Uji Dea

Kush po mashtron?

/ 4 minuta lexim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi se në bastionin e saj në Deçan ia ka marrë një nëndegë LDK’së. Nga ky subjekt u pohua se ky është edhe transferi më i madh i anëtarësisë në Dukagjin. Por, Partia e Isa Mustafës ka mohuar një gjë të tillë. Armend Zemaj ka akuzuar AAK’në se po manipulon me matrapazë dhe profiterë politikë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se të martën ia ka shkëputur Nëndegën Qendrore Lidhjes Demokratike në Deçan.

Këtë aderim, Partia e Ramush Haradinajt e ka prezantuar si kalimin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në Dukagjin.

“Ky është aderimi më masiv i përnjëhershëm në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga ndonjë parti në qytetin e Deçanit”, është thënë në njoftimin e AAK’së.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i LDK’së në qytetin që e udhëheq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas Kryetarit të Degës së LDK’së në Deçan, Armend Zemaj, njoftimi i AAK’së është i rremë dhe se po bëhet nga matrapazë politikë.

“Dega e LDK-së në Deçan njofton opinionin e gjerë se këta individë të thirrur në emër të nëndegës nuk janë pjesë e asnjë strukture të LDK-së dhe janë të njohur si matrapazë politikë, të cilët pothuajse në çdo palë zgjedhje kalojnë nga një subjekt në tjetrin”, thuhet në reagimin e LDK’së të nënshkruar nga Zemaj.

Sipas Zemajt, zyrtarët e prezantuar si anëtarë të LDK’së janë profiterë dhe matrapazë që e kanë përkrahur dhe votuar në vazhdimësi AAK’në.

“Këtyre individëve, të cilët për opinionin deçanas janë të njohur si votues dhe përkrahës të AAK-së, ne u bëjmë thirrje të mos e dezinformojnë opinionin duke e keqpërdorur pushtetin komunal nëpërmjet presionit dhe kërcënimeve me metodat e kohëve të kaluara”, thuhet më tej në reagim.

Mobi Casa

Ky deputet i LDK’së ka akuzuar Partinë e Ramush Haradinajt se në Dukagjin e ka degraduar jetën e njerëzve.

“LDK si shpresa e vetme e vendosur në rrugën dhe filozofinë rugoviane për të punuar në interes të qytetarëve dhe jo si ky pushtet komunal, i cili duke parë humbjen e besimit të qytetarëve, si në asnjë komunë tjetër, shquhet për nepotizëm, keqpërdorim të pronave, degradim të arsimit, të shëndetësisë, madje të çdo segmenti të jetës njerëzore”.

Raportet mes AAK’së dhe LDK’së kanë qenë të mira në vitet 2004-2007, kur kanë qenë në bashkëqeverisje.

Ndërkohë, ditë më parë, Kryetari i Degës së LDK’së në Deçan, Armend Zemaj e ka lënë përgjegjës Liderin e AAK’së për vdekjen e axhës së tij, Tahir Zemaj.

Sidoqoftë, Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka vazhduar aktivitete politike në Prishtinë, duke rishprehur vullnetin për të udhëhequr Qeverinë.

“Në ekonomi këta thonë ‘koha është para’, është edhe në gjuhë të huaj ky slogan është tepër i njohur. Ne nuk kemi kohë të humbim si Kosovë, megjithatë nuk varemi çdoherë nga ajo se kush e ka kapacitetin vendimmarrës. Po shpresojmë se nuk do të humbim shumë kohë, së shpejti do të dinë drejtimin që do ta marrim”, ka thënë Haradinaj gjatë një vizite në Odën Ekonomike të Kosovës.

Sikurse herëve të tjera, Haradinaj ka premtuar se nëse e merr pushtetin, menjëherë do të fillojë punën.

“Në rast se do të mund ta marrim udhëheqjen e vendit, do të fillojmë menjëherë të punojmë për zhvillimin e vendit ekonomik, për hapjen e vendeve të punës që është tepër me rëndësi”, ka thënë ai.

Ish-Kryeministri i Kosovës u ka dhënë mbështetje bizneseve në Kosovë dhe ka thënë se e përkrah edhe privatizimin e aseteve publike si mundësi e mirë për të ndalur korrupsionin.(express)