Kush s’po merr vesh shqip
Nga Blerina Rogova Gaxha- Është pothuaj e sigurt se rasti i Kosovës është “sui generis”, ku populli i zakonshëm flet më mirë se sa politikanët e tij. Kosova duhet të jetë rast unik, kur turmat, që supozohet të jenë “ta paafta”, janë më të mençura se sa kasta politike.
Këta s’po merrshin vesh shqip! Ose ne nuk e dimë shqipen.
Mjeshtria e të folurit ose oratoria, ndër shqiptarë është po aq e vjetër sa edhe vetë shqiptarët dhe duke supozuar se shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër në Evropë, i bie që ne do të duhej të kishim traditë në këtë punë. Shqiptarët ishin ata që e zbuluan njërën prej perlave të urtësisë për oratorinë, se “migjlisin e prishin ata që flasin e nuk dinë, dhe ata që dinë e nuk flasin”.
Po kushedi në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq, që s’po zgjohemi dot, dhe në politikën e në strukturën e shteteve shqiptare, kryesisht janë ngjitur “gagaçët” që ta çojnë krupën, sa herë t’i dëgjosh të flasin.
Kur dëgjon sot presidenten e Kosovës të flasë, kryetarin e parlamentit të ngatërrohet në fjalimet që mbase ia shkruajnë të tjerët, kryeministrin që i përsërit si papagall ato 25 fjali të mësuara përmendsh, apo ministrat e tij që përbihen e lëpihen si të ishin “vjeta të staneve”, apo, me pak përjashtime, edhe politikanët tjerë, gjëja e parë që të bie ndërmend është “aman sa të padijshëm janë”. Të tjerët që nuk e dinë mekanizmin e zgjedhjeve, apo përmbysjen e sistemit të vlerave, mund të thonë “aman sa të padijshëm jemi”. Por, realisht kjo nuk është e saktë. Ndër shqiptarë në Kosovë, në Tiranë dhe në Shkup, ka oratorë të shkëlqyer që mendimin e kanë të formësuar, që fjalinë e kanë të saktë dhe mbi të gjitha që ligjërimin e kanë të nivelit intelektual.
Epoka e artë e oratorisë, me aq sa e kemi mësuar, ka ekzistur që në Greqinë antike, duke e pasur si shtyllë Perikliun që njihej si “mjeshtri i oratorisë”, më i madhi, jo vetëm në Greqi por gjithandej ku fjala ishte bërë mjet komunikimi. Një shekull pas tij epitetin e mjeshtrit të madh e mori edhe Demosteni, derisa shekuj më vonë mjeshtra u konsideruan figurat e mëdha të politikës si: Abraham Lincoln, Winston Churchill, Hitleri, Mahatma Gandhi, Nelson Mandela, Martin Luter King, deri te Barak Obama…
Storia e Perikleut dhe e Demostenit tregon atë që secili politikan do të duhej ta dijë: arti i të folurit publik është një prej çelsave kyç të suksesit të tij. Në mos nuk do që të jetë një orator i mirë. Thuhet se fjalimi Obamës, me rastin e promovimit të tij president i SHBA-se, llogaritet ndër fjalimet më të mira të politikës moderne, që s’ka pse të mos mund të krahasohet me artin e të folurit të Greqisë së vjetër.
Të gjithë këta oratorë, por edhe me qindra të tjerë që ka njohur bota, thuhet të kenë pasur baza të forta të ligjërimit të tyre. Të kenë qenë studentë të shkëlqyer të universiteteve dhe shkollave më prestigjioze, apo në rastin më të keq, të kënë pasur mësues të shkëlqyer.
Thuhet se për t’u bërë një orator i mirë, së pari duhet të jesh nxënës i një oratori të madh e ta analizosh artin e të folurit të tij. Të jesh ligjërues normal, bile së paku duhet të kesh një mentor të mirë, por dhe një “krah me libra”! Kjo mund të jetë tema hulumtuese e radhës e medias shqiptare. Kush janë politikanët shqiptarë? Pse ata muk dinë të flasin? Kush i ka fajet, mentorët që nuk i patën apo librat që nuk i lexuan? Më në fund ç’shkolla kanë kryer dhe ku e kur i kanë kryer? Ndoshta është koha t’iu kërkojmë llogari shkollave që i kaluan “ngelcanat”, apo universiteteve që iu dhanë tituj brenda natës.
Të rriturit tanë politikanë e dinë se ngjyra që dominon në shoqërinë tonë është e zeza. Po të ishin të aftë e të ndienin përgjegjësinë, do të dinin të na bindin për të kundërtën. Po të ishin të aftë do të dinin të merrnin edhe pak ngjyrë të kaltërt e pak ngjyrë të kuqe. Po të ishin të aftë, mbase edhe do të dinin që të na linin pa gojë, por jo me mosdijen e tyre.
Njëri prej politikanëve të huaj, Bernard Kushner, që kishe pasur fatin të “mbretëronte” me Kosovën për disa vjet, kishte deklaruar se po të ndahej çmim Nobel për luftën, atë do ta fitonte Adem Jashari. Politikanët shqiptarë, akoma nuk po dinë të flasin, jo vetëm për Adem Jasharin, por as për të fundit e as për të parin.
S’po dinë të flasin as për ne, e larg qoftë të kenë fjalime si ato që në historinë njerezore kanë ditur t’i bëjnë për vete njerëzit edhe në kohë të vështira t’u japin ‘gajret’, t’u japin shpresë edhe në zhgënjimet më të mëdha, të inkurajojnë, të frymëzojnë e madje ta ndryshojnë edhe rrjedhën e historisë.
Është pothuaj e sigurt se rasti i Kosovës është “siu generis”, ku populli i zakonshëm flet më mirë se sa politikanët e tij. Kosova është rast unik kur turmat, që supozohet të jenë “të paaftë”, janë më të mençura se sa kasta politike. Këta s’po merrshin vesh shqip! Ose ne nuk e dimë shqipen mirë.


