Kuvendi komunal në nivel për të qarë

Nga Fitim Guda – Parafytyrimet tona për Kuvendin Komunal kanë ndryshuar shumë pas përvojës sonë si anëtar në këtë mandat aktual. Para se të bëheshim pjesë e garës, kemi pasur bindjen se Kuvendi është arenë e ndeshjes së diturive, koncepteve, ideve dhe vizioneve. Me një fjalë, mjedis intelektual e profesional. Por me kalimin e kohës dhe duke e parë nga brenda institucionin, kemi vërejtur një shkallë të lartë të injorancës. Në Kuvendin aktual të Komunës së Gjilanit, janë dy kategori kryesore të anëtarëve: Janë ata dhe ato që nuk flasin kurrë (shumë më mirë se sa të flasësh pa kuptim!); Janë ata dhe ato që flasin për secilën temë, secilin problem, qoftë edhe për problemet e ngushta profesionale, për të cilat nuk kanë as njohuritë elementare. Rasti i fundit ishte me Raportin gjashtëmujor të Drejtorit të Financave.

Anëtarët e Kuvendit, përkatësisht kategoria e dytë e këshilltarëve komunalë, po e marrin raportin, pa konsultime fare me ekspertët e çështjeve, bëjnë pyetje, sjellin përfundime, të cilat nuk kanë fare të bëjnë me çështjen në fjalë. Pas pyetjeve të shumta dhe totalisht amatore, pa asnjë ide për çka flitet nga këta anëtarë, drejtori e merr fjalën, me ç’rast fillon t’ia shpjegojë e sqarojë atyre terminologjinë ekonomike, kurse shumica e tyre lozin në celularë, dalin jashtë nga salla herë pas herë dhe krejt shpërfillës, sikur nuk kanë parashtruar pyetjet e tyre për përgjigje.

Drejtori, me të drejtë, disa herë në mënyrë direkte i drejtohet atyre:
– Ju lutem, kjo nuk ka të bëjë fare me atë për çfarë po flisni!
Me keqardhje e themi, se më së paku dhjetë herë, drejtori i financave ua shpjegon se çka janë borxhet apo detyrimet kontigjente, apo plot koncepte të tjera, dhe në seancën e ardhshme, sërish parashtrohen gabueshëm pyetjet e njëjta.
Ajo çfarë shohim në çdo seancë të Kuvendit, është tepër zhgënjyese. Shohim anëtarë të Kuvendit që flasin lidhje-palidhje; nuk kuptojnë terminologjinë, qoftë ekonomike, për arkitekturë, urbanizëm etj.

Është tepër e nevojshme që në mandatin e ardhshëm, para se të konstituohet Kuvendi Komunal, anëtarët e zgjedhur t’i ndjekin paraprakisht disa ligjërata apo leksione elementare, ku do të njiheshin sidomos me disa fusha më profesionale të drejtorive të caktuara. Në këto mësime, duhet të përfshihen edhe mënyra e marrjes së informacionit si anëtar i Kuvendit, i cili duhet patjetër të shkojë në drejtoritë përkatëse, të njoftohet me problemet specifike, e jo vetëm një lexim sipërfaqësor, duke mos e kuptuar fare materialin dhe esencën, të bëhet bazë për adresim kritikash.

Gjithashtu partitë politike duhet të jenë shumë të kujdesshme në përzgjedhjen e individëve për lista për anëtarë të Kuvendit Komunal; të zgjedhën njerëz profesionalë të fushave të caktuara dhe që njohin kufijtë e tyre. Po ashtu, duhet që anëtarët e Kuvendit të jenë më të profilizuar në hedhjen e kritikave, në mënyrë që kritikat për çështjet profesionale, të bëhen më së shumti nga individët kompetentë, sepse nëse vazhdon kështu, Kuvendi po shndërrohet në institucion për ta qarë!

Autori është anëtar i Kuvendit Komunal

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).