Fundamenti

Kuvendi Komunal i Gjilanit e mbështet vetëm pjesërisht kërkesën për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti paraprak

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Pas një sërë diskutimesh polarizuese, opozita (LDK-PDK-AAK-Vatra) u pajtua që Kuvendi të vazhdojë punën, por duke e reduktuar rendin e ditës, meqë sipas tyre, shumë nga pikat e parapara për muajt prill e maj, tanimë nuk janë aktuale.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni kërkoi që të përfshihet në rend dite edhe propozimi i tij për bartjen e mjeteve në shumë prej mbi 2.5 milionë euro, nga viti i kaluar, ndërkohë që i njoftoi vendimmarrësit për riorganizimin e buxhetit që është dashur të bëhet për shkak të kësaj vonese, duke i specifikuar edhe projektet dhe kërkesat, si janë ajo për rritje pagash në ndërmarrjen Tregu, përfundimi i projektit te varrezat e dëshmorëve, për subvencione në bujqësi, në kulturë, për shoqatën Handikos, Shoqatën e të Verbërve, Shoqatën Pema, sikurse edhe për shpenzime kapitale dhe nevoja të tjera.

Ndërkaq, sa i përket shpenzimeve kapitale, ai tha se tanimë është vonë për të filluar procedura për këtë vit, ndërkohë që ende nuk është bërë bartja e mjeteve nga viti paraprak.

Opozita doli kundër propozimit fillestar të kryetarit të Komunës, ashtu siç e paraqiti ai, por tha se është e gatshme t`i votojë kërkesat e shoqatave Handikos, “Pema”, Shoqatës së të Verbërve, të ndërmarrjes Tregu si dhe projektin e Varrezave të Dëshmorëve, ashtu siç i formuloi Nazim Gagica (AAK) dhe i mbështetën edhe nga Avdyl Aliu (LDK), Bujar Nevzati (PDK) e Kushtrim Kadriu (Vatra), përkatësisht anëtarët e këtyre subjekteve politike në Kuvend.

Fundamenti

Përndryshe, sa i përket rishqyrtimit të vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit 01.nr.016-35193 të datës 31.03.2022 për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Politikë dhe Financa të Kuvendit të Komunës së Gjilanit (kërkesë e MAPL), Kuvendi vendosi ta lë në fuqi vendimin e muajit shkurt, ndërkohë miratoi emërimin e Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, Komisionit për përcaktimin e Listës së lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, brenda territorit të Komunës së Gjilanit, Këshillin Komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, që të gjithë me nga shtatë anëtarë si dhe Planon lokal të veprimit për cilësi të ajrit.

Ndërkaq në seancën e pestë, që u mbajt në vazhdim, por pa pozitën (LVV) dhe partnerët e saj, e cila duke mos u pajtuar me mbështetjen e pjesshme të propozimit për bartjen e buxhetit nga viti paraprak, kërkoi një pauzë dhe nuk u kthye më për të marrë pjesë në votim, Kuvendi miratoi edhe kërkesën e banorëve të Sllakocit, të cilën e prezantoi këshilltari Sami Ahmeti, për ndarjen e një parcele për nevoja të fshatit.

Këshilltari i vetëm i LVV, Ismajl Kurteshi, i cili u kthye ndërkohë në seancë, abstenoi në të dyja pikat e rendit të punës së kësaj seance./rajonipress/