La vita è bella, Kosovo è bella
Nga Adriatik Kelmendi – Kosovarët dhe rrjetet sociale ngjajnë në një sinonimi të qëlluar.Rrjetet sociale kanë shënuar boom-in e tyre, sidomos, këta 5 vjetët e fundit. Kosova ka 5 vjet që është bërë shtet. Kosova jonë na shfaqet e bukur çdo ditë.
Në fotot e publikuara nëpër rrjetet sociale, që ndihmohen nga filterët zbukurues. Gjithsesi se na mbetet t’i gjejmë edhe filterët në jetë, që me punë ta bëjmë Kosovën vërtet të bukur, e që ndoshta edhe ajo një ditë ta ketë boom-in e vet TË BUKURËN DUHET ta dëshmosh. Por, para se të arrihet te dëshmimi, duhet bërë disa punë të vockla, siç janë, p.sh. përpjekja për të bërë diçka të bukur.
E nganjëherë kjo përpjekje është aq e thjeshtë, e lehtë dhe zbavitëse. Mjafton ta bësh një fotografi. Dhe arti është aty.
Zaten, këtë e bëjnë plot të rinj e të reja, anembanë Kosovës.
Çdo ditë përpiqen me sinqeritet e pa hile që t’ua bëjnë vetes dhe të tjerëve jetën më të bukur dhe të thjeshtë, duke kapur me objektivët e tyre çastet e ndritshme të përditshmërisë.
Fati e do që Kosova të ketë 70 për qind të popullatës së saj nën moshën 30-vjeçare, me njohje të mahnitshme të gjuhëve të huaja dhe entuziastë të teknologjisë së re, gjë që e bën këtë një kombinim fitues.
Së këndejmi, Kosova jonë na shfaqet e bukur çdo ditë. Në fotot e publikuara nëpër rrjetet sociale.
KOSOVARËT DHE rrjetet sociale. Ngjan në një sinonimi bukur të qëlluar.
Rrjetet sociale kanë shënuar boom-in e tyre, sidomos, këto 5 vjetët e fundit.
Ide të qëlluara entuziastësh, në kohë të qëlluara. Tipa si Mark Zuckerberg (Facebook), Jack Dorsey (Twitter), Kevin Systrom dhe Mike Krieger (Instagram), të gjithë, pa përjashtim, kanë qenë nën moshën 30-vjeçare kur ia kanë dalë. Ëndrrat e tyre janë bërë realitet. Sot ata jo vetëm që janë bërë miliarderë, por kanë ndërruar përgjithmonë mënyrën e jetesës së planetit Tokë. Bota, sot, falë këtyre emrave, është bërë më e ndërlidhur se kurrë, njerëzit janë më të afërt se kurrë. Kurse, ata, janë pa asnjë dyshim idhujt e gjeneratës së mijëvjeçarit të ri.
Kosova, në anën tjetër, ka vetëm 5 vjet shtetësi. Por, ka shumë ide dhe shumë entuziazëm. Po ashtu, ka shumë rini me plot ëndrra e dëshira. Dhe presin shansin për boom-in e tyre.
Derisa ky boom të ndodhë (e unë dua të besoj se do të ndodhë), kosovarët mund të krenohen se në rrugën për lirinë dhe pavarësinë e saj kanë arritur të bëjnë një ndërlidhje globale, ndoshta si kurrë më parë (intervenimi humanitar i NATO-s), dhe t’i afrojnë njerëzit rreth lirisë së saj (shpallja e koordinuar e pavarësisë).
Tash, mbetet dëshmimi i suksesit.
KONKURSI KOMBËTAR, #InstaKosova, fillimisht ishte menduar si ide që do të përmblidhte talentin dhe artin spontan të të rinjve të Kosovës të shprehur çdo ditë nëpër rrjetet sociale. Foto nga 5 vjetët e Kosovës, me njerëz, ngjarje e vende të Kosovës. Mirëpo, ne ishim edhe më të ngazëllyer tek pamë se konkursit i ishin përgjigjur një numër i madh i entuziastëve të fotografisë, por edhe fotografë profesionalë.
Përzgjedhja, natyrisht, nuk ka qenë e lehtë, pasi që është dashur të kalohet nëpër procesin e seleksionimit të rreth 8000 fotove. Dhe, natyrisht, nuk është bërë bazuar ekskluzivisht në kriteret artistike, pasi që me këtë kut matës, sigurisht se edhe fotografitë fituese do të ishin të tjera.
Ne, thjesht, kemi dashur të zgjedhin foto të bukura të Kosovës nga njerëz që e duan Kosovën të bukur.
Dhe besojmë se e tillë ajo edhe është në faqet e librit.
DHE NË FUND, ju dhe unë sigurisht se do të pajtohemi: Kosova është e bukur, por jo edhe, p.sh., ashtu siç duket në fotot e zbukuruara pak me filterët çudibërës të Instagramit. Mirëpo – pse jo?! – ajo edhe mund të bëhet.
Rini ka.
Dëshirë ka.
Vullnet ka.
Duhet vetëm edhe pak punë.
Punë e përbashkët, e cila do ta kryente punën e filterëve për të bërë çudira.
Por, në praktikë.
E dëshmojmë çdo ditë nëpër rrjetet sociale. Dëshmohet më së bukuri në Instagram.
E ka dëshmuar #InstaKosova.
Të gjithë mund të ndihmojmë që Kosovën ta bëjmë të bukur.
Kosova mund të bëhet e bukur si në #InstaKosova.
(Ky shkrim hap librin “#InstaKosova”, botuar pas konkursit kombëtar të fotografive të publikuara nëpër rrjetet sociale, për të shënuar 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Autori, krijues i hashtagut #InstaKosova, ishte kryetar i jurisë.)
adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

