RCCOLA

Kuvendi i Gjilanit e miraton KAB-in 2023-2025, opozita nuk merr pjesë në seancë

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot Kornizën Afatmesme Buxhetore pa opozitën, e cila e braktisi dje seancën në shenjë mospajtimi me pozitën rreth obligimeve të trashëguara dhe nuk u kthye as sot për të marrë pjesë në vazhdimin e saj. Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit i rikujtoi këshilltarët komunalë se diskutimet për KAB 2023 dhe vlerësimet e hershme 2024-2025 janë kryer dje dhe sot duhet të bëhet vetëm miratimi i saj, meqë dje seanca u desh të ndërpritej për shkak të mungesës së kuorumit.

Me 18 vota dhe asnjë kundër, KAB-i u miratua nga Kuvendi Komunal.
Kuvendi miratoi sot edhe planit e veprimit për transparencë 2022-2026, të cilin e prezantoi drejtoresha e Administratës, Doruntina Hasani, kryesuese e grupit punues, e cila tha se plani ka për qëllim ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies si elemente kyçe të qeverisjes së mirë.

Përmes këtij plani është bërë një strukturim i obligimeve të organeve komunale në raport me qytetarët, për të qenë sa më transparent dhe sa më llogaridhënës. Në këtë kontekst, plani i detajon obligimet e organeve të Komunës, duke përfshirë zyrën e kryetarit, Kuvendin e Komunës, drejtoritë, njësitë dhe zyrat përkatëse lidhur me obligimet për publikimin e raporteve, planeve të punës, vendimeve si dhe materialeve të tjera me interes për publikun.

Çështja e transparencës është shumë e rëndësishme edhe për sa i përket përftimit nga granti i performancës, i cili ndahet nga MAPL-ja.

Mobi Casa

‘Sa më mirë që ne qëndrojmë në fushën e transparencës, aq më shumë kemi gjasa që të renditemi më lartë në performancë komunale dhe të përfitojmë më shumë mjete nga granti dhe t`i realizojmë në mënyrë më cilësore projektet tona kapitale’, ka thënë Hasani.

Ky plan është shumë i rëndësishëm edhe për sa i përket idesë së përfshirjes së qytetarëve në politikat komunale, në të gjitha fazat, duke filluar nga faza e projektimit, raportimi e deri te implementimi i projekteve.

Kuvendi e mori parasysh edhe propozimin e këshilltares Mimoza Kadriu për publikimin në webfaqe të komunës edhe të procesverbale të takimeve të komiteteve.
Ndërkaq, Kuvendi nuk e miratoi projekt-rregulloren për taksat administrative për leje të ndërtimit dhe tarifën për rritje të densitetit në infrastrukturë, të cilën e prezantoi drejtori i Urbanizimit, Ali Arifi, kështu që kjo nënkupton se mbeten në fuqi tarifat e vjetra.

Përndryshe, me propozimin e këshilltarit Bujar Nevzati (PDK), Kuvendi i shtyu për seancën e ardhshme raportin e auditorit si dhe dy raportet e punës së Komisioneve komunale të aksionarëve në ndërmarrjet Stacioni i Autobusëve dhe Tregu.
‘Meqë opozita nuk është sot këtu, për çka neve si këshilltarë na vjen keq, propozoj që këto tri pika të shtyhen për seancën e ardhshme, kur të jetë edhe opozita këtu dhe t`i diskutojmë bashkërisht’, ka thënë Nevzati./rajonipress/