Mobi Casa

Kuvendi i kapur hesht krizën e drejtësisë

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në asnjërën nga legjislaturat e deritanishme, mbase edhe jo rastësisht, asnjëherë deri më sot nuk ka diskutuar për sistemin e dobët dhe jofunksional të drejtësisë, madje edhe të interferuar e të ndikuar nga politika në Kosovë.

Këtë çështje nuk e ka zënë në gojë as vetë opozita që nga pavarësia e shtetit. Analistët politikë dhe ekspertët, duke parë këtë gjendje, vlerësojnë se kjo flet më së miri se si është bërë mision i pamundur edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos pasi politikanët e nivelit të lartë, në të dyja nivelet e pushtetit, që janë të lidhur ngushtë “këmbë e krye” me mafio-oligarkët dhe nëntokën kriminale, kanë instaluar një kastë të prokurorëve dhe gjyqtarëve mjeranë, të dëgjueshëm e analfabetë, që u japin përgjegjësi vetëm mafio-oligarkëve dhe politikanëve të inkriminuar, duke iu detyruar “Maliqit” dhe jo Ligjit!

Sipas analistëve, kjo është një arsye shtesë pse nuk ka shanse të ngritën aktakuza ndaj mafio-oligarkëve të kriminalizuar, të cilët në fakt janë mbi ligjin dhe Kushtetutën, dhe asnjë prokuror nuk e ka vullnetin e guximin që të hapë raste hetimi kundër tyre, edhe pse e zhvatën krejt Kosovën dhe qytetarët, edhe pse ka argumente të pafundme, edhe pse qindra miliona të fituara ilegalisht e paligjshëm në Kosovë i kanë bartur tanimë në “parajsa fiskale” jashtë vendit dhe tani firmat e tyre nga “parajsat fiskale| sërish marrin tenderë për çdo ditë.

MIFTARI: MOSVEPRIMI I PROKURORISË SPECIALE DËSHMON QË EDHE ATY KA PROKURORË TË KORRUPTUAR DHE TË MANIPULUAR POLITIKISHT

Edhe analisti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se mosdiskutimi në Parlament i dështimit dhe anomalive në drejtësi nuk janë rastësi, por kjo tregon se mafia politike e kontrollon Parlamentin dhe çdo zë që kërkon llogaridhënie në drejtësinë e dështuar dhe të korruptuar materialisht dhe politikisht, ku shuhet dhe nuk dëgjohet asnjë zë.”Lufta kundër krimit të organizuar tani për tani është i pamundur, pasi s’ka kush e lufton krimin e organizuar, pasi vetë organet e ndjekjes janë të kopromentuara dhe të korruptuara. Prandaj, është utopi klasike, nëse nga këta politikanë presim se do ta ndalojnë vetveten, pasi pikërisht krimi i organizuar dhe korrupsioni, privatizimi i shtetit, është vepër e politikanëve që janë vetë të korruptuar, shumica deri në palcë”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”. Ai po ashtu theksoi se edhe mosveprimi i Prokurorisë Speciale dëshmon që edhe aty ka prokurorë të korruptuar dhe të manipuluar politikisht, e që kjo vetëm e tregon realitetin e dhimbshëm se gati të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët janë vetëm kukulla të krimit të organizuar politik. “Pikërisht është kjo klasë politike, që e ka bërë Kosovën parajsë, ku pastrohen paratë dhe ku brenda natës pasurohen politikanët vendorë dhe zyrtarët ndërkombëtarë”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Ligjin e bëjnë klanet kriminale

Analisti politik Florim Zeqa thotë se kjo është një gjendje tepër e rëndë, nga e cila është edhe më vështirë të dilet me këta njerëz që kemi në pushtet.”Për sistemin e drejtësisë kosovare është bërë mision i pamundur luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, për shkakun e politikanëve të nivelit të lartë, në të dyja nivelet e pushtetit (qendror dhe lokal), që janë të lidhur ngushtë me mafio-oligarkët dhe nëntokën kriminale, të cilët kanë instaluar një kastë të prokurorëve dhe gjyqtarëve mjeranë, të dëgjueshëm, servilë e analfabetë që u japin përgjegjësi vetëm mafio-oligarkëve dhe politikanëve të inkriminuar, duke iu detyruar “Maliqit” dhe jo Ligjit”, theksoi ai.”Edhe pse mafio-oligarkët çdo ditë e shkelin ligjin dhe Kushtetutën, asnjë prokuror nuk ka vullnetin e as guximin që të hapë raste hetimi kundër atyre që po e zhvatin Kosovën dhe qytetarët, edhe pse ka argumente të pafundme, edhe pse qindra miliona të fituara ilegalisht e paligjshëm në Kosovë i kanë bartur tanimë në “parajsa fiskale” jashtë vendit dhe tani firmat e tyre nga “parajsat fiskale” sërish marrin tenderë për çdo ditë, siç është rasti në Komunën e Prishtinës dhe gjithandej Kosovës. Prokurorët asnjëherë nuk hetuan mënyrën se si mafio-oligarkët e klanit “Pronto” “Coca Cola Zero” dhe “RIINVEST”, bashkë me pushtetarët në të dyja nivelet, administratorët, zyrtarët e prokurimeve e akumuluan gjithë atë pasuri të pajustifikueshme, që shihet ashiqare, e mos të flasim për ato të fshehura në vend, regjion dhe në vendet më të largëta siç janë “parajsat fiskale” nëpër botë për paratë e krimit të organizuar. Përderisa të jetë në politikëbërjen kosovare kjo klasë politike (pushtet dhe opozitë), nëntoka e mafio-oligarkëve e lidhur me mafiopolitikën e lartë të vendit do ta udhëheqin e stërkeqin sistemin e drejtësisë, të shndërruar në padrejtësi për qytetarët”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Uji Dea

PRETENI: HETUESIT DHE PROKURORËT NË VEND SE RASTET T’I DËRGOJNË NË GJYKATA, ATA MATERIALET E SIGURUARA NË HETUESI UA DËRGOJNË MEDIEVE

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se sikur që nuk ka pasur vullnet në mandatet e kaluara, që Kuvendi të debatojë e të diskutojë për sistemin e drejtësisë, një vullnet duket që po mungon edhe në këtë mandat. “Kuvendi në asnjë nomenklature nuk e ka realizuar misionin e vet të mbikëqyrjes. Ligjet trajtohen dhe miratohen shkel e shko,mbikëqyrja nuk realizohet fare. Mbikëqyrja është obligative për t’u realizuar llogaridhënia. Të jesh i pavarur nuk do të thotë se duhet të punosh çka të duash dhe si të duash, pavarësia nënkupton pavarësinë nga ndikimet nga jashtë, të jesh i pandikuar me integritet dhe i paprekur. Në Kuvend kanë raportuar presidentët, kryeministrat, disa titullarë të institucioneve të pavarura, por asnjëherë Kryeprokurori dhe Kryegjyqtari. Shikoni praktikat e mira jo më larg se në disa shtete shumë afër Kosovës”, u shpreh ai.”Raportimi i obligon zyrtarët të punojnë, nëse nuk ke obligim për të raportuar ti edhe nuk do të punojë. Pse nuk ftohen… përgjigjja është: sepse janë në shërbim të politikës,i shërbejnë asaj, sepse ata i kanë rekrutuar dhe sistemuar. Politika nuk i sfidon ata duke mos i sjellë fare në Kuvend, sepse mund edhe të “gabojnë” dhe tregojnë diçka çka nuk duhet treguar”, vijoi më tej Preteni. “Raste shumë të dyshimta janë edhe ato kur, hetuesit dhe prokurorët në vend se rastet t’i dërgojnë në gjykata, ata materialet e siguruara në hetuesi ua dërgojnë medieve, të cilat edhe përfitojnë nga tirazhi-klikimet. Ky material jorastësisht publikohet, dëmi është edhe më i madh, ngase nën një stopohet procesi i hetimeve dhe në anën tjetër ky material përdoret për të shantazhuar njerëzit nga politika. E gjithë kjo ndodh për t’i shërbyer politikës ditore dhe assesi rritjes së besimit të gjyqtarëve te publiku. Dëmi është i dyanshëm. As për këto raste në asnjë mënyrë nuk ka reflektuar Kuvendi”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

Pa ndryshim të mentalitetit politik të strukturave politike, nuk ndryshohet as sistemi i drejtësisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, thotë se edhe po të diskutohej në Kuvend për sistemin e drejtësisë, edhe po të merrej ndonjë qëndrim, rekomandim apo ndonjë dokument tjetër parlamentar, si në disa praktika të tjera, do të mund të mbetej krejtësisht i pazbatuar, derisa politika nuk ka vullnet ta lërë rehat dhe në punë të pavarur sistemin e drejtësisë.

Ai shton se ajo që tani më shumë se kurrë i duhet Kosovës, për të pasur drejtësi funksionale, është shkëputja përfundimtare e zinxhirin ndikues të politikës në këtë sistem tash për tash kryesisht jofunksional. “Sistemi i drejtësisë nuk është funksional, nuk është i orientuar dhe nuk e ka qëllimin që të jetë në funksion të zbatimit të ligjit dhe të normave për të cilat jemi të përgjegjshëm që duhet të zbatohen e të funksionojnë dhe arsyet mendoj që tanimë janë të njohura, për arsye se aty ku nuk funksionon drejtësia funksionojnë dukuritë e tjera negative, madje ato edhe mbisundojnë. Debati në Parlament mendoj që do të ishte i mirë, por megjithatë, sikur edhe çdo debat tjetër deri më tash, ka rrezik që do të mbetej nën hije, në heshtje dhe i pazbatueshëm. Mendoj që çfarëdo rekomandimi që do të dilte do të ishte i pazbatueshëm”, theksoi Enver Hoti për “Kosova Sot”. Sipas tij, pa një ndryshim të mentalitetit politik të strukturave politike nuk ndryshohet as sistemi i drejtësisë.

Gazeta i është drejtuar me pyetje edhe Prokurorisë Speciale, për apostrofimin që i është bërë nga analistët lidhur me mosangazhimin e saj në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje gjatë ditës së djeshme

(Kosova Sot)