KKGJILAN

Kuvendi komunal i Vitisë mbajti seancë të jashtëzakonshme kundër dhunës në familje

/ 2 minuta lexim

Viti – Iniciuar nga grupi i këshilltarëve të Vetëvendosjes dhe mbështetur edhe nga një pjesë e këshilltarëve të PDK-së dhe AAK-së, është mbajtur sot një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, ku është diskutuar e vetmja pikë e rendit të ditës dhuna në familje, me theks të veçantë dhuna ndaj gruas.

Kryesuesi i Kuvendit komunal Naim Pira fillimisht ka njoftuar se kjo seancë është thirrur në bazë të rregullores së Kuvendit, ku me iniciativën e VV-së dhe nënshkrimet e disa këshilltarëve nga radhët e PDK-së dhe AAK-së, është caktuar edhe rendi i ditës për këtë temë.

Nismëtarja e kësaj seance të jashtëzakonshme Mirlinda Sadiku, ka prezantuar disa statistika për të drejtat e grave në nivel botëror, vendor e lokal. Gjithashtu ka përmendur edhe disa statistika të dhunës në familje në komunën e Vitisë, e po ashtu sipas saj edhe pa barazisë gjinore. Jo të gjitha grupet e këshilltarëve përkrahën këtë nismë për thirrje të jashtëzakonshme, pasi që pati zëra kundër, duke theksuar se janë shumë tema më me interes që kërkojnë zgjidhje të jashtëzakonshme përmes seancave të jashtëzakonshme, se sa kjo e dhunës ndaj gruas.

Uji Dea

Edhe zv. kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, u shpreh se pajtohet që kjo temë është e ndjeshme, por jo e jashtëzakonshme, pasi që ky kuvend duhet merret më çështje lokale e jo ato të nivelit qendror, apo edhe botëror.

Pas diskutimeve e polemikave mes vete pro dhe kundër thirrjes së kësaj seance, grupet e këshilltarëve të subjekteve politike që përfaqësohen në Kuvend, nxorën një deklaratë të përbashkët lidhur me parandalimin dhe marrjen e masave për dhunën në familje, me të cilën edhe dënojnë aktet e dhunës në familje në përgjithësi./rajonipress/