RCCOLA

Kush janë aleatët e LDK-së

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Armand Shkullaku- Më parë se të kërkojë aleatë televizë, LDK ka nevojë të rindërtojë aleancën e saj të re me zgjedhësit. Nëse e arrin këtë, Isa Mustafa nuk ka nëvojë të presë mysafirë në dreka e darka. Do të jenë ata që do të trokasin në portën e tij.

Pavarësisht pamjes relaksuese dhe fytyrave të buzëqeshura, takimi në fillim të javës mes Isa Mustafës dhe Nexhat Dacit u duk si një déjà vu e dalë boje, e nxjerrë nga arkivat e vjetra të LDK-së. Përpjekja për t’i dhënë një impuls të ri opozitës në Kosovë nëpërmjet ricklimit të figurave dhe ideve të konsumuara, më shumë do ta dëmtojë se sa do t’i vijë në ndihmë partisë së Mustafës.

Në vend që të rrisë entusiazmin dhe besimin e elektoratit, lëvizja e fundit e kreut të LDK-së mund të përkthehet si tregues i pafuqisë së tij për të afruar njerëz dhe ide të reja, për të gjetur alternativa të tjera, për t’u hapur ndaj shtresave të ndryshme të shoqërisë, për të tërhequr pjesën më vitale të saj dhe në fund të fundit për ta transformuar partinë e fosilizuar të Rugovës në një organizëm të gjallë, të ndryshuar, të rinuar dhe aktiv. T’i rikthehesh LDD-së, AKR-së apo dhe AAK-së si mundësia e vetme për të fituar zgjedhjet, do të thotë në fakt se transformimi i LDK-së është një mision i pamundur. Një kapitullim i trishtueshëm përballë etjes së qytetarëve për ndryshim.

Një aleancë mes LDK-së dhe këtyre tri partive të tjera, që po klasifikohen si qendër e djathtë, do të kishte patur vlerë dhe kuptim nëse do të kishte ndodhur në zgjedhjet e kaluara apo në bazë të një strategjie të përpunuar gjatë. Atë kohë, kryetari i LDK-së me të drejtë kërkoi të maste peshën e partisë së tij në zgjedhje e pastaj të vendoste për koalicionet e mundshme.

KKVITI

Mirëpo, pas zgjedhjeve problematike të dy viteve më parë, Isa Mustafa nuk bëri asnjë përpjekje për të riorganizuar një front të përbashkët opozitar, madje ndërmori akte unilaterale të rëndësishme siç qe edhe marrëveshja, që nuk po zbatohet, me Hashim Thaçin. Duke shpresuar në një zgjim të vrullshëm vetëm me ndërrimin e kryetarit, LDK mbeti në vendnumëro, me disa prurje minimale dhe ku ritmin e lëvizjes e përcaktojnë hapat e ngathët të drejtuesve të vjetër. Në pamundësi për të thyer këtë ritëm, për të bërë një transfuzion gjaku dhe për të përcaktuar një alternativë të re opozitare, kreu i LDK-së po tenton të gjejë një zgjidhje deus ex machina. Në mungesë të energjive për të ndërmarrë aktin e madh të ndryshimit, Isa Mustafa po përsërit lëvizjet dhe figurat e vjetra për të sajuar diçka të re.

Përpjekja për të rikuperuar artificialisht një reformë thelbësore të munguar është tepër e lexueshme në sytë e publikut dhe kundërproduktive. Nëse në aspektin politik LDK po tregohet gjithsesi një opozitë parimore dhe e ndershme, në aspektin strategjik ajo nuk po arrin të gjenerojë lëvizjet e duhura që do të sillnin një hop cilësor. Të mbulosh një boshllëk struktural me një drekë me Nexhat Dacin apo me thirrje për aleancë të djathtë me AAK-në dhe AKR-në, do të thotë kthim pas. Madje më keq se kaq, ideja e vjetër për një koalicion të ri mund të interpretohet fare mirë se shenjë e pafuqisë së LDK-së në kushtet në të cilat ndodhet. Dhe kjo pafuqi po shfaqet në disa drejtime. Partia më e madhe opozitare ndihet e poshtëruar nga mënyra se si PDK e përdori marrëveshjen me të, por nuk ka forcën e duhur për të imponuar respektimin e saj. Pas deklaratave të ashpra për bllokimin e reformës zgjedhore e kushtetuese, LDK po jep shenja se mund të tërhiqet si pasojë e presionit ndërkombëtar. Por LDK nuk po i imponohet dot fuqishëm as shoqërisë kosovare duke paraqitur një ofertë të re dhe moderne për të. Zgjedhjet në disa komuna ishin një provë e këtij dështimi.

E gjendur në pozitën ku as mund të ndikojë mbi mazhoranën por as mund të ngjallë entusiazëm tek votuesit, LDK po përdor një truk si kjo manovër e fundit e Mustafës për të krijuar koalicionin e qendrës së djathtë, që mund të quhej edhe koalicioni i hallit të madh. Sepse është vërtet hall nëse e ardhmja e një force që pretendon të vijë në pushtet kapet tek një parti e falimentuar si LDD apo tek AKR që nuk e di as vetë se ku është. E me cinizëm është pritur oferta e Isa Mustafës nga AAK, ku janë të qartë se ajo nuk është rrjedhojë e një strategjie të menduar bashkëpunimi, por pasojë e flirtimit të hapur të partisë së Haradinajt me PDK. Nxitimi për të shpallur një aksion politik që nis dhe mbaron me një drekë në Gërmi, dëshmon se LDK është vërtet në vështirësi. Jo aq në vështirësi për të gjetuar aleatë të vërtetë, se sa për t’i dëshmuar publikut se po bën diçka. Fakti që lideri i LDK-së në vend se të fliste me aktorët e tjerë politikë, foli përpara kamerave e shpjegon këtë. Më parë se të kërkojë aleatë televizë, LDK ka nevojë të rindërtojë aleancën e saj të re me zgjedhësit. Nëse e arrin këtë, Isa Mustafa nuk ka nëvojë të presë mysafirë në dreka e darka. Do të jenë ata që do të trokasin në portën e tij.