vitit”, ka thënë Haliti.

Pas një periudhe prej tetë javësh të kaluara duke shikuar nga stoli, Haliti u bë figurë qendrore për Wanderersat. Paraqitja në shtatë ndeshje si startues e Halitit ka prodhuar pesë gola. Kulmi erdhi në ndeshjen kundër Melbourne Heart në kuadër të javës së 25-të, në të cilën Haliti shënoi dy gola në fitoren 3:1, që shënoi rekord të ri për fitore rresht.

“Të gjithë ishin gola të rëndësishëm. Nuk janë gola që u shënuan te rezultati 4:0 apo 5:0. Ishin gola që u shënuan në ndeshje të vështira, në ndeshje në udhëtim”, thotë Haliti.(koha)