Fundamenti

Kuvendi, pasqyrë e politikës së inkriminuar

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Ndonëse tash e një dekadë edhe zyrtarisht me letra jemi bërë një shtet i pavarur, pasi na kanë njohur më shumë se 110 shtete, përfaqësuesit e popullit po tregojnë se akoma jemi një vend i pakonsoliduar dhe, sipas analistëve, politikanët e tejinkriminuar së bashku me krimin e organizuar po e degradojnë këtë vend, duke vazhduar edhe me gjuhën e urrejtjes dhe të mosdurimit, që po përdoret edhe në Kuvendin e Kosovës.

Analistët dhe qytetarët theksojnë se përplasjet e deputetëve që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës janë duke u bërë për interesa personale dhe për interesat kriminale, duke dëshmuar qartazi se kjo është legjislatura më e dobët dhe më e dështuar që nga paslufta.

Njohësi i rrethanave politike, sociologu Fadil Maloku, për gazetën “Kosova Sot” theksoi se sjelljet vandale nuk duhet të tolerohen në Parlament. “Sjellja indolente (nëse vërtet ishte e qëllimshme, është edhe vandale!) e deputetit (Xh. H. me A. G.), dëshmon më së miri mungesën e një etike minimale të mirësjelljes parlamentare në Kuvendin e Kosovës… Etikë kjo që është normuar tashmë edhe me rregullore, por që nuk zbatohet as nga shkelësit e as nga ata që e kanë aprovuar”, theksoi ai. Maloku thotë se në një shtet me pretendime shtetndërtuese, i njëjti të paktën do të duhej të suspendohej ose ndëshkohej, ose me gjobë, ose me largim nga seanca.”Ndryshe, pamje të tilla shëmtuese do të kemi edhe për “eksport” në seancat e ardhshme që do të jenë shumë më acaruese”, është shprehur ai.

Haziri: Legjislaturë problematike

Përfaqësuesi i shoqërisë civile nga KDI-ja, që e mbikëqyrë punën e Kuvendit të Kosovës, Albert Krasniqi, theksoi për “Kosova Sot” se Xhavit Haliti është deputet që 17 vjet dhe ka përvojën më të madhe në Kuvend. “Ai është zgjedhur në të gjitha gjashtë legjislaturat dhe në të gjitha prej tyre ka ushtruar postin e nënkryetarit të Kuvendit. Ai do të duhej të shërbente si shembull i deputetit të përgjegjshëm dhe me integritet të lartë. Seancat e fundit, të cilat i ka kryesuar, në vazhdimësi ka keqpërdorur pozitën, duke fyer e akuzuar deputetët e opozitës. Provokim i fundit i sulmeve fizike është i patolerueshëm”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, në një vend me standarde të larta të etikës Haliti do të duhej shkarkuar nga posti i nënkryetarit. “Meqenëse jemi larg këtyre standardeve, e pakta që duhet të bëhet është t’i ndalohet kryesimi i seancave të Kuvendit. Ndërsa deputetët e tjerë që përdorin gjuhë denigruese duhet përjashtuar nga seanca nëse nuk tërheqin fjalët”, është shprehur ai.

Edhe analisti politik Arsim Haziri për “Kosova Sot” shprehet se gjuha me të cilën komunikojnë deputetët e Parlamentit edhe një herë shpërfaq urrejtjen dhe konfrontimet që i posedojnë, po ashtu edhe pretendimin e secilit për ta dominuar skenën aktuale politike.”Kuvendit gjithnjë si organ qendror i ka munguar së funksionuari e zbatuari kodi etik, ku si normë po të ishte aplikuar do të ishte arritur që të parandalohet gjuha jashtëparlamentare dhe për gjithë praktikuesit e saj do të kishin marrë sanksionimin e merituar”, është shprehur ai.”Përplasja verbale mes nënkryetarit dhe deputetit të LDKsë pasoi edhe me sulm fizik në hapësirën e Kuvendit, këtu në mënyrë të qëllimtë Xhavit Haliti qëllon deputetin Gashi.

Eco Higjiena

Kjo sjellje e tij po ashtu edhe e deputetit Gashi, duke mos përjashtuar edhe disa të tjerë, janë për keqardhje, pasi në mënyrë direkte po e shprehin mosvullnetin për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por thjesht tendencat e tyre për qëllime të ndryshme autoritare. Kuvendi, respektivisht legjislatura aktuale, është ndër më të dështuarat”, është shprehur ai.

Qytetarët, të zhgënjyer me deputetët

Qytetarët e anketuar nga “Kosova Sot” thonë se janë të zhgënjyer tej mase me deputetët e papërgjegjshëm të përbërjes së tashme të Kuvendit, si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Ata thonë se përplasjet e deputetëve janë përplasje për interesa personale dhe se kjo është legjislatura më e dobët dhe më e dështuar që ka pasur Kosova.

Kësisoj, qytetari Mentor Sahiti theksoi për “Kosova Sot” se rasti i javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës ishte si një pretekst për hakmarrje personale dhe këto incidente në mes të deputetëve bëhen për qëllime personale, e jo për çështjet që kanë të bëjnë me popullin.

Sahiti thotë se kjo përbërje e tashme e Kuvendit të Kosovës është më e dobëta e pasluftës, sepse nuk kanë cilësi, nuk kanë kryer punën e tyre në nxjerrje të ligjeve dhe në shumë raste po u mungon kuorumi për vendimmarrje. “Por, e keqja është se edhe po të bëhen zgjedhjet e reja, edhe pas tyre do të jetë e njëjta këngë”, është shprehur ai.

Ndërsa qytetari Beqir Baca për gazetën “Kosova Sot” theksoi se të gjitha këto konflikte po bëhen për interesa personale, sepse dikush e ka mizën mbas veshit dhe ka filluar që të frikësohet. Ndërkaq, lidhur me përbërjen e tashme të Kuvendit të Kosovës, qytetari Baca theksoi se në mesin e tyre ka sish që e meritojnë të jenë deputetët e disa sish nuk e meritojnë të jenë në këto poste.

(Kosova Sot)