Kuvendi Komunal i Vitisë mban mbledhjen e tetë, miraton disa vendime dhe diskuton raportin gjashtëmujor të kryetarit Haliti
Viti – Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e tetë të rregullt, të kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi, ku janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë pikash me rëndësi për funksionimin e komunës dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme.
Në hapje të seancës, kryesuesi Azizi njoftoi anëtarët e Kuvendit lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të miratuara në mbledhjen paraprake, ndërsa më pas u procedua me shqyrtimin e rendit të ditës.
Me shumicë votash, jashtë rendit të ditës u përfshi edhe diskutimi për ankesën e banorëve lidhur me rrugën me kalldrëm “Rruga UÇK” në Viti. Pas debatit, Kuvendi rekomandoi që, nëse ekzistojnë mundësitë ligjore, të shqyrtohet rikthimi i kësaj rruge me asfalt. Ndërkohë, propozim-vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Komunës nuk u shqyrtua për shkak të mungesës së kuorumit.
Gjatë mbledhjes u miratuan procesverbalet e mbledhjeve të gjashtë dhe të shtatë të Kuvendit Komunal, Plani Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për 12 komunat e rajonit të Gjilanit dhe Ferizajt (ZMM-5), ndryshimi dhe plotësimi i vendimit për formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, si dhe propozim-vendimi për shpalljen në diskutim publik të Projekt-Planit të Punës së Kuvendit Komunal për vitin 2027.
Anëtarët e Kuvendit diskutuan gjithashtu edhe Pasqyrat Financiare të Buxhetit Komunal për periudhën janar–qershor 2026.
Një nga pikat kryesore të seancës ishte shqyrtimi i Informatës për punën e kryetarit të Komunës së Vitisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, të prezantuar nga kryetari Sokol Haliti. Ai theksoi se raporti pasqyron punën e realizuar në fusha të ndryshme, përfshirë infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, mirëqenien sociale, kulturën, rininë, sportin, zhvillimin ekonomik lokal, si dhe avancimin e administratës komunale dhe shërbimeve elektronike.
Haliti u shpreh se, pavarësisht sfidave në realizimin e disa projekteve, Komuna e Vitisë do të vazhdojë të fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm lokal, përmirësimin e shërbimeve publike dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik e social, në bashkëpunim me institucionet qendrore, partnerët zhvillimorë, Kuvendin Komunal dhe qytetarët.
Mbledhja u përmbyll me pikën “Pyetje dhe përgjigje”, gjatë së cilës anëtarët e Kuvendit ngritën çështje të ndryshme që lidhen me interesat dhe nevojat e qytetarëve të komunës./rajonipress/


