UBT

Kush o’ ma i forti

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ibrahim Rexhepi – Nëse kemi parasysh spektrin ligjorë, atëherë ekziston bazamenti që Kosova të bëhet shtet funksional, por këtu problem janë njerëzit që kanë mandat për krijimin e tij.

Për ata që nuk e dinë, apo kanë harruar, t’ua përkujtojmë se çfarë thotë Ligji për Ndërmarrjet Publike.

Neni 3: ” Të gjitha NP Qendrore janë në pronësi të Republikës së Kosovës”.

Neni 5: ” Qeveria ka kompetencën ekskluzive për ushtrimin e të drejtave të aksionarit të Republikës së Kosovës në NP-të Qendrore”.

Neni 9 :” Aksionet në një NP Qendrore mund të shiten lirisht nëse Qeveria miraton një vendim me shkrim me të cilin autorizohet një Komision Qeveritar për Privatizim për të vazhduar me tenderimin dhe shitjen e aksioneve, me kusht që ky vendim të miratohet me shumicë të thjeshtë votash nga Kuvendi i Kosovës”.

Këto pak citime nga ky ligj e tregojnë të qartë se pronësia e ndërmarrjeve publike është e definuar dhe nuk ka asgjë konfuze: Kuvendi Kosovës është institucioni që me votë ka marrë mandatin që të përkujdeset për pronat që janë “në pronësi të Republikës së Kosovës”. Ndërkaq, qeveria ka kompetencë për “ushtrimin e të drejtave të aksionarit”. Pra, është një e drejtë e deleguar dhe ajo nuk mund të ndërmerr asnjë veprim esencial përderisa nuk e ka lejen e legjislativit.

Mobi Casa

Ndonëse ky nuk është ligj i përkryer, por është bazë e mirë për organizimin dhe mbikëqyrjen e ndërmarrjeve publike. Ndërkaq, problemet e tashme që ka ky sektor nuk ndodhin për shkak të mungesës së ligjit, por vetëm për mungesë të zbatimit të tij dhe përplasjeve ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit për të treguar se “kush është më i forti”.

Nga dështimi i privatizimit të PTK-së ka tendenca që dikush nga subjektet politike parlamentare të thotë se kjo ka ndodhur falë fuqisë së tyre. Apo, të identifikojnë tendenca paternaliste ndaj këtij sektori, apo edhe të kërkojnë që atë krejtësisht ta fusin nën sqetullat e veta – kuptohet përmes Kuvendit të Kosovës. Diçka e ngjashme u manifestua edhe në një debat të Lëvizjes Vetëvendosjes !, ku ndër tjerash u kërkua që NP-të t’i merren Qeverisë së Kosovës dhe t’i barten Kuvendit të Kosovës. Pra, që Kuvendi i Kosovës të jetë edhe “drejtor” i tyre!

Kërkesë shumë e pakuptueshme nëse kemi parasysh rendin ekonomik që po ndërton Kosova, si edhe përcaktimin e saj për krijimin tregut të lirë dhe të konkurrencës. Kjo thuhet në të gjitha ligjet. Ndërkaq, problemi qëndron në faktin se ekonomia, tregu, e NP-të trajtohen si një e drejtë ekskluzive e aparatit shtetëror, ku individë të caktuar kanë përfitime, madje edhe financiare. Pra, atyre nuk iu qasen si një e mirë e përgjithshme, prej të cilave duhet të përfitojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Nisur nga kjo, nuk ka nevojë që të ndryshojë fondamenti i sistemit ekonomik të vendit, por vetëm strategjia, filozofia dhe vizioni i mekanizmave shtetërorë, posaçërisht i Qeverisë së Kosovës që ka ndaj tregut dhe biznesit- qoftë atij publik, apo privat.

Nga ana tjetër, as Kuvendi i Kosovës nuk ka dëshmuar se me sukses po përmbushë detyrimet e veta ligjore. Kjo vërehet kur kemi parasysh gjendjen në agjencitë e pavarura dhe rregullatore që i raportojnë vetëm atij. Kuvendi ka miratuar ligjin për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, i cili nuk solli asnjë të mirë; ai po lejon kaosin krijuar në funksionimin e Bordit të AKP-së; ai ka miratuar ligjin që iu jep fuqi kreditorëve që të vendosin për fatin e “Trepçës”; nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për debllokimin e një autoritetit të rëndësishëm për funksionimin tregut – atij të konkurrencës; e as që ka marrë në shqyrtim ankesat e shumta që kanë bizneset rreth sigurimit të lejeve dhe të licencave në sektorin e energjetikës, minierave dhe mineraleve, si edhe të telekomunikacionit.

Pra, Kuvendi i Kosovës ka hapësirë të madhe ku duhet të dëshmojë se me përgjegjësi mund të kryejë të gjitha kompetencat që ka. Ndërkaq, njëra prej tyre është edhe “disiplinimi” i Qeverisë së Kosovës, përkatësisht aktivizimi i mekanizmit të llogaridhënies, i cili shkon deri te vetëbesimi, shkarkimi dhe kërkimi i përgjegjësisë penale, nëse për këtë ka arsye. Mirëpo, kjo është e vështirë të arrihet, meqenëse ky është parlament i “votave të vjedhura”, si e tha edhe vet kryeparlamentari, ndërsa deputetët aty kryesisht veprojnë si përfaqësues të partive, e jo si përfaqësues të atyre që ua kanë dhënë votën, sado e dyshimtë qoftë ajo.
Prandaj, kur kemi parasysh ligjet, atëherë ekziston bazamenti për një shtet funksional, por problem janë njerëzit që kanë mandat për krijimin e tij.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)