Mobi Casa

Kushtetuta dhe kushtëzimi

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Paralajmërimi për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të [Republikës së] Kosovës jobefasisht ndodhi tani kur po pritet qartësimi rreth kohës së mbajtjes së zgjedhjeve nacionale. Nuk ka asnjë dilemë që Kryeministri Thaçi flet për këtë temë tani, edhe pse qysh nga viti 2013 ka qenë e mundur të bëhet rishikimi strategjimi i sektorit të sigurisë, ashtu siç ishte paraparë në Pakon e Ahtisaarit dhe në legjislacionin në fuqi që u amandamentua pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Thaçi, kuptohet me qëllim, nuk e përmendi që në fakt çdo ndryshim që ka të bëjë me emërtimin dhe funksionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimit të kushtetutës. Dhe kushtetuta, siç dihet, mund të ndryshohet vetëm nëpërmjet asaj që njihet si shumicë e dyfishtë, pra dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, duke përfshirë edhe dy të tretat e votave të pakicave.

Shqetësimi më i madh, prandaj, nuk është fakti se Thaci po bënë fushatë me një çështje që nuk mund ta vendosë e as ndryshojë vetë, por situata e cila do të krijohej me rastin e ndryshimeve kushtetuese tashmë që pakicat kanë kërcënuar se nuk do të votojnë asnjë ndryshim (qoftë kjo edhe për Forcat e Armatosura) nëse nuk ka pajtim që atyre t’u vazhdohen vendet e rezervuara. Mekanizmi bllokues që pakicat e kanë në Kosovë është argumenti kryesor pse atyre nuk duhet t’u vazhdohen vendet e rezervuara. Nëpërmjet një mekanizmi të tillë, ato mund të bllokojnë gati çdo vendim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe për funksionimin institucional në Kosovë.

Mobi Casa

Përkundër të drejtave e privilegjeve të paprecedent që u janë dhënë pakicave me Kushtetutë dhe me ligje në Kosovë, kërcënimet dhe kushtëzimet e tyre të fundit dëshmojnë se ata akoma nuk janë integruar në institucionet e Kosovës si duhet dhe sa duhet. Dhe këtu flas, natyrisht, jo vetëm për pakicën serbe, por edhe për pakicat e tjera, sepse kanë qenë pikërisht deputetë të pakicës turke që u morën me kushtëzime e kërcënime së fundi. Sjellja e tillë vetëm tregon se ata në vend se t’a konsiderojnë veten pjesë integrale të institucioneve ku ata duhet të kontribuojnë, qoftë në ndërtimin, qoftë në avancimin e këtyre institucioneve, ata thjeshtë po i konsiderojnë ulëset e tyre dhe privilegjet e të qenit në Ekzekutiv, jo si mundësi për të dhënë këtë kontribut, por mundësi për të përfituar nga privilegjet dhe për të bllokuar procese. Do të ishte krejt në rregull sikur ata të kushtëzonin për të drejta që atyre u takojnë me Kushtetutë apo me Pakon e Ahtisaarit. Por ajo që po kërkojnë, pra vazhdimi i vendeve të rezervuara përtej dy mandateve, nuk ua njeh as kushtetuta e as Pakoja e Ahtisaarit. Mos të harrojmë që pakicat në Kuvend sot përfaqësohen trefish më shumë se sa numri i tyre në popullsi, dhe këto nuk janë të drejtat e vetme afirmative që ata i kanë qoftë në nivel qendror, qoftë në atë lokal. Dhe në vend se ta vlerësonin këtë gatishmëri të shumicës shqiptare, këta deputete që shfrytëzuan këto privilegje vite me radhë, po ua kthejnë këtë ‘nder’ shumicës shqiptare duke bllokuar procese që janë esenciale në shtetndërtimin e Kosovës. Ky qëndrim është joracional edhe për faktin se nga avancimi i forcave të armatosura në Kosovë do të përfitonin jo vetëm shqiptarët, por edhe pakicat.

Është e vërtetë që kushtetuta e Kosovës parasheh ndryshimin e saj vetëm nëpërmjet amendamenteve. Mirëpo përfaqësuesit e pakicave duhet të jenë të vetëdijshëm rreth zhvillimeve në shtetet ku nuk është respektuar vullneti i shumicës. Shembuj të tillë pamë shumë gjatë ditëve të fundit. Prandaj presionet që ata po i krijojnë tek populli shumicë nëpërmjet këtyre kushtëzimeve mund të prodhojnë pasoja të paparashikueshme.

(Autorja është Anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane)