Uji Dea

Kuvendi miraton raportin e kryetarit, pa votat e LDK-së

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka mbajtur seancën e parë për këtë vit kalendarik, ku ka miratuar Raportin e punës së kryetarit të Komunës për vitin 2012, Rregulloren për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale 2013, Planin e punës si dhe orarin e seancave të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2013.

Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, në raportin e tij të punës për vitin 2012, i ka nënvizuar të arriturat e kësaj periudhe, sukseset dhe sfidat, duke thënë se përgjithësisht është punuar mirë dhe me shumë përkushtim. Besimi i qytetarëve ndaj qeverisjes lokale është jashtëzakonisht i mirë, ka thënë ai.

“Në komunë ka mbizotëruar nivel i mirë i sigurisë, klimë e mirë politike, marrëdhënie të mira ndëretnike e ndërnjerëzore, ambient i mirë për investime, sikurse kemi avancuar në procesin e riatdhesimit dhe ri-integrimit dhe kemi shtuar besimin e qytetarit te Komuna”, ka thënë Mustafa.

Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi Komunal ka mbajtur 14 seanca, ka miratuar 72 vendime, ndërsa Komitetet kanë mbajtur 162 takime dhe kanë bërë 115 rekomandime, që tregon për një punë efektive të organit vendimmarrës.

Administrata, e cila vlerësohet ndër më të mirat në Kosovë, ka kryer mbi 141 mijë shërbime, derisa Qendra për Shërbime të Qytetarëve ka pranuar mbi 25 mijë kërkesa dhe mbi 99 për qind prej tyre kanë marrë përgjigje.

Në arsim, ku vijojnë mbi 25 mijë, po ashtu janë arritur suksese të mira në mësim dhe gara të ndryshme. Sa u përket investimeve në këtë sektor, sivjet është lëshuar një shkollë fillore, bujqësia është në përfundim e sipër, ndërsa gjimnazi i ri do të jetë gati për vitin tjetër shkollor. KE do të rinovojë gjimnazin, konviktin dhe shkollën fillore në Cërnicë. Investime janë siguruar për shkollat në Kishnapole, Shurdhan e Hagjaj.

Mustafa ka lavdëruar punën e mirë edhe në Kulturë, Rini e Sport. Është miratuar Strategjia afatmesme për kulturë, kanë filluar përgatitjet për themelimin e Muzeut, sikurse që kanë përfunduar procedurat edhe për rinovimin e stadiumit ndihmës, që do të investohet nga KE, ka thënë ai.

Në Shëndetësi ka një stabilitet të përhershëm. QKMF ka kryer mbi 261 mijë vizita në të gjitha punktet e saj. Janë rinovuar ambulancat në Bresalc dhe Kishnapole. Në sektorin e mirëqenies sociale, janë ndihmuar qindra raste sociale me pako ushqimore, lëndë djegëse dhe ndihma tjera.

Buxheti komunal për këtë periudhë është realizuar 97 për qind. Të hyrat nga tatimi në pronë janë përmbushur mbi 99 për qind. Te ky sektor ka pasur një ngecje të ndjeshme në nëntë mujorin e parë, por pas një auditivi që i kemi bërë gjendjes, kemi identifikuar shkaqet dhe inkasomi është përmirësuar dukshëm në tre muajt e fundit.

Kreu i Komunës tha po ashtu se gjatë vitit 2012 janë realizuar investime në vlerë prej 4 milionë euro, duke nënvizuar faktin se komuna e Gjilanit nuk ka marrë investime aq sa i takon nga niveli qendror.

Por, investime ka pasur, tha Mustafa, ndërkohë që përmendi Bibliotekën Rajonale, Mirushën, shkollën e Bujqësisë, gjimnazin, oborrin e shkollës “Thimi Mitko”, parkun në lagjen “Arbëria”, rinovimin e QMF në Bresalc e Kishnapole, investimet në stadium, në palestrën sportive, Qendrën “Don Bosko”, palestrën në Malishevë, të cilat kanë përfunduar, ose janë në faza të ndryshme të realizimit, ndërkohë do të fillojnë edhe shkollat në Kishnapole, Shurdhan e Haxhaj, stadiumi ndihmës si dhe projekte të tjera. “Investimet e qëndrueshme dhe që janë në shërbim të publikut, janë imperativ yni”, ka thënë Mustafa.

Urbanizmi ka kryer planet rregulluese për 4 zona, ndërsa për 5 të tjera janë në proces e sipër dhe deri nga mesi i vitit të ardhshëm, qyteti mbulohet qind për qind me plane rregulluese.

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik është munduar të krijojë ambient sa më të volitshëm për biznes dhe prej këtij viti, të gjitha bizneset do të lirohen nga taksa komunale, me përjashtim të makro-bizneseve.

Në PPP janë duke u realizuar dy projekte të tipit afarist e banesor, me një vlerë 4.5 milionë euro, sikurse në këtë formë është duke operuar edhe kompania publike “Higjiena”, ku investimi do të jetë 1.5 milion euro dhe ka filluar të implementohet.

Bujqësia ka bërë punë të mrekullueshme. Subvencionet dhe grantet për fermerë arrijnë në 1.2 milionë euro. E kemi kthyer besimin e fermerëve. Edhe Inspektorati ka punuar dukshëm më mirë, por këtu duhet të rritet ende disiplina në punë. Ka pasur tejkalime te disa ndërtime të larta.

Uji Dea

Punë e mirë është bërë edhe në Mbrojtje dhe Shpëtim dhe te Shërbimet Publike, ku kryetrari veçoi projektin e ndriçimit publik në qendër, i cili do të vazhdojë deri te kryqëzimi me rrugët qarkore, në të dy skajet e qytetit, rreth-rrotullimin në lagjen Iliria dhe investime të tjera.

Edhe në Kadastër është rritur efikasiteti i punës dhe numri i lëndëve që presin përgjigje është i vogël. Punë e mirë është bërë edhe te Prokurimi. Investimet kapitale që kanë nisur, janë në proces ose që nisin ndërkohë, arrijnë shumën 6.7 milionë euro.

Kreu i Komunës ka lavdëruar edhe zyrat komunale, veçmas Informimin, Projektet, Auditimin, duke thënë se kanë bërë një punë të mirë.

Përgjithësisht ai u shpreh i kënaqur me punën e bërë. “Kemi punuar në baza ligjore, kemi qenë aktivë dhe dinamikë gjatë vitit 2012. Këto ambicie i kemi edhe për vitin që tashmë kemi hyrë”, ka thënë Mustafa.

Kuvendi Komunal e miratoi raportin e punës së kryetarit të Komunës për vitin 2012. Opozita (LDK) votoi kundër.
Sadudin Berisha (LDK), ka thënë se raporti është një retorikë e përsëritur. Raportit i mungojnë të arriturat e vitit 2012. Sipas tij, punë efektive, nuk mund të vlerësohen shërbimet e përditshme, sepse ato janë obligative.

Sokol Haziri (AAK), përgjithësisht u shpreh i kënaqur me punët e bëra gjatë vitit të kaluar, por tha se ka edhe të meta, ndërkohë pati vërejtje te shtrirja e investimeve nëpër zona. Arben Maliqi (AKR) tha se në përgjithësi, është bërë punë e mirë, brenda mundësive që ka pasur komuna.

Ejup Haziri (PDK), tha se ajo që ka qenë e mundur të bëhet, është bërë në mënyrën më të mirë dhe i dha mbështetje të plotë raportit, sikurse edhe Leonora Bunjaku (G/3).
Rashit Sahiti e Bahrije Veseli (LDK) thanë se pjesa e raportit që flet për arsimin, nuk i ka statistikat e plota, kurse Arianit Sllamniku kërkoi mbylljen e tregut ilegal të kisha, duke kritikuar inspektoratin komunal që nuk ka ndërmarrë asgjë, këtu dhe në disa raste të tjera.

Avdyl Aliu (LDK) tha se raportet e drejtorive duhet së pari të kalojnë nëpër komitetet përkatëse, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur me raportin e drejtorisë për Zhvillim Ekonomik.

Mimoza Shkodra (AKR) kërkoi t`u sigurohet lista e përfituesve në sektorin e bujqësisë. Jashar Jashari (LDK) ka thënë se raportit të drejtorisë së shëndetësisë i mungojnë vlerësimet për gjendjen e ujit të pijshëm, derisa te vaksinimi, rezultatet nuk janë solide. Ramiz Ramadani (LDK) ka thënë se bujqësia nuk është trajtuar me prioritet, kurse subvencionet e planifikuara, janë realizuar pjesërisht. Nevzat Rushiti (LDK) tha se raportit i mungon numri i tatimpaguesve të pronës.

Zijadin Maliqi (LDK) ka thënë se në raport nuk përmendet numri i aktiviteteve të anuluara te prokurimi, kurse Jakup Bajrami kërkoi të anulohen ekskursionet e nxënësve në Shqipëri, sepse nuk po shfrytëzohen për qëllime edukative. Shpresa Kurteshi, Shpresa Hajdari e Jehona Hyseni ngritën çështjen e funksionimit të bibliotekave, teatrit si dhe të bashkëpunimit të DKRS-së me Komitetin e Kulturës. Kurse Selim Selimi u shpreh i kënaqur për punësimin e një koordinatori për mësimin në gjuhën turke si dhe mbështetjen tjetër që i është dhënë këtij komuniteti në Gjilan.

Tahir Arifi (PDK) kërkoi që debati të përqendrohet te zhvillimet e vitit 2012 dhe të jetë konstruktiv. “Opozita nuk duhet ta luaj në Kuvend Komunal rolin e prokurorit dhe as pozita ta luaj rolin e avokatit. Edhe vetë kryetari u tregua kritik te puna e dy-tri drejtorive”, ka thënë Arifi. Sa u përket problemeve në arsim, fajtor është sistemi, që po dëshmohet jofunksional në kushtet tona, ka thënë ai, ndërkohë që ka nënvizuar faktin se raportet KKRS – DKRS janë të mira, ka thënë ai.

Kreu i Komunës, Qemajl Mustafa, ka thënë se debati është vlerë e demokracisë, ndërkohë që pasi u ka dhënë përgjigje të gjitha interesimeve të këshilltarëve komunalë, ka nënvizuar se në komunën e Gjilanit kanë ndodhur zhvillime jashtëzakonisht të mëdha gjatë vitit 2012. “Qëllimi dhe vullneti ynë është për të bërë më shumë”, ka thënë Mustafa.

Kuvendi Komunal ka miratuar edhe Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, me disa ndryshime të vogla, të cilat dolën si propozime gjatë debatit. Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se ndryshimi më i madh është propozimi për heqjen e taksës komunale për biznese, gjë që u përshëndet nga përfaqësues të bizneseve. Shumica e tarifave tjera mbeten pak a shumë të njëjta.

Arben Mehmeti tha se qytetari nuk duhet të obligohet të paguaj dy herë për të njëjtin shërbim, nëse gabimi është bërë nga administrata, me çka u pajtuar edhe Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, duke thënë se ky do të ishte një gabim i madh nëse ndodhë. Nga pagesa lirohen edhe këshilltarët komunalë, në rastet kur kërkesat që bëjnë ata përmes Qendrës për Shërbime të Qytetarëve, kanë të bëjnë me interesin publik. Gjithashtu, Kuvendi Komunal u dakordua për harmonizimin e disa tarifave te bizneset e mëdha, që kanë shtrirje nacionale e që nuk lirohen nga taksat komunale. /rajonipress/