Uji Dea

Ky është vetëm fillimi

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gazeta Express po tërhiqet nga shtypi në letër, pas plotësisht 8 vitesh traditë, për të mbetur vetëm në versionin elektronik (që edhe ashtu ishte një variant paralel yni prej rreth 5 vitesh), në kërkim të ndjekjes së trendit dhe zhvillimeve moderne. Shpresojmë dhe urojmë ta kemi miratimin dhe përkrahjen e lexuesit.

Para nesh ishin dy zgjidhje.

E para që në mënyrë të organizuar të fillonim një lëvizje mirë të menduar deri në detaje dhe të organizuar si kurrë më parë në historinë e njerëzimit, në bashkëpunim edhe me popujt tjerë, për të eliminuar të gjitha të arriturat teknologjike që sot janë në duart tuaja. Të fillonim një mobilizim mbarë botëror për të zhdukur nga faqja e dheut, të gjithë smart phonat, ipadat, lap topat, e edhe desktopat në mënyrë që t’i sigurohet një e ardhme e ndritur gazetave çfarë ne i njohim, në formë primitive, atë të shtypur në letër dhe me ngjyrë.

Dhe zgjidhja e dytë ishte që të hiqnim dorë prej kësaj lëvizjeje dhe të pajtoheshim që redaksisë së gazetës Express, në formën si është kështu, t’i vëmë një dry të madh dhe të sigurt, në mënyrë që ta ndalim gjakderdhjen financiare që nuk ka të ndalur. Pra, të vazhdojmë t’ju informojmë pa letër.

Kjo zgjidhja e dytë po duket shumë atraktive. Edhe ju lexues të nderuar nuk do të rrezikoni t’i humbni pajisjet e juaja teknologjike, e edhe ne do të vazhdojmë t’ju informojmë me krejt kapacitetet tona profesionale.

Tash ironinë anash, të dashur lexues të numrit të fundit dhe së paku në këtë numër duhet të jemi të sinqertë ndaj jush: para nesh ishin dy zgjidhje tjera prej atyre fillestareve që i përmendëm më lartë. Ose mund të vazhdonim kështu, sikur deri më tash, ta shpenzonim edhe atomin e fundit të energjisë tonë – që nuk ishte edhe ashtu ndonjë sakrificë tepër e madhe – dhe bashkë me atomin e fundit të energjisë ta shpenzonim – kjo ishte më ë rëndësishmja – edhe atomin e fundit të buxhetit. Mandej, dikur pak muaj më vonë, ose në rastin më optimist, pak vite më vonë, kokulur, të mos na mbetej gjë tjetër pos të përshëndeteshim përfundimisht me ju.

Kurse tash, gjendja është pak më ndryshe. Do ta bëjmë një tërheqje taktike, duke ua lënë hapësirën e lirë në tregun primitiv simotrave tona gazeta, kurse ne do të vazhdojmë me energjinë tonë të kursyer – e çka është më e rëndësishme – me energjinë tonë financiare të kursyer të vazhdojmë më tutje.

Ne si redaksi ndjejmë keqardhje për disa prej stafit tonë që tash do t’i humbin vendet e tyre të punës, si rrjedhojë e një modeli më ndryshe të të bërit gazetari. Pra, kjo sidomos i godet rëndë atë pjesë të stafit që nuk marrin pjesë në informimin tuaj, por janë pjesë teknike, siç janë desktoperët. Mirëpo, kapitalizmi dhe ekonomia e lirë e tregut që prej themelimit të çmimit Nobel, asnjëherë nuk janë vlerësuar për humanizëm. Në fakt kjo është pika më e dobët në aspektin afatshkurtër të zhvillimeve shoqërore, kurse në aspektin afatgjatë kjo është pika më e ndritshme.

Hidromorava

Sidoqoftë, pa dashur të thellohem shumë në këtë drejtim, sepse kjo tashmë i takon të shkuarës, na lejoni t’ju informojmë se pjesa më e madhe e gazetarëve të Express do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tutje me ju, lexues të dashur. Përqendrimi ynë maksimal tash do të jetë informimi juaj përmes websajtit tonë www.gazetaexpress.com. Edhe ashtu, sipas të dhënave që kemi ne, por edhe sipas të dhënave që i nxjerr Google analytics ne përmes websajtit i kemi brenda 24 orëve më shumë se 50 mijë vizitorë.

Për shkak se në Kosovë kompanitë e internetit nuk ia ofrojnë secilit klient IP personale, atëherë nuk mund ta dimë me saktësi absolute numrin e lexuesve online, por gjasa janë që ky numër është edhe me i madh. Nëse shteti i ynë i ri duhet të mburret me diçka në raport me shtetet fqinje, atëherë është shpërndarja e internetit nëpër familje. Në këtë drejtim ne qëndrojmë shumë më mirë se vendet tjera.

Prandaj, ne qëndrojmë edhe shumë më mirë se vendet tjera në leximin online. Në anën tjetër leximi i gazetave në formën primitive – na ndjeni për gjuhën – nuk ka qenë asnjëherë ndonjë gjë për të cilën ne do të duhej të mburreshim. Jo ne si Gazeta Express, por ne si Kosovë. Një popullsi prej dy milionë banorëve a i ka lexuar a nuk i ka lexuar 20 mijë kopje. E të mos flasim më shumë për një luftë kanibaliste për të ardhur deri tek reklama. Apo më tutje, për një rrjet mafioz të shitjes së gazetave, siç është ai i Rilindjes, stafi i së cilës vazhdimisht ka falsifikuar shifrat e shitjes së gazetave, varësisht se kujt për çka i janë dashur… Si rrjedhojë e kësaj në vendin tonë kanë qenë nja tri a katër gazeta që vazhdimisht janë vetëshpallur, ose shpallur prej Rilindjes si gazeta më e lexuar në vend. E ne vendosëm që të mos jemi më pjesë e kësaj gare, gjysmë mafioze, gjysmë profesionale.

Një arsye tjetër shumë serioze për ta braktisur këtë mënyrë të operimit ishte edhe reduktimi konstant i reklamave klasike. Interesimi i kompanive për t’u reklamuar në faqe gazetash të shtypura ka ardhur duke u tkurrur, dhe atë më të drejt. Sepse ka ardhur duke u tkurrur numri i lexuesve. Edhe ato kompani që janë reklamuar më shumë e kanë bërë këtë për të blerë paqe me mediat, se sa për shkak të nevojës për të qenë të reklamuar.

A do të jetë më e lehtë online?

Braktisja e një terreni për t’u bërë pjesë e një loje në një terren tjetër – në fushën e njëjtë, atë të informimit – nuk na garanton që tash rrugën do ta kemi të shtruar me lule.

Përkundrazi, edhe këtu konkurrenca do të jetë tepër e egër. Mundësitë teorike janë që tash secili individë ta ketë median e tij. Pra, online i kemi potencialisht mijëra konkurrentë vendorë, e miliona konkurrentë botërorë. Ajo çka na bën ne optimistë është lidhja që e kemi me ju lexues të nderuar dhe vizioni i qartë që e kemi, se si të vazhdojmë tutje. Ambicia e jonë fillestare është që këta 50 mijë lexues, në fund të vitit, të janë 100 mijë, e kështu më radhë…

Herët apo vonë këtu të gjithë do të përfundojnë. Është rrugë një kahesh.